FISHTA At Antonin
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Prelat françeskan, historian, shkrimtar, muzikant, (Shkodër 1902 – 1978). Më 1957 u emërua Ipeshkëv i Pultit, duke pasuar At Bernardin Shllakun. Një nga bashkëpunëtorët më prodhimtarë të Hyllit të Dritës. Në vitet 1935-1937 ka botuar ese, studime, biografi e nekrologji të Filip Shirokës, Ndre Mjedjes dhe historianit Theoder Ippen. Fatosave të 1912-ës është nga poezitë më të njohura të tij. Botonte me pseudonimin “Shkndija”. Një nga meshtarët që në mbledhjen e përgjithshme të Klerit Katolik Shqiptar nën kryesinë e Imzot Bernardin Shllakut me dt. 26 qershor1951 firmosën Statusin e Kishës Katolike për Shqipërinë, më 26 qershor 1951. Në vitin 1974 është arrestuar bashkë me Imz. E. Çobën, për mbajtje ceremonish fetare në klandestinitet. Vuajtjen e dënimit e ka kaluar në kampet e punës së Tepelenës dhe Ballshit ku vdiq në vitin 1978. 19 korrik 1992: me meshën Pontifikale, celebruar nga Nunci Apostolik Imzot Ivan Dias, Kisha Katedrale e Shën Shtjefnit përkujtoi ndër prelatët e munguar, martirë dhe të burgosur, Imzot Antonin Fishtën. Vepra: Ma i pari frat në Shqypni, 1930; Skanderbegu e françeskajt, 1930; Emzot Luigj Çurçija 1931; Dr. Milan Sufflay ndër shkrime të veta, 1931; Njizetepesvjetori i Kongresit të Manastirit, 1933; Kuptimi shkolluer në Shqypni 1933; P. Françesk Rossi nder shkrime të veta 1937; Tribuni i Traboinit Dedë Gjo’ Luli, 1937. Etërit Gjon Fausti, Gjon Shllaku dhe Daniel Dajani gjatë procesit të gjyqit BKSH, 1989, Vol. X: F. 79; Lec Zadeja, BKSH, 1993: Vol. XIV, F. 179; Zef Simoni Ip. Dritat në errësinë, persekutimi i kishës në Shqipni, Shtypshkronja e Kishës Françeskane, Tiranë 1994, F. 20; Zef Simoni Ip. Kishë e ringjallun, Shkodër 2003; Gjush Sheldija: “Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës dhe Dioqezat Sufragane”. IX (shënime historike); Kryeipeshkvia Metropolitane e Shkodrës [faqja zyrtare] 17 shtator 2013.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]