(Person i dënuar nga regjimi komunist)
Klerik katolik, etnograf, historian, leksikograf e gjuhëtar, themelues i toponomastikës e onomastikës shqiptare. Lindi në Dajç të Zadrimës, më 15 qershor të vitit 1894. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit, të mesmen e vazhdoi në Shkodër, në Seminarin Papnor, e të lartën në Austri. Për shumë vite punoi në zonën e Malësisë së Madhe (në famullinë e Shkrelit). Duke gjurmuar në fshatrat e kësaj famullie e gjetkë, si në Kelmend, Hot, Pukë, Dajç i Bregut të Bunës, Ulqin etj., ai mblodhi dhe analizoi me seriozitet shkencor për vite me radhë me mijëra fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike (si emra vendesh, lumenjsh, fisesh etj.), gojëdhëna, fakte historike, mitologjike etj., të cilat i përmblodhi në dy veprat e tij madhore «Fjalorth i ri» (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në serinë «Visaret e kombit», vëll. XI, dhe «Fjalori Onomastik», botuar me pseudonimin «Gelasius» në revistën «Hylli i Dritës» nga nr. 2, fruer 1939, vjeti XV, F. 120-129, e gjer në nr. 9-12, 1943, F. 391-406 (shkronjat A-K), gjithsej 21 numra, në 173 faqe (i papërfunduar). Pas vrasjes së të vëllait, Dom Gjon Gazullit, në vitet 1924-1930 u burgos në Gjirokastër. U vra nga forcat e ndjekjes në Vrith të Malësisë së Madhe, më 22 mars të vitit 1945. aiskk, F. 1, Viti 2013, D. 10, F. 373; Simon Pepa, D. Nikollë Gazulli – Themelues i leksikografisë krahinore dhe i asaj onomastike, në «Gjurmime kulturore», “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2000, F. 43; Bedri Blloshmi, Revolta e Qaf-Barit dhe terrori komunist 1943- 1990, “Geer”, Tiranë, 2012, F. 406.
Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI II
● Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit