Fjalori i Mitologjise Shqiptare – Fjalor Mitologjik Shqiptar
BAJLOZ
Figurë mitologjike ilire në legjendat dhe
rapsoditë popullore shqiptare, që përfytyrohej si
një vigan, i cili vinte nga deti e bënte të këqija.
Lufta me bajlozin.
BOLLËSHARDE
Qenie nga mitologjia shqiptare që përfytyrohet në përrallat
popullore si një gjarpër i madh me shumë koka.
BRIQEN
Qenie nga mitologjia ilire, që del në përrallat popullore si
shtazë me një bri.
BRIVETMI
Qenie mitologjike, që del në përrallat popullore si
një shtazë me një bri në ballë dhe që shëmbëllen
me kalin.
BUBAZHEL
shih BUBË
BUBË
Qenie fantastike nga mitologjia shqiptare, që përfytyrohej
si përbindësh a si gjarpër i madh, me të cilin trembnin
zakonisht fëmijët e vegjël; gogol, vovë.
BUSH
Qenie e përfytyruar si kafshë, e cila, që, jetonte
nëpër këneta dhe ndillte shi duke ulëritur.
BUSHTËR
Qenie e mitologjise shqiptare përfytyruar si kuçedër, që
villte zjarr e rrufe.
CERBER
Kafshë mitologjike që përfytyrohej si një
qen i egër me tri kokë, i cili ruante hyrjen e botës
tjetër.
DEMON
Qenie mbinjerëzore me fuqi të fshehtë, që
besohej se kishte në dorë fatin e një njeriu, të një
familjeje, të një fisi etj.; qenie e mbinatyrshme që
mund t’i sillte njeriut të mira ose të këqija
DIV
Figurë e përrallave popullore, që
parafytyrohej si një përbindësh me trup
jashtëzakonisht të madh e me fuqi mbinjerëzore, i
cili ha shumë, rrëmben njerëz etj. dhe banon
zakonisht në shpella a nën tokë.
DJALL
Sipas besimeve mistike-fetare:
qenie e mbinatyrshme, e përfytyruar zakonisht si
një njeri me brirë, me thundra e me bisht;
mishërimi i së keqes dhe i ngasjes për punë të
liga; shpirti i keq, e keqja, e liga, dreqi, shejtani.
DJALLUSH
I vogli i djallit; djall i vogël
DJEPËSOR
Figurë e përrallave popullore, që
përfytyrohej si një fëmijë dragua, i cili dilte me
gjithë djep në luftë kundër kuçedrës ose
keqbërësve të tjerë.
DRAGUA
1. Figurë e përrallave popullore shqiptare, që
përfytyrohej si një njeri shumë i fuqishëm, i cili
luftonte me trimëri të rrallë me kuçedrën derisa e
vriste.
2. Kuçedër.
DREQ
shih DJALL
DUHAÇ
Qenie mitologjike, e përfytyruar si një
kuçedër me bisht të gjatë, që villte tym nga goja.
DHËMBËSUTË
Figurë e mitologjisë popullore, e përfytyruar si një
pelë e shurdhër, së cilës i hipte kushdo që donte
të shpëtonte nga rreziku.
DHËMBËZEZË
Shtrigë me dhëmbë të zezë
EZHDËRHA
Figurë e besimit popullor që përfytyrohej si
kuçedër; bollësharde.
FATI
Secila nga tri figurat e përrallave popullore, që
përfytyroheshin si gra, të cilat gjoja vinin te djepi i
fëmijës natën e tretë të lindjes dhe paracaktonin
fatin a të ardhmen e tij.
FATTHËNË
1. Vendi a faltorja ku në kohët e lashta
priftërinjtë parashikonin gjoja të ardhmen e
njerëzve duke shprehur, sipas tyre, edhe
mendimin e hyjnive.
2. Fatia.
FLAMË
Figurë e mitologjisë popullore, që quhej shkaktare
për sëmundjen e tokës dhe për sëmundje të tjera
të rënda.
FLOÇKË
Figurë e besimeve popullore shqiptare, që
përfytyrohej si një vajzë e bukur me flokë të gjatë,
e cila rrinte në liqene e në lumenj dhe dilte
nganjëherë në breg për t’u krehur; gërshetëz.
FLOKËZ
Floçkë.
GANEC
Figurë e përrallave popullore, që
përfytyrohej si një burrë shumë i dobët, i cili u
tregon udhën shtrigave dhe i ndihmon; shtrigan.
GËRSHETË
Gërshetëz.
GËRSHETËZ
Figurë e besimeve popullore shqiptare, që
përfytyrohej si një vajzë e bukur e me flokë të
gjatë, e cila rrinte në lumenj e liqene dhe dilte
nganjëherë në breg për t’u krehur; floçkë, nuse e
ujërave.
GRABOFÇ
Qenie mitologjike, që përfytyrohej si një gjarpër i
madh e i trashë me dy koka. Qan me lot grabofçi
përpiqet të mashtrojë e të mallëngjejë të tjerët,
duke u shtirë sikur gjoja i dhimbset diçka, sikur
gjoja është i dëshpëruar e vuan; qan me lot
krokodili.
GRIFË
Kafshë e madhe që përfytyrohej si
përbindësh me krahë, me trup luani dhe me kokë
shqiponje (në mitologjinë antike).
GJIGANT
Qenie mitologjike me shtat jashtëzakonisht
të madh e me fuqi të mbinatyrshme, vigan.
GJYSMËKALË
Qenie mitologjike, që përfytyrohej me kokë njeriu
dhe me trup kali.
GJYSMËNJERI
Qenie mitologjike, e përfytyruar me kokë
njeriu dhe me trup kafshe.
GJYSMËPERËNDI
Qenie e mitologjisë së lashtë, që përfytyrohej
sikur vinte nga një perëndi dhe sikur bënte mbi
tokë vepra të jashtëzakonshme.
GJYSMËPESHK
Qenie mitologjike, e përfytyruar me kokë njeriu e
me trup peshku.
HAJNJERI
Njeri që besohej se ishte me trup të madh e me
një sy dhe hante njerëz, ciklop.
HIDËR
Përbindësh ose gjarpër i madh me shumë
koka, të cilat, sipas mitologjisë, rriteshin përsëri
po t’i prisje.
JASHTËSME
Qenie mitologjike, të cilat, sipas besimeve
popullore shqiptare, rrinin nëpër pyje e male,
rrëmbenin djem e vajza dhe luanin valle së
bashku pa pushim derisa të rinjtë të treteshin e të
vdisnin, nuset e malit.
JUD
Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohej si lugat,
i cili dilte natën dhe përleshej me njerëzit, sidomos
me pijanecët.
KARKANXHOLL
Figurë mitologjike, që përfytyrohej si njeri i vogël,
shkurtabiq, i veshur me këmishë prej hekuri dhe
që ishte i zoti të bënte çudira.
KATALLAN
Figurë e përrallave popullore, që
përfytyrohej si një njeri i egër, me shtat vigan e
me një sy në ballë, i cili hante njerëz; ciklop.
KATRAVESH
Personazh i përrallave popullore, që
përfytyrohej si një bishë shumë e egër dhe e
tmerrshme, e ngjashme me kuçedrën.
KSHETËZ
shih GËRSHETËZA
KUÇEDËR
Figurë e përrallave popullore, që përfytyrohej si një gjarpër
shumë i madh, me shtatë deri dymbëdhjetë kokë,
i cili hante njerëz dhe bënte dëme e të këqija.
KUKUDH
Figurë e mitologjisë shqiptare që përfytyrohej si një burrë i
shkurtër e me bisht, i cili dilte natën nga varri dhe
shëtiste rreth e rrotull; lugat.
KUKUVRIQ
Kukudh, lugat.
LANET
Djalli, shejtani, dreqi.
LAURË
Figurë e mitologjisë popullore shqiptare, e cila,
përfytyrohej si një grua e shëmtuar dhe e keqe, që jetonte
ndër lumenj e pellgje e mund të shndërrohej në një kafshë të
vogël dhe dilte brigjeve duke bërtitur me zë të çjerrë.
LUGAT
Figurë e besimeve të kota, që përfytyrohej
si njeri, i cili në gjallje të tij ishte shumë i keq dhe
pas vdekjes ngrihej natën nga varri, endej
rrugëve e nëpër shtëpi dhe trembte njerëzit.
LLAMJE
Figurë e besimeve popullore, që përfytyrohej si
një gjarpër shumë i madh, i ngjashëm me
kuçedrën, i cili, sipas këtyre besimeve, jetonte në
kroje e në puse, pinte ujërat e hante edhe njerëz.
MAKTH
Figurë e përrallave popullore, që
përfytyrohet si njeri, i cili gjoja vjen natën e të zë
frymën, por, po ta kapësh, mund të të japë çdo
gjë që i kërkon në atë çast; të rëndët e dheut.
MAUTHI
Figurë e përrallave popullore shqiptare, që
përfytyrohej si një vajzë e bukur, e veshur në ar
dhe që mbante një kësulë të stolisur me gurë të
çmuar.
MELAQE
Orët; zanat.
MIRË
Figurë e mitologjisë popullore, e ngjashme
me zanën, orën etj.; secila nga të tri gratë që,
sipas mitologjisë popullore, i presin fatin një
foshnjeje pranë djepit të saj natën e tretë pas
lindjes ose që u ndihmojnë njerëzve kur këta
ndodhen ngushtë; fati i mirë, fati.
NEKTAR Pije e posaçme, të cilën, sipas mitologjisë
së lashtë, e përdornin perënditë.
NJËBRIRËSH
Kafshë me një bri.
ORË
Figurë e besimeve popullore shqiptare, e
cila përfytyrohej si një grua, si një gjarpër etj.,
besohej se jetonte në male, në pyje, në fusha, në
kroje ose pranë njerëzve, u ndihmonte a u sillte
fat të mirëve dhe ndëshkonte të këqijtë.
ORËBARDHË
Ora e bardhë.
PERRI
1. Figurë e besimeve popullore që
përfytyrohej si një vajzë shumë e bukur; hyri.
2. Xhind.
PËLHURË
Figurë e përrallave popullore shqiptare, që
përfytyrohet si një qenie e gjatë dhe e bardhë, e
cila u del përpara njerëzve natën dhe u pret
udhën.
PËRBINDËSH
Qenie përrallore që përfytyrohej me trup jashtëzakonisht
të madh e me pamje të shëmtuar dhe që u kallte njerëzve
tmerrin.
PINGËRON
Lëshon zana një zë karakteristik si
cicërima e zogjve, sokëllin zana, sidomos në
pragun e një ngjarjeje me rëndësi.
PLAKË
Tri ditë të ftohta në fund të marsit a në fillim të prillit,
që lidhen me një përfytyrim popullor për një plakë, e
cila, duke kujtuar se kishte ikur dimri, shau marsin
dhe për këtë ai e ngriu në vend; shkundadimër.
PREVË
Vitore.
QIPULL
Figurë e besimeve popullore që përfytyrohej si
xhind.
SIRENË
Figurë mitologjike që përfytyrohej nga
grekët e lashtë si qenie me pjesën e sipërme të
trupit si grua ose si zog e me bisht si peshk, e cila
rrinte mbi shkëmbinjtë e detit dhe me këngën e
saj joshte anijetarët aq sa i bënte të mbyteshin.
SPRIJË
Qenie fantastike e mitologjisë popullore,
që përfytyrohej si një përbindësh i pangopur, i
ngjashëm me kuçedrën.
STIHI
Figurë e përrallave popullore, e cila
përfytyrohet zakonisht si një qenie me krahë, që
nxjerr flakë nga goja ose si një gjarpër që ruan
thesaret e fshehura nën dhe.
SYQENËZ
Figurë e përrallave popullore shqiptare, që
përfytyrohej si një plakë keqbërëse me dy sy
përpara dhe dy prapa.
SHEJTAN
Sipas besimeve mistike-fetare:
qenie e mbinatyrshme, e përfytyruar zakonisht si
një njeri me brirë, me thundra e me bisht;
mishërimi i së keqes dhe i ngasjes për punë të
liga, shpirti i së keqes; djalli, dreqi.
SHITË
Ndëshkimi që i bënin zanat atij që u prishte
padashur vallen ose tryezën, të shuplakurit, të
shituarit.
SHITOJ
Të ndëshkojnë orët a zanat,
kur padashur u prish vallen ose tryezën, duke të
marrë këmbët, duart, gojën ose duke të
magjepsur, shuplak.
SHITUAR
Që i ishin marrë këmbët, duart, goja ose
që ishte magjepsur nga orët e zanat.
SHPIRT
Qenie e patrupëzuar, që ka fuqi të mbinatyrshme
dhe vepron në jetën e njerëzve e në natyrë duke
bërë të mira e të këqija.
SHTATËPËLLËMBËMJEKËR
Figurë e përrallave tona popullore, që
përfytyrohet si plak fare i shkurtër me mjekër
shtatë pëllëmbë të gjatë dhe me fuqi të
jashtëzakonshme.
SHTOJZORRESHTA
Shtojzovalle.
SHTOJZOVALLE
Figura të përrallave e të këngëve
popullore, që përfytyrohen si vajza shumë të
bukura e me fuqi të mbinatyrshme, të cilat jetojnë
në bjeshkë e në pyje të dendura dhe e kalojnë
kohën me këngë e me valle.
SHUMËKOKËSH
Që ka shumë kokë. Përbindësh shumëkokësh.
SHUMËKRERËSH
Shumëkokësh. Hidër shumëkrerëshe.
THOPËRÇ
Figurë e mitologjisë popullore, që përfytyrohej si
xhind i vogël.
VAMPIR
I vdekur që del natën nga varri për të thithur
gjakun e njerëzve të gjallë; lugat.
VIGAN
Figurë mitologjike që përfytyrohej si njeri
me trup jashtëzakonisht të madh e me fuqi të
mbinatyrshme, gjigant.
VITORE
1. Qenie mitologjike që përfytyrohej si një
gjarpër me brirë të artë dhe që besohej se pillte
ar e sillte fat e lumturi aty ku shkelte; kafshë që
përfytyrohej si një gjarpër i shkurtër e i trashë, i
bukur e pa helm dhe që besohej se rrinte në
vrimat e mureve, ruante shtëpinë e i sillte kësaj
mbarësi.
2. Secila nga tri fatitë, të cilat përfytyroheshin
si gra që i vinin foshnjës te djepi natën e tretë pas
lindjes për t’i caktuar fatin.
VURKOLLAK
Lugat; vampir
ZANË
Figurë e besimeve popullore shqiptare, që përfytyrohej
si vajzë shumë e bukur dhe luftarake, e cila jetonte në
male e në pyje, u ndihmonte trimave, por kishte fuqi
edhe të ndëshkonte duke shituar.
ZANON
E shiton zana dikë, e shkal, e shuplak.
ZËRË
Zanë