DANI Riza
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Veprimtar i lëvizjes kombëtare, deputet e prefekt. Lindi në Shkodër, në vitin 1887. Studimet e larta i kreu në Stamboll. Qe shumë aktiv për ngritjen e flamurit më 1913 në Shkodër. Dha një ndihmesë të fuqishme në komitetin për «Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës», duke bashkëpunuar me Hasan Prishtinën e Hoxhë Kadrinë. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit (25-27 dhjetor 1918). U zgjodh deputet i parlamentit të parë shqiptar, dhe bëri pjesë në grupin e 12 deputetëve shkodranë. Në kohën e Qeverisë së Nolit u caktua Kryetar i Prefekturës së Durrësit. Pas rikthimit në pushtet të Ahmet Zogut, u arratis në Itali e në Zarë të ish-Jugosllavisë. Më 1939 u kthye në atdhe, dhe më 1940 u zgjodh Kryetar i Këshillit të Shtetit. U lidh me Lëvizjen Nacional Çlirimtare: në vitin 1943 u zgjodh Kryetar i Këshillit NÇl të Qarkut të Shkodrës dhe në fillim të 1945-s Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Shkodrës. Në votimet e 2 dhjetorit 1945 u zgjodh deputet në Asamblenë Kushtetuese. Në parlamentin e ri ishte një nga drejtuesit e opozitës. Me 12 janar 1946, kur po mbahej mbledhja e katërt e kësaj Asambleje, që si pikë të dytë të rendit të ditës kish zgjedhjen e Presidiumit të Asamblesë, Riza Dani e kundërshtoi listën e propozuar në emër të pesë deputetëve të Beratit nga Kahreman Ylli. Mbas shumë debatesh fitoi të drejtën për të paraqitur edhe ai një listë të re, ku përfshiu Ibrahim Karbunarën [shih], Aleksandër Xhuvanin, Kolë Kuqalin [shih] etj., por jo Enver Hoxhën. Më 21 janar 1946, kur po diskutohej projektrregullorja e Asamblesë, Riza Dani replikoi me guxim me Koçi Xoxen [shih] dhe Enver Hoxhën. Ai kërkoi që procesverbalet e plota të botoheshin në Gazetën Zyrtare. Për këtë arsye Dani u vu në qendër të kritikave dhe të goditjeve. Më 23 dhjetor 1946, atij dhe tre të tjerëve, iu hoq mandati i deputetit. Më 14 maj 1947, mbërriti vendimi i Byrosë Politike, firmosur nga Enver Hoxha, Nako Spiru, Hysni Kapoja dhe Shefqet Peçi, ku urdhërohej arrestimi i dhjetë deputetëve dhe dënimi i tyre me vdekje. Akuzave të tjera, iu shtua edhe ajo e organizatorit të Lëvizjes së Postribës. Dhe më 22 janar 1948, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake e dënoi me vdekje. Në hetuesi dhe në gjyq mbajti qendrim të pathyer dhe nuk pranoi asnjë nga akuzat, ndonëse u torturua çnjerëzisht. U ekzekutua më 7 shkurt të po atij viti. F. Veliu, Riza Dani para parlamentit të parë: mos e votoni statutin e Enverit: historia e opozitës së parë në ‘46 ndaj Hoxhës, në gazetën “Panorama”, nr. 1150, 5 dhjetor 2005, f. 18-19; Dr. Pjetër Pepa, Dosja e Diktaturës, Tiranë, 1995; H. Bushati, Shkodra dhe motet, I, II, “Idromeno”, Shkodër, 1998-’99; Bedri Blloshmi, Revolta e Qaf-Barit dhe terrori komunist 1943-1990, “Geer”, Tiranë, 2012, f. 408; F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 763.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]