Dështimi i misionit të Komisionit të reformave

Dështimi i misionit të Komisionit të reformave

Gjendja e vështirë e krijuar në Shqipëri i shtyu autoritetet xhonturke të dërgonin në Shqipëri një komision qeveritar të kryesuar nga ministri i Brendshëm Haxhi Adil beu. Me pretekstin se do të hetonte në vend nevojat e administratës dhe të popullsisë, kinse për të përgatitur reforma administrative, Komisioni u përpoq të forconte pushtetin e tronditur të xhonturqve, posaçërisht aparatin administrativ, ushtarak e gjyqësor. Por detyra e tij kryesore ishte t’i largonte shqiptarët nga lëvizja kryengritëse. Jo rastësisht ai e filloi veprimtarinë e tij në vilajetin e Kosovës e më pas në atë të Shkodrës, të cilat kishin qenë vatrat e kryengritjeve të mëdha kundërosmane.
Shqiptarët, duke njohur qëllimet e vërteta të Komisionit, i bënë atij kudo një pritje të ftohtë, madje edhe armiqësore. Në Prishtinë ai u bojkotua nga banorët e qytetit dhe të rrethinave.
Komisioni vizitoi qytetet kryesore të Shqipërisë i shoqëruar nga forca ushtarake. Ai u prit me pushkë në Kosovë, ku u detyrua të çante rrugën me anën e artilerisë. Më 7 mars, kur ministri turk po kalonte nga Peja në Gjakovë, i shoqëruar nga dy batalione, u sulmua nga forcat kryengritëse të komanduara nga Mahmut Zajmi në rrugën Pejë-Gjakovë, në afërsi të fshatit Strellc. Këtu u zhvilluan luftime të ashpra që zgjatën disa orë. Komisioni mundi të hynte në Gjakovë vetëm pasi siguroi besën e bajraktarëve të atjeshëm, ndërsa eskorta që e shoqëronte ndeshi përsëri në pritën e shqiptarëve, në rrugën e kthimit për në Pejë, afër fshatit Strellc ku, sipas burimeve konsullore austro-hungareze, la 30 të vrarë dhe 50 të plagosur.

Edhe forcat që u dërguan në drejtim të Prizrenit për t’i hapur rrugën Komisionit u sulmuan nga kryengritësit më 11 mars midis fshatrave Racë e Moglicë. Pas tri ditë luftimesh ushtritë turke i sprapsën kryengritësit vetëm pasi përdorën forcat e artilerisë. Një sulm tjetër po aq i fuqishëm u ndërmor nga forcat kryengritëse, të komanduara nga Ramadan Zaskoci, kundër Komisionit dhe trupave që e shoqëronin në bregun e djathtë të Drinit, gjatë udhëtimit të tyre nga Prizreni në Shkodër.

Përpjekjet më të ashpra gjatë kohës që ministri i Brendshëm qëndroi në Kosovë u bënë në Krumë të Hasit. Më 21 mars 1912, 800 ushtarë dhe 60 xhandarë të pajisur me topa u drejtuan kundër 200 kryengritësve, të prirë nga Mahmut Zajmi, që kishin mbështetjen e popullsisë së Gjakovës dhe të rrethinave të saj. Sipas udhëzimeve të autoriteteve xhonturke, shkoi në Has pranë kryengritësve katolikë, fandë e mirditas imzot Ndre Mjeda për t’i bindur që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Por ata i thanë se të gjithë shqiptarët ishin vëllezër, myslimanë e të krishterë, prandaj nuk do të veçoheshin si katolikë, por të gjithë së bashku, pa dallim feje, do të kërkonin zbatimin e 12 pikave që iu dhanë malësorëve disa muaj më parë, si dhe shpalljen e një faljeje të përgjithshme.

Në fillim të prillit kryengritësit e Pejës i dërguan një ultimatum qeverisë, në të cilin kërkonin si masa më të para hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri me shkronjat kombëtare, caktimin e nëpunësve shqiptarë dhe kryerjen e shërbimit ushtarak brenda kufijve të Shqipërisë. Këto kërkesa nuk përfshinin ende idenë e një autonomie të plotë të Shqipërisë. Megjithatë, kryengritësit e Kosovës, siç shkruante shtypi, duke u bërë jehonë ngjarjeve në këtë trevë, ishin të gatshëm të paraqisnin kërkesa më të përparuara politike, të kërkonin “autonomi të plotë ose vetëqeverisje”.
Sulmet e forcave kryengritëse kundër ushtrisë osmane, vazhduan edhe gjatë udhëtimit të ministrit të Brendshëm, Haxhi Adil beu, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, deri në Manastir e në Janinë.
Kudo që shkoi komisioni i reformave, i kryesuar nga Haxhi Adil beu, ndërhyri në fushatën elektorale për të përkrahur kandidatët e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Për këtë Adil Beu përdori gjithfarë formash, duke filluar nga ndërrimi arbitrar i vendvotimeve, rryshfetet, kërcënimet e shantazhet e ndryshme, burgosjen e ithtarëve të opozitës dhe deri te mjetet e dhunës e forca e armëve. Vetëm në këtë mënyrë xhonturqit arritën të siguronin shumicën absolute në parlament.

Të gjitha masat që ndërmori Komisioni, si shtimi i xhandarmërisë, ngritja e burgjeve, forcimi i aparatit burokratik-administrativ osman, hapja e rrugëve të reja për lehtësimin e lëvizshmërisë së forcave ushtarake osmane, në vend që ta qetësonin gjendjen, i ashpërsuan më tej kontradiktat ndërmjet popullit shqiptar dhe sundimtarëve osmanë. Prandaj Luigj Gurakuqi i quajti këto reforma “shtypje dhe shtrëngime të reja që ndezën një zjarr të ri”. Pra, misioni i Haxhi Adil beut nuk bëri gjë tjetër veçse përshpejtoi shpërthimin në mbarë Shqipërinë të kryengritjes së përgjithshme, që ishte duke u përgatitur prej kohësh.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]