DEDAJ Pjetër Shan
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Martir, djali i Shan Dedës, bashkëshorti i Marie Dedës [shih]. Lindi në Shkodër, më 1883. Organizoi abstenimin në Shkodër në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Anëtar i Komitetit të Shkodrës dhe një nga veprimtarët kryesorë të Lëvizjes së Postribës. Shtëpia e tij ishte bazë e Komitetit të Qarkut ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga gjithë krahinat e Shkodrës. Është takuar me Riza Danin, Riza Gjyrezin e Cin Serreqin, me të cilët do vendosej që Kryengritja të niste më 16 shtator në kohën e zhvillimit të Konferencës së Paqes në Paris, për t’i treguar botës se Shqipëria s’e donte regjimin komunist. U ngarkua nga organizata të përhapte idetë kundër regjimit në zonën e Gurit të Zi, Juban e Reç. Kështu mbasi provoi për një muaj, torturat në hetuesi më 1946, së bashku me Marien, nis aktivitetin në rrethinat e Gurit të Zi për organizimin e Kryengritjes që do të shpërthente para kohe në Postribë. Pas Kryengritjes, largohet në fshatin Sheldi bashkë me të shoqen dhe Gaspër Zefin. Për tre muaj u rezistuan forcave të Sigurimit të Shtetit në zonën e Rragamit. Natën e 5 dhjetorit rrethohen në kodrat e fshatit nga forcat ushtarake të Qarkut Shkodër. Thirrjes për t’u dorëzuar i përgjigjet me zjarr. Plagoset në përpjekje e sipër, ndërsa i vrasin gruan. Vdiq të nesërmen në Shkodër më 6 dhjetor 1946. Në shkresën e dt. 6 dhjetor 1946 të Komandantit të Qarkut MP, Major Mihallaq Ziçishti dërguar Komandës së Divizjonit të Mbrojtjes së Popullit [Sigurimi], Tiranë njoftohet se: “në ora 5 të natës së sotme forcat e këtij qarku rrethuan dhe kapën kriminelët e arratisur Pjetër Deda dhe Gaspër Zefi, të dy nga Shkodra, në kodrat e katundit Rragam.” Arkivi i MB, Fondi DMP, v. 1946 D. 62, raporte të Mihallaq Ziçishtit, cit. sipas Uran Butka: Kryengritjet e para kundërkomuniste, ISKK, Tiranë 2013, f. 198-200; 293; At Zef Pllumi: Rrno për me tregue, v. 1, Hylli i dritës, Tiranë 1995, f. 34; F. 1, Viti 2013, D. 5, f. 723

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]