(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik i lartë katolik, Ipeshkëv i Dioqezës së Lezhës, kryetar i komisionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, kryetar i Këshillit të Lartë të dalë nga Kongresi i Lushnjës, nip i Pashko Vasës. Lindi në Shkodër, më 6 nëntor të vitit 1872. Mësimet e para i mori në shkollën e jezuitëve. Kreu Seminarin Papnor në Shkodër. Mësimet e larta i kreu në Itali, ku më 3 maj 1903 u shugurua meshtar. Më 18 shtator 1911 u zgjodh Ipeshkëv i Dioqezës së Lezhës: u shugurua më 10 dhjetor të të njëjtit vit nga Imzot Jak Serreqi në Katedralen e Shkodrës. Ishte pjesëtar, dhe më vonë kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në kthim, Imzot Bumçi dhe sekretari i tij, Atë Gjegj Fishta, u ndalën në Romë, ku takuan Atin e Shenjtë, Papa Benediktin XV, i cili u premtoi se do të ndërmjetësonte pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e Shqipërisë. Në Kongresin e Lushnjës u zgjodh në krye të Këshillit të Lartë. Më 1921 u urdhërua nga Vatikani që të mos merrej me politikë, por vetëm me baritjen e Dioqezës së tij. Por në dhjetor të po këtij viti, ai mori pjesë, bashkë me Aqif Pashë Elbasanin, në grushtin e shtetit kundër Kryeministrit Pandeli Vangjeli. Për këtë arsye, Parlamenti e shkarkoi nga posti i kryetarit të Këshillit të Lartë dhe mes viteve 1922-1924 u dëbua. Pas shumë lajmërimesh nga ana e Delegatit Apostolik, më 1944 iu hoq detyra e Ipeshkvit. Që në muajt e fundit të vitit 1944 iu nënshtrua pytjeve dhe hetimit. I dërrmuar nga seancat hetimore, vdiq më 1 mars të vitit 1945 në selinë e ipeshkvisë së tij, në Kallmet të Lezhës. Dr. Pjetër Pepa, Dosja e diktaturës, Tiranë, 2007, vol. I, II, f. 366-367; Markus W. E. Peters, Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919- 1996, Shkodër, 2010, 5, f. 281.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit