BRANICA Halil
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Pjesëtar i Gardës Mbretërore të Zogut I. Më 28 prill të vitit 1952, së bashku me Hamit Matjanin [shih], Zenel Shehun [shih], Haxhi Gjylen [shih], radioperatorin e grupit Tahir Prençi [shih] dhe udhërrëfyesin Xhelo Tresova [shih], kaluan kufirin grekoshqiptar në këmbë. Por shumë shpejt Branica u sëmur dhe u kthye në Greqi. Të tjerët vazhduan drejt një baze në Veri, ku ata u bashkuan me luftëtarët antikomunistë, që Matjani i kishte rekrutuar qysh më parë. Shehu dhe Prençi ndenjën me ta, kurse Matjani, Gjylja dhe Tresova u kthyen në Greqi. Disa muaj më vonë, më 4 gusht 1952, pasi ishte mëkëmbur nga sëmundja, Halil Branica u parashutua në vendin që i kishte caktuar readioperatori Prençi, në malet e Martaneshit. Më 1 janar 1954, Radio Tirana dha lajmin e bujshëm se Hamit Matjani, Zenel Shehu, Halil Branica, Naum Sula [shih], Gani Malushi [shih] dhe disa luftëtarë të tjerë lokalë ishin kapur nga Sigurimi i Shtetit. Në gjyqin që u zhvillua më prill 1954 u kuptua se Zenel Shehu ishte kapur sapo kishte mbërritur në bazë dhe se radiomesazhet i kishte dërguar Sigurimi shqiptar, duke i futur në kurth të gjithë të parashutuarit. Dhe më 12 prill 1954, Halil Branica u dënua me vdekje me pushkatim, bashkë me Shehun, Sulën e Malushin, kurse Hamit Matjani me varje. Me gjithë premtimin e dhënë se do t’u falej jeta po të bashkëpunonin me Sigurimin, u ekzekutuan të gjithë në afërsi të Urës së Beshirit. Curtis Peebles, Twilight Warriors: Covert Air Operations Against the USSR, Naval Institute Press, Annapolis, 2005, I, 2, f. 51-53.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]