COKU Dedë
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Veprimtar i nacionalizmit shqiptar. Lindi në fshatin Shënkoll të Lezhës. U padit për «kolaboracionizëm» me gjermanët. Para vendimit të gjyqit, që u zhvillua në korrik të vitit 1945 në kino-teatrin «Rozafa», tha: «Kam luftue kundra turqve për pavarësinë e Shqipnisë, jam varrue dý herë, dhe kam humbë nji vëllá n’atë luftë, kam pësue shembejn e shtëpisë: e kam dashtë gjithmonë atdheun tim, jam përpjekë gjithmonë t’i shërbej: nuk do ta kisha pritë kurr të trajtohesha në këtë mënyrë prej bashkatdhetareve të mij. Zoti e shpëtoftë Shqipninë». Në vendin e ekzekutimit u ul në gjunjë dhe bëri Shënjën e Kryqit: e qëlluan, por jo për vdekje; pastaj e qëlluan me revolver, por prapë nuk vdiq: ra, u çua, bëri përsëri Shenjën e Kryqit dhe vetëm në të shtirën e tretë ra i vdekur. Një muaj më vonë, më 15 gusht 1945, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Malësisë së Madhe urdhëroi sekuestrimin e të gjithë pasurisë së tij. Një vendim të tillë mori më 18 janar të vitit 1947 edhe Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Lezhës. Shënime të Atit Luigi Rosa, S. J., në «Nji Seminar Papnor në vorbull të përndjekjes komuniste: Shkodër 1945-1946», Shkodër, 2008, f. 67; Gazeta Zyrtare, nr. 106, 21 nëntor 1946, f. 5; Gazeta Zyrtare, nr. 16, 24 shkurt 1947, f. 5.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]