Format e lavës

Magma, që ka arritur në sipërfaqe, del nga krateri si lumë që mbart shkëmbinj të shkrirë në gjendje të zjarrtë; një pjesë e saj hidhet përpjetë nga avujt e bardhëllemë që e shoqërojnë. Materiali që shfryhet nga krateri përmban copëra të mëdha lave në formë dardhe, të quajtura bomba vullkanike, dhe gurë të vegjël të quajtur lapile; ai përmban gjithashtu copëra shkëmbi poroz, re pluhuri lave, të quajtur hi, dhe copa lave të ftohur, skorie plot vrima të shkaktuara nga gazi që largohet, pra materiale shumë të lehta.. Herë pas here nga gryka e vullkanit dalin blloqe vullkanike, domethënë copëra shkëmbinjsh të shkëputur nga gryka e vullkanit. Pjesa më e madhe e materialit që del, bie afër kraterit ose grykës së vullkanit. Në qoftë se shpërthimi vazhdon, materiali grumbullohet, duke formuar një kodër konike me një krater në majë.

Lava e valuar në buzë të kraterit rrjedh anash konit. Lavat bazike, prej gurësh të zinj, janë të lëngshme; ato rrjedhin më lehtë dhe largohen më shpejt se lavat acide, që përmbajnë më shumë silic, si trakite, granite, që janë të dendura, viskoze dhe ngurtësohen afër kraterit. Në përgjithësi, rrjedha prej bazalti, duke u ftohur, bëhet një masë e lëmuar, e sheshtë, ose e përdredhur si litar. Vullkani Mauna Loa (ishujt Havai) nxjerr vetëm lavë bazaltike, e cila nga forma karakteristike që ka, ka marrë. emrin havajan «pahoehoe». Në qoftë se sipërfaqja e rrjedhjes ftohet gjatë kohës që masa është ende në lëvizje, krijohet një kore që copëtohet, duke formuar blloqe të vendosura njëri mbi tjetrin, mbi të cilën është shumë e rrezikshme të ecësh. Banorët e ishujve Havai i kanë dhënë kësaj koreje emrin «aa».

Po kështu, në qoftë se rrjedhja është e ngurtë në sipërfaqe, lava që ndodhet nën të, vazhdon të rrjedhë si uji brenda një tubi. Kur lava ftohet dhe ndalet, ajo mund të lërë një kanal pjesërisht bosh, të quajtur tub vullkanik. Më vonë nga gërryerjet mund të zbulohet një pjesë e këtij kanali. Në të mund të gjejmë stalaktite lave që varen në tavan dhe stalagmite që ngrihen nga dyshemeja.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]