Epilepsia
(Term neurologjik – Mjekësia)
Një sulm epileptik vjen si pasojë e shkarkimit elektrik sinkron të përkohshëm të neuroneve në tru. Prezentohet me shumë pengesa motorike, somatosensorike, autonomike dhe/ose te sjelljes që vijnë papritmas dhe mund të zgjasin për disa sekonda ose disa minuta. Në raste të rralla këto sulme mund të zgjasin më shumë se 20 minuta dhe të vazhdojnë me orë të tëra pa ndërprerje dhe atherë kemi të bëjmë me status epilepticus. Procesi epileptik mund të afektojë një fushë të caktuar në tru dhe quhet sulm fokal ose parcial apo mund të prek të dy hemisferat njëkohësisht duke shkaktuar sulme të gjeneralizuara. Diku rreth 0.5% e popullatës vuajnë nga sulmet epileptike. Fëmijët e prindërve me epilepsi idiopatike kanë një tendencë prej 4% që ta zhvillojnë atë. Sulmet epileptike mund të vijnë si pasojë e lezioneve strukturale në tru (të ashtuquajturat „epileptic foci“: cikatriks, tumor, malformacion kongjenital, etj.), nga çrregullimet metabolike (p.sh.: hipoglikemia) ose nga ndikimet toksike (p.sh. alkooli). Të gjitha këto janë forma të epilepsisë simptomatike, ndërsa epilepsitë idiopatike shfaqen në bazë të një predispozite gjenetike, në mungesë të një lezioni struktural. Epilepsitë kriptogjenike mendohet se janë me origjinë simptomatike, edhe pse shkaktari ende nuk është gjetur. Teknikat molekulare gjenetike kanë bërë të mundur që të shpjegohen disa forma të epilepsive fokale duke zbuluar abnormalitete në lokuse specifike në gjene. Sulmet epileptike shkaktohen si pasojë e disfunksionit të neuroneve në tru, të cilat në EEG paraqiten si abnormalitete të fluktacionit të potencialit elektrik. Arsyeja për këtë është një disbalans në mes potencialeve ekscitatore dhe inhibitore, me predominancë të neurotransmiterëve ekscitatorë (glutamat dhe aspartat) ose aktivitet të ulur të neurotransmiterëve inhibitor (GABA). Shkarkimet sinkrone të neuroneve në një fushë të caktuar në tru shoqërohen nga një rritje lokale e qarkullimit të gjakut. Karakteristikat kryesore të çrregullimeve epileptike janë:
● sulmet epileptike janë ngjarje që vijnë papritmas, me frekuencë variabile (nga disa sulme në ditë deri në disa sulme në vit),
● shpesh paraqiten me fenomene motorike si: dridhje klonike, repetetive ose ndryshime në tonusin muskular, dhe nganjëherë me manifestime somatosensorike, sensorike speciale dhe/ose automatike,
● varësisht nga lloji, mund të ketë çrregullim ose humbje të vetëdijës,
● sulmet mund të jenë të paraprira nga simptomet premotorike (aura, ngrohje ascendente ose ndjenjë e jorealitetit),
● në disa pacientë sulmet ndodhin si përgjigje ndaj disa faktorëve provokativ si: deprivimi nga gjumi, rehabilitimi nga alkooli, medikamentet, hipoventilimi, temperatura.
Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia