(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Veprimtar politik, deputet (1921-1923; 1925-1936), Ministër i Punëve të Brendshme (prill 1939), Kryeministër i Shqipërisë (12 shkurt-12 maj 1943). Lindi në Shkodër, më 8 shkurt të vitit 1890. Shkollën fillore e kreu në vendlindjen. Më 1910 filloi studimet në kolegjin e Stambollit. U kthye në Shkodër në fund të vitit 1911, ku së bashku me Riza Danin [shih] u përpoq për bashkimin e rrymave të ndryshme fetare. Në periudhën 1916- 1918 ishte anëtar i këshillit bashkiak të Shkodrës. Gjatë kësaj kohe botoi gazetën «Populli». Në vitin 1920 u mobilizua vullnetarisht në njësitë e drejtuara nga Sylço beg Bushati [shih] për mbrojtjen e Koplikut nga forcat ushtarake serbe. Në periudhën 1921-1923 u zgjodh deputet i Shkodrës. U rizgjodh sërish më 1925 e që prej këtij viti do të rizgjidhej në çdo legjislaturë, deri në vitin 1936. Në prill të vitit 1939, në qeverinë «Vërlaci-2», u caktua në postin e Ministrit të Brendshëm. Kabineti qeveritar i kryesuar prej tij u dekretua më 12 shkurt të vitit 1943. Më 12 maj 1943 paraqiti dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Këshillit të Ministrave. Më 30 qeshor të vitit 1945, Komiteti Ekzekutiv i Këshillit të Prefekturës së Shkodrës urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij. U arrestua pak muaj më vonë, më 3 dhjetor 1945, nga të ashtuquajturat forca të «Mbrojtjes së Popullit». U gjykya bashkë me Lef Nosin [shih] dhe At Anton Harapin [shih]. Në krye të njëzetenjë ditëve, më 12 shkurt 1946, Gjykata e Lartë Ushtarake vendosi: «Ndëshkimin e fajtorëve me vdekje, humbjen e të drejtave të tyre qytetare e politike dhe konfiskimin e pasurisë të luajtshme e të paluajtshme». U pushkatua më 20 shkurt 1946. Ende sa pa mbaruar gjyqi, më 15 janar të vitit 1946, Komiteti Ekzekutiv i K.N.Ç. të Nënprefekturës së Durrësit urdhëroi sekustrimin e gjithë pasurisë së tij. Hilë Lushaku, Ministrat e Brendshëm 1912-2007, vol. 1, Tiranë, 2009, vol. 1, 24, f. 364-391; Gazeta Zyrtare, nr. 30, 26 prill 1946, f. 2; Gazeta Zyrtare, nr. 106, 21 nëntor 1946, f. 5.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit