Flijim

Me termin flijim kuptojmë sakrifikimin e kafshës ose të njeriut te Perëndia. Në Dhiatën e Vjetër Kaini i kushtoi Perëndisë prodhime bujqësore, ndërsa Abeli kafshë. Abrahami ishte i gatshëm që të flijonte birin e tij për Perëndinë etj. Kemi disa lloj flijimesh: 1-Flijimi i përkushtimit bëhej për nder të Perëndisë. Gjatë këtij flijimi bagëtinë e çonin në Tempull dhe e digjnin të tërë. 2-Flijimi i miqësisë, gjatë të cilit bagëtia çohej përpara Perëndisë dhe therej, ku një pjesë e saj digjej dhe pjesën tjetër e hanin. Me anën e këtij flijimi krijohej miqësia ndërmjet njerëzve dhe Perëndisë. Sistemi i flijimeve duhej të vepronte deri në ardhjen e Mesisë. Krishterimi pranon vetëm flijimin e Krishtit në kryq (Efesianëve 5,2). Kjo ngjarje është përjetësuar me anën e Liturgjisë Hyjnore, në të cilën thuhet: “Ky është trupi im që flijohet për ju”.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]