Formimi i fosileve

Dhe tani le të imagjinojmë një udhëtim mbrapa e të kthehemi 400 milionë vjet më parë. Mbi fundin e detit vdes një trilobit, një lloj kafshe me formë të ngjashme me atë të gaforres sonë, dhe një rrymë detare e rimbulon atë me rërë. Kalojnë qindra vjet. Kullimi i ngadaltë i ujit në mbeturinat e kafshës e gërryen dhe e zbulon atë copa-copa, duke i mbartur në një vend tjetër. Pak nga pak rëra i mbush përsëri vendet e mbetura bosh, derisa të mos mbetet asgjë prej trilobitit: mbetet vetëm një gjurmë, e varrosur thellë në rërë, që pak nga pak shndërrohet në gur ranor. Kalojnë miliona vjet. Fundi i vjetër i detit ngrihet gjithnjë e më lart derisa shndërrohet në një vargmal.
Sot, 400 milionë vjet pas vdekjes së trilobitit, mbetet një shëmbëlltyrë e ngurtësuar e kafshës në shtresat shkëmbore të një mali, 5000 metra mbi nivelin e detit Tani, kthehemi 100 milionë vjet mbrapa në një krahinë tjetër. Lumenj të rrëmbyeshëm gërryejnë malet e larta, duke transportuar me vete dhe duke sjellë në ultësirat poshtë rërë të kuqe dhe argjilë. Gjatë një bregu me baltë ecën mbi thundrat e mbrapme një nga dinozaurët e lashtë, ndoshta dy ose tri metra i gjatë; ky lë në baltë gjurmë të ngjashme me ato të zogut. Të nesërmen, një rrebesh që bie në mal bën që të vërshojë një lumë dhe rëra e transportuar nga uji mbush disa nga gjurmët e lëna nga dinozauri. Kalojnë miliona vjet, gjatë të cilëve gjurmët mbeten të varrosura nën qindra metra gur ranor e argjilë. Në shekullin e njëzetë, erozioni i një lumi ka zbuluar gjurmët antike, që mund të jenë vënë re nga një gjeolog gjatë kërkimeve të fosileve. Kthehuni tani 250 milionë vjet më prapa. Deti mbulon përsëri një pjesë të një lugine; gjatë bregdetit gjenden moçale, ku depozitohen shtresa qymyri; në fund, nën ujërat më të larta formohet një shkëmb gëlqeror. Kalojnë mijëra vjet, një periudhë 120 000 herë më e gjatë se gjithë era e re. Ky fund detar tani është kontinent. Njeriu ka gërmuar shkëmbin e vjetër gëlqeror për të nxjerrë materiale për ndërtim. E pra, duke vrojtuar me vëmendje, mund të vërehet se ky material është i përbërë prej guaskash të ngjeshura, në sasi aq të madhe, sa guri mund të konsiderohet si i përbërë praktikisht prej guaskash.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]