Fjalor Matematikor

QINDËSHE
Numër që përbëhet nga njëqind njësi; njësia e rendit të tretë dhe shifra e tretë nga fundi në një numër. Veprimet deri në qindëshen e parë. Sa qindëshe ka numri 2600? I zbresim një qindëshe. Mbledh qindëshet.

QINDOR
Që ndahet në njëqind pjesë të njëjta; që mbështetet në numrin njëqind. Sistem qindor.

RACIONAL
Që mund të jepet në trajtën e një thyese me numra të plotë (për numrat); që nuk përmban një rrënjor (për shprehjet algjebrike). Numrat racionale. Shprehje racionale.

REAL
Numrat realë, numrat e zakonshëm të dalluar nga numrat imagjinarë.

RRAFSHOR
Që lidhet me rrafshet, që ka të bëjë me studimin e rrafsheve. Gjeometria rrafshore planimetria.

RRETHSHKRUAJ
Bëj një rreth rrotull një trekëndëshi, katërkëndëshi etj. duke prekur të gjitha kulmet. Rrethshkruaj një trekëndësh.

RRETHSHKRUAR
Që ka rrotull një rreth, i cili i prek të gjitha këndet nga jashtë (për figurat shumëkëndëshe). Trekëndësh (shumëkëndësh) i rrethshkruar.

RRËNJË
Numër a shprehje algjebrike, që, kur ngrihet në fuqi, jep madhësinë e dhënë më parë; numër që shërben si zgjidhje e një barazimi. Rrënjë katrore (kubike). Rrënjët aritmetike (algjebrike). Rrënja e një thyese. Shenja e rrënjës. Nxjerr (gjej) rrënjën katrore të një numri. Ngre në fuqi një rrënjë.

RRËNJOR
Shenjë në trajtë të shkronjës V me krahun e djathtë të zgjatur drejt, e cila vihet mbi një numër a shprehje algjebrike për të nxjerrë rrënjën në atë shkallë, që shënohet me një shifër në krahun e majtë të kësaj shenje; përfundimi që del nga nxjerrja e një rrënje.

RRITËS
Që është më e madhe se kufiza paraardhëse (në vargun e numrave);

RRJEDHIM
Pasojë e drejtpërdrejtë e një teoreme të vërtetuar më parë.

Si ta citojmë këtë artikull: Artikulli me titull "Fjalor Matematikor" është marrë nga Shqipopedia: https://wiki.shqipopedia.org/fjalor-matematikor