(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Personalitet i shquar i komunitetit musliman shqiptar, pedagog, Drejtor i Përgjithshëm i Medresesë së Tiranës, teolog e përkthyes. Lindi më 15 mars të vitit 1892, në qytetin e Shkodrës. Studimet teologjike i kreu në Stamboll. Në vitin 1929 u emërua drejtor administrativ në Medresenë e Përgjithshme dhe profesor i saj. Është një nga dy hartuesit e projektstatutit të Komunitetit Musliman Shqiptar, ngarkuar me dekret mëkëmbësor datë 9 qershor 1942. Por ky statut nuk u mor asnjëherë në shqyrtim nga qeveria e kohës dhe kështu Komuniteti Musliman punoi pa statut deri në vitin 1945. Pas luftës punoi si profesor i Medresesë së Përgjithshme të Tiranës, drejtor i brendshëm dhe, pas arrestimit të Hafiz Ismet Dibrës [shih], edhe drejtor i përgjithshëm i saj. Kundërshtoi hapur krijimin e organizatës së rinisë popullore në Medresenë e Përgjithshme. U arrestua nga Sigurimi i Shtetit më 19 prill të vitit 1947, së bashku me profesorë të tjerë të kësaj medreseje. Për këtë arsye, Kryesia e Këshillit të Përhershëm të Komunitetit Musliman e pezulloi nga të gjitha detyrat. Mes viteve 1955-1963 vazhdoi veprimtarinë pedagogjike, si mësues në shkollat e ciklit 7 vjeçar. Vdiq në maj të vitit 1966. AQSh, Komuniteti Mysliman, F. 482, D. 3, viti 1945; Po aty, D. 6, viti 1947; Po aty, D. 2, viti 1949; Dhe mban emrin shkollë…, në gazetën «17 Nandori», dt. 23. 12. 1946; 100 personalitete shqiptare të kulturës islame: shekulli XIX-XX, Tiranë, 2012, f. 117-119.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit