Fotosinteza
(Term – Mjedisor)
Fotosinteza
(anglisht: Photosynthesis)
✦ Proces natyror i ndërlikuar që zhvillohet në bimët e gjelbra nga veprimi i rrezeve të diellit (të spektrit të dukshëm dhe atij ultra-vjollcë), si pasojë e të cilit lëndët e thjeshta minerale (dyoksidi i karbonit dhe uji) shndërrohen në lëndë të ndërlikuara organike (karbohidrate, proteina, yndyra) dhe çlirohet oksigjen në sasi të barasvlershme me dyoksidin e karbonit të shndërruar. Në këtë proces klorofili vepron si shndërrues i energjisë rrezatuese të diellit në energji kimike. Një rol të rëndësishëm në fotosintezë luajnë edhe tharmet specifike të bimës. Sipas të dhënave më të reja procesi i fotosintezës zhvillohet në dy faza në prani të dritës, në të cilën zhvillohet fotoliza e ujit në prani të klorofilit, dhe në errësirë, në të cilën ndodh ngulitja e dyoksidit të karbonit dhe shndërrimi i tij në lëndë të nevojshme për qelizat e gjalla (karbohidrate, proteina, yndyra etj.). Rëndësia e fotosintezës është shumë e madhe me anë të ngulitjes së dyoksidit të karbonit dhe të çlirimit të oksigjenit krijohet një mjedis i përshtatshëm për frymëmarrje, sintetizohen në shkallë natyrore sasi shumë të mëdha lëndësh organike të nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e të gjitha organizmave të gjalla në tokë etj.