Epoka e Skënderbeut në veprat e Marin Barletit dhe të autorëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës

Epoka e Skënderbeut në veprat e Marin Barletit dhe të autorëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës

Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, epopeja e shqiptarëve nën udhëheqjen e tij dhe e gjithë periudha e luftës së tyre kundër vendosjes së pushtimit osman, ndikuan fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, në rritjen dhe në konsolidimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Epopeja shqiptare e shek. XV frymëzoi intelektualë të shquar shqiptarë që ta përjetësonin atë në vepra historike monumentale e nga më të shquarat e kohës dhe që patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare, me të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Themeluesi i saj u bë Marin Barleci, historian humanist i shquar i përmasave ndërkombëtare.
Për jetën e Marin Barlecit dihet pak. Ai lindi rreth fundit të viteve 50 të shek. XV ndoshta në Shkodër, qytet ky me tradita arsimore për formimin e shkollimin e klerikëve të besimit katolik. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë lindur në Medun (në verilindje të Podgoricës), meqenëse në burimet historike bashkëkohëse është gjetur një banor i tij me emrin familjar Barleci, mbiemër ky që deri më tani nuk është hasur te ndonjë person i tretë.
M. Barleci i përjetoi ngjarjet dramatike të Shkodrës të viteve 70 të shek. XV, qytet ky ku ai padyshim ka jetuar për vite e vite të tëra, ndaj në veprat e tij shpesh e cilëson veten shkodran. Gjatë rrethimit të parë të saj prej turqve, në vitin 1474, ai ka shkruar se ka qenë i ri dhe se ende nuk kishte arritur moshën për të rrëmbyer armët, kurse në vitin 1478, gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës, M. Barleci rrëfen se ishte rreshtuar përkrah luftëtarëve që luftuan për mbrojtjen e qytetit të tyre.

Me rënien e Shkodrës në duart e osmanëve, si shumë bashkëqytetarë, M. Barleci mori rrugët e mërgimit dhe u vendos në Itali. Këtu ai plotësoi shkollimin e vet, u bë njohës i thellë i letërsisë antike e i gjuhës latine dhe u shfaq si një intelektual humanist nga më të shquarit evropianë të kohës. Që në fund të shek. XV, M. Barleci ishte figurë e njohur në jetën kishtare të Padovës. Në një dokument të muajit janar të vitit 1497 ai përmendet si rektor i kishës parokiale të Shën Stefanit në fshatin Plovenar të dioqezës së Padovës dhe si abat në kishën Shën Justina të Padovës. Për vitin e vdekjes së M. Barlecit mungojnë njoftimet. Nëpërmjet të dhënave të tërthorta është arritur në përfundimin se ai ka vdekur më 1512.

Vepra e parë e Marin Barlecit është “Rrethimi i Shkodrës” (De obsidione Scodrensi), e botuar latinisht në Venedik më 10 janar 1504, sipas kalendarit vendas, datë që i përket vitit 1505. I mbështetur në shënimet e në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, libri i kushtohet jetës politike e ushtarake gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës më 1478.

Ngjarjet dramatike të Shkodrës gjatë viteve 70 kishin nxitur edhe pena të tjera të shquara që t’i pasqyronin ato. Humanisti i njohur Gjergj Merula botoi më 1474 një rrëfim prej 24 faqesh mbi zhvillimet politike dhe ushtarake në Shkodër gjatë rrethimit të parë. Kjo ngjarje si dhe rrethimi i dytë i Shkodrës, vendosja e shkodranëve në Venedik, episode nga jeta politike e këtij qyteti gjatë shekujve të mesjetës dhe lidhjet e shkodranëve me Venedikun kanë zënë vend në panegjerikun e humanistit shkodran Marin Beçikemi, të botuar më 1503 (ose më 1504) dhe që i drejtohej dukës Loredan Loredanit dhe Senatit të Republikës së Shën Markut. Edhe pse bashkëkohësi dhe bashkëqytetari i të njëjtit fat me M. Barlecin, M. Beçikemi, po ashtu si Gj. Merula, ishin humanistë me emër për kohën; veprat e tyre për ngjarjet e Shkodrës gjatë viteve 70 të shek. XV mbetën të harruara.

Këtyre ngjarjeve u bëri jehonë të gjerë nëpër Evropë vepra e Marin Barlecit “Rrethimi i Shkodrës”. Deri në mesin e shek. XVII ajo njohu 17 botime në gjuhë të ndryshme, si latinisht (5), italisht (7), frëngjisht (4) dhe polonisht (1), shumica e të cilave janë botime në vëllime të përbashkëta me vepra të tjera.
Megjithëkëtë vepra që e ngriti figurën e M. Barlecit në piedestalin e pavdekësisë është pa dyshim “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” (Historia de vita et gestis Scanderbegi), e botuar në Romë gjatë viteve 1508-1510. Deri në mesin e shek. XVIII kjo vepër njohu jo më pak se 21 botime, në disa gjuhë të Evropës, si latinisht (4), gjermanisht (4), italisht (4), katalonisht (2), portugalisht (1), polonisht (1), si dhe, nëpërmjet një përkthimi të lirë dhe adoptimi të Lavardenit, frëngjisht (4) dhe anglisht (1).

Vepra e fundit e M. Barlecit “Shkurtesë e jetës së papëve dhe të perandorëve” (Compendium vitarum pontificum et imperatorum), botuar në Romë më 1555, nuk pati ndonjë jehonë. Autorësia e tij mbi këtë vepër është e dyshimtë. Vetëm pjesa deri më 1512 e kësaj vepre i është atribuar M. Barlecit, kurse vazhdimi i saj është hartuar nga Andre Engjëlli. Ky duhet të jetë autori i vërtetë i veprës. Është pikërisht kufiri kohor ndërmjet dy pjesëve të veprës që na lejon të caktojmë 1512 si vit të vdekjes së M. Barlecit, themeluesit të historiografisë shqiptare.

Veprat e M. Barlecit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut” dhe “Rrethimi i Shkodrës”, me botimet e shumta në gjuhë të ndryshme të Evropës, dëshmojnë për nivelin e lartë me të cilin e nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Veprat e M. Barlecit ishin fryt i një pune të gjatë shumëvjeçare. Ato kanë vlera sa historike aq edhe letrare dhe janë shkruar me një stil të shkëlqyer prej humanisti. Për hartimin e tyre ai u mbështet në shënimet e në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve dhe të dëshmitarëve të tjerë në ngjarjet që rrëfen. Ky material autentik shumë i pasur u ka dhënë veprave të M. Barlecit vlerën e burimeve historike të dorës së parë e të pazëvendësueshme. Dëshmitë që M. Barleci mblodhi nga burimet e shumta, si një historian i mirëfilltë, i shoshiti dhe i plotësoi me literaturën, që ai gjeti, për t’i lidhur dhe shpjeguar ngjarjet. Megjithëkëtë veprat e M. Barlecit kanë një varg dobësish, që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet e sajuara që u vihen në gojë heronjve, imitimi i historianëve antikë, si p.sh. i Tit Livit etj. Por vlerat e veprave të tij, si burime historike, janë shumë më të mëdha se dobësitë e tyre. Këtë e dëshmojnë dokumentet e shek. XV, si dhe jetëshkrimi më i hershëm për Skënderbeun, i shkruar gjatë viteve 1481-1482 prej peshkopit të Ulqinit, Martin Segonit nga Novobërda. Jetëshkrimi “Tregim për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën turke Skënderbe, d.m.th. Aleksandri i Madh” (Narrazione di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scanderbeg, cioè Alessandro Magno) është hartuar nga M. Segoni në disa faqe dhe është shfrytëzuar si dorëshkrim nga disa autorë të vjetër, bashkëkohës me autorin apo më të vonë. Ai u botua për herë të parë më 1981 nga studiuesi italian Agostin Pertusi.
Atdhedashuria e thellë, ndjenja e detyrës për të përjetësuar epopenë shqiptare të shek. XV dhe figurën legjendare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, e për t’i përdorur ato si shembull e burim frymëzimi në luftën për liri, ishin arsyet që e shtynë M. Barlecin t`i përkushtohej hartimit të veprave mbi historinë kombëtare.

Ngjarjet politike e ushtarake të Shqipërisë së shek. XV, jetën e veprimtarinë e Skënderbeut, rrethimet e Shkodrës etj., M. Barleci i pasqyroi duke ndjekur parimin e zhvillimit kronologjik të tyre. Megjithëkëtë në veprat e tij nuk mungojnë edhe digresionet për të pasqyruar e treguar psikologjinë e botës shpirtërore të shqiptarëve, legjendat e folklorin e tyre, veprimtarinë ekonomike dhe rajonet kryesore të banuara prej shqiptarëve në Ballkan etj. etj. Edhe fjalimet e shumta që janë vënë në gojë të figurave historike, ndonëse nuk janë autentike, tërthorazi pasqyrojnë realitetin historik dhe mendësitë e shqiptarëve bashkëkohës të M. Barlecit.
Veprat e M. Barlecit u bënë drejtpërdrejt ose tërthorazi burimi më i rëndësishëm nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë së shek. XV. Ato vazhdojnë të jenë përmendore kushtuar luftës për liri të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Krahas vlerave të shumanshme burimore e letrare të veprave të veta, M. Barleci ka meritën e madhe që, bashkë me përshkrimin e portretit fizik e moral të Skënderbeut te “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, na ka dhënë edhe një gravurë me portretin e tij. Ky portret duhet të përmbajë tiparet karakteristike të fytyrës së Heroit, sepse Barleci këtë vepër ia kushtoi nipit të Skënderbeut, Ferrant Kastriotit, dhe e hartoi në bazë të kujtimeve të bashkëluftëtarëve që ende jetonin, në mendjen e të cilëve ishin të ngulitura mirë tiparet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pranë portretit të Skënderbeut, në këtë vepër M. Barleci ka dhënë në një gravurë të vogël edhe portretin e vet.

Epopeja shqiptare e shek. XV u përjetësua edhe në vepra historike të tjera prej bashkëkohësve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Njëra ndër to është vepra e Dhimitër Frëngut (1443-1525): “Komentar për punët e turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbe, princ i Epirit” (Commentario de le cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe di Epyrro).

Dhimitër Frëngu lindi në qytetin e Drishtit dhe ishte kushëri i parë me familjen e njohur fisnike Engjëlli të këtij qyteti. Ai u rrit gjatë epopesë legjendare të Skënderbeut dhe u shkollua si klerik. Dh. Frëngu u lidh ngushtë me Heroin Shqiptar, e shoqëroi atë gjatë viteve 1466-1467 në udhëtimin që bëri në Romë e në Napoli. Me pushtimin e Drishtit prej osmanëve më 1478, Dh. Frëngu emigroi dhe u strehua në Itali. Ai u vendos në rajonin e Venedikut dhe për një periudhë të gjatë shërbeu si famulltar i nderuar në fshatin Brainë, pranë qytetit Trevizo, deri më 1513, kur për arsye të moshës së shtyrë ia liroi detyrën të nipit të tij, Pal Pjetër Engjëlli. Dh. Frëngu vdiq më 1523, në moshën 82 vjeç.

Veprën për jetën e Skënderbeut Dh. Frëngu e shkroi latinisht dhe në frymën e ideve humaniste të kohës. Kjo ishte një përmbledhje, me disa ndryshime të vogla e “Historisë së Skënderbeut” të M. Barlecit, gjë që dëshmon se vepra e themeluesit të hsitoriografisë shqiptare kishte pasqyruar drejt një realitet historik të njohur e të pranuar edhe nga bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut, siç kishte qenë Dh. Frëngu. Pas vdekjes së këtij, veprën e përktheu italisht i nipi i autorit, Pal P. Engjëlli, dhe ajo u botua anonime për herë të parë më 1539 në Venedik. Interesimi i veçantë, që u tregua për subjektin e kësaj vepre, bëri që ajo të njihte shumë ribotime. Deri më 1679 pati 18 botime italisht, që u bënë në Venedik (me tre tituj të ndryshëm), dhe në mesin e shek. XVI u botua e përkthyer frëngjisht dhe anglisht. Një përkthim rumanisht, i bërë prej një të burgosuri rumun në Milano (1763) dhe që ruhet në dorëshkrim, dëshmon se vepra lexohej me interes edhe gjatë shek. XVIII.
Në krahasim me “Historinë e Skënderbeut” të M. Barlecit, vepra e Dh. Frëngut u përhap më shumë në Itali (sidomos në Venedik, ku u shtypën të gjitha botimet e saj italisht), sepse ishte shumë më e shkurtër, si “një libër xhepi”, botimi i të cilit kërkonte shpenzime të pakta, dhe se për të u interesuan pjesëtarë të familjes Engjëlli.

Familja Engjëlli ishte nga të paktët drishtanë që arritën t’u shpëtonin masakrave osmane dhe të vendoseshin në Itali pas pushtimit më 1478 të qytetit të tyre prej osmanëve. Ata jetonin në Venedik, ku kishin zënë një pozitë të dalluar në rrethet kishtare e intelektuale të këtij qyteti dhe ishin vënë në krye të urdhrit fetar të Shën Gjergjit, të lidhur me emrin e familjes së tyre. Ashtu si te shqiptarët e tjerë të emigruar, edhe te pinjollët e familjes Engjëlli u ruajt ndër breza vetëdija kombëtare, ndjenja e atdhedashurisë dhe dëshira për t’u kthyer në Shqipëri. Ishin këto motive që nxitën pjesëtarë të kësaj familjeje të interesoheshin gjatë shek. XVI e XVII për botimin e ribotimin e veprave kushtuar epopesë shqiptare të shek. XV, si dhe të veprave të tjera për të drejtën e trashëgimisë që mëtonin se kishte familja Engjëlli në Shqipëri. Me nxitjen e interesimin e pjesëtarëve të kësaj familjeje u botuan dhe u ribotuan në Venedik e në Romë vepra të tilla, si “Komentari” i Dh. Frëngut (1539), “Shkurtesa e jetës së papëve” e Marin Barlecit (1555), “Privilegjet perandorake për familjen Engjëlli” e Françesk Malvecos (Privilegi imperiali … a favore della Famiglia Angela, 1626) etj. si edhe “Historia e turqve” e historianit venecian Françesk Sansovinos, (Historia universale dell’origine et Imperio de Turchi, 1560), në të cilën u përfshinë dhe u ribotuan shumë herë gjatë shek. XVI e XVII “Komentari” i Dh. Frëngut dhe “Rrethimi i Shkodrës” i M. Barlecit,

Krahas përkujdesjes dhe interesimit për veprat e mësipërme, Engjëllorët botuan edhe vepra të hartuara prej tyre. Pal Pjetër Engjëlli, shumë vite më parë se ta përkthente italisht dhe ta botonte “Komentarin” e Dh. Frëngut, kishte botuar në Venedik më 1522 një broshurë latinisht të titulluar “Letër drejtuar saracenëve…” (Epistola Pavli Angeli ad Saracenos…), kurse i vëllai, Andrea Engjëlli, botoi në Romë më 1553 veprën “Gjenealogjia e perandorëve romanë dhe konstantinopolitë…” (Genealogia d’imperatori romani et constantinopolitani …), e cila me disa ndryshime u ribotua shumë herë gjatë shek. XVI e XVII prej tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes Engjëlli. Vepra i është kushtuar kryesisht gjenealogjisë së familjes Engjëlli (duke krijuar lidhje të pavërteta të saj me familjet perandorake romake e bizantine), si dhe të familjeve të tjera fisnike shqiptare. Në tërësi veprat e Engjëllorëve kanë vlera të pakta si burime historike për njohjen e shoqërisë shqiptare të shek. XV.

Gjon Muzaka ishte anëtar i njërës prej familjeve më të njohura aristokrate shqiptare. Ashtu si anëtarë të tjerë të familjes Muzaka, ai kishte marrë pjesë aktive përkrah Skënderbeut në luftën kundër pushtuesve osmanë. Pas pushtimit prej osmanëve të kështjellave të fundit shqiptare, si shumë bashkatdhetarë të tjerë, Gj. Muzaka emigroi në Itali dhe u vendos në Napoli. Dëshira për kthimin e familjes së tij në atdhe e nxitën Gj. Muzakën të hartonte më 1510 përkujtesën “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve” (Historia e Genealogia della casa Musachia) për t’u dhënë bijve të vet njoftime për historinë e familjes dhe për zotërimet që kishin në Shqipëri. E botuar për herë të parë më 1873, kjo përkujtesë, me të drejtë është cilësuar prej zbuluesit të saj, historianit gjerman Karl Hopf, si një “margaritar” për vlerën e veçantë që ka për njohjen e historisë mesjetare shqiptare. Në të gjenden njoftime të rëndësishme për veprimtarinë e aristokracisë shqiptare dhe për marrëdhëniet në gjirin e saj, për organizimin e administratës shtetërore të Shqipërisë gjatë shek. XV dhe formimin e shtetit të Skënderbeut, për toponiminë e shek. XV etj. Ajo dëshmon për njohuritë historike dhe nivelin kulturor relativisht të lartë që kishte pasur aristokracia laike shqiptare e shek. XV, pjesëtar i së cilës kishte qenë Gjon Muzaka.

Fryma atdhetare ka përshkuar tej e mbanë veprat historike të M. Barlecit, Dh. Frëngut dhe të autorëve të tjerë të hershëm shqiptarë. Këto vepra dëshmojnë që periudha e luftës kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe vetë figura e tij i pasuruan dukshëm traditat tona historike dhe u shndërruan në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ato mbetën gjithnjë të gjalla dhe gjatë shekujve që pasuan shërbyen si një burim i pashtershëm frymëzimi në luftën dhe përpjekjet e shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtarë.

 Historia shqiptare
 Mesjeta

 

[cite]