BUMÇI Shkëlqim
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Inxhinier ndërtimi. Lindi më 7 dhjetor të vitit 1934, në Tiranë. Më 1950 u diplomua gjeometër në Politeknikumin «7 Nëntori». Mes viteve 1950-1954 kreu Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Në vitet 1963-1966 kreu funksionet e kryeinxhinierit në Ndërmarrjen e Ndërtimeve Industriale në Laç. Dy vitet në vazhdim punoi si kryeinxhinier në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Hekurudhës Rrogozhinë-Fier, kurse nga 1968 deri më 1971 si drejtor i Ndërmarrjes së Ndërtimit të Hekurrudhës Elbasan-Përrenjas. Në vitet 1971-1975 u caktua kryeinxhinier në Drejtorinë e Përgjithshme të Ndërtim- Montimit në Kombinatin Metalurgjik në Elbasan. Në dhjetor 1975 u shkarkua nga të gjitha funksionet dhe u arrestua «për veprimtari armiqësore për krimin e sabotimit ». U dënua me 20 vjet heqje lirie, por u lirua pas dhjetë vjetësh me dekret të Presidiumit Popullor. Pas lirimit dhe deri në vitin 1991 punoi në Ndërmarrjen e Ndërtimit «21 Dhjetori». H. Gonxhja, I. Gogaj, Sh. Bumçi, Ndihmesa e ish nxënësve dhe mësuesve të Shkollës Teknike të Tiranës për zhvillimin e vendit dhe luftën për çlirim e demokraci, Tiranë, 2006, vi, f. 237-238.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]