(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Pedagog, një nga përkthyesit më të njohur nga gjuha shqipe në anglisht. Lindi më 2 gusht të vitit 1898, në Elbasan, në familjen e një qiraxhiu karvanesh. U shkollua në Robert Kolegj të Stambollit. Pas diplomimit, punoi për ca kohë si mësues në Elbasan dhe, më 1921, filloi punë në Shkollën Teknike «Harry Fultz» në Tiranë. Në verën e vitit 1931, mbajti dy Konferenca të rëndësishme për problemin shqiptar në Institutin e Studimeve në Gjenevë. Pas shtetëzimit të shkollave të huaja dhe private (1933), filloi punë në Institutin Shqiptaro-Amerikan të Kavajës, të quajtur simbolikisht katundi «Përparimi». Pa kaluar shumë kohë, u emërua nëndrejtor i tij. Me largimin e amerikanëve më 1939, u zgjodh drejtor i Institutit. Pas pushtimit italian, u transferua, fillimisht si rektor i konviktit të Gjimnazit të Tiranës, dhe më vonë si drejtor i Shkollës së Punës në Elbasan. Me mbarimin e luftës, si shumë intelektualë të tjerë të përmasave të tij, u burgos, dhe pa kurrfarë procedure juridike e me dëshmitarë të rremë, u dënua me shtatë vjet heqje lirie. Pas lirimit nga burgu, deri në vitin 1958, u dërgua në internim. Vdiq në moshën 87-vjeçare. Sot emrin e tij dhe të të vëllait, Mahmud Cungut, e mban Shkolla e Mesme Profesionale e Gjuhëve të Huaja në qytetin e Elbasanit. Përkthime: Gavril Dara, «The Last Lay of Bala» (Tiranë, 1967); Naim Frashëri, «Frasheri’s Song of Albania» (përkthyer bashkë me të vëllanë, Mahmud Cungun, New York, 1981); Naim Frashëri «Skanderbeg’s Return and Other Poems» (Tiranë, 1970); Migjeni, «Selected Albanian songs and sketches» (Tiranë, 1962); Ismail Kadare, «The Wedding» (Tiranë, 1968) etj. Iljaz Gogaj, Ali Cungu, personalitet i shquar i arsimit dhe kulturës, në «Perla», Tiranë, 2007, nr. 2, fq. 46-56; Robert Elsie, Albanian Literature In The English-Speaking World, në «Translation Review », nr. Seventy-six, 2008, f. 2; H. Gonxhja, I. Gogaj, Sh. Bumçi, Ndihmesa e ish nxënësve dhe mësuesve të Shkollës Teknike të Tiranës…, Tiranë, 2006, vii. 2, f. 252.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI I
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit