SHFAQJA E SHOQËRISË NJERËZORE. PALEOLITI
Gjurmët më të hershme të jetës njerëzore
Historia e shoqërisë njerëzore fillon që në kohën kur nga kopeja e majmunëve antropoidë u formuan grupet e para të njerëzve primigjenë. Kjo ndarje e njeriut nga bota e kafshëve u krye nëpërmjet një procesi shumë të gjatë, të ndërlikuar dhe të papërsëritshëm.
Periudha më e hershme e zhvillimit të kësaj shoqërie primitive njihet arkeologjikisht me emrin e paleolitit (nga greqishtja palaios – i vjetër, lithos – gur) dhe përfshin periudhën afërsisht nga 1 500 000 deri në 10 000 vjet më parë. Kjo epokë ndahet nga ana e saj në paleolit të ulët, të mesëm dhe të lartë.
Në vendin tonë nuk janë zbuluar mbeturina kulturore nga paleoliti i ulët, që zë një pjesë të madhe të epokës së pleistocenit e vjen deri në kohën e vërshimit të akullnajave Riss.Gjurmët më të hershme të qenies së njeriut në territorin e Shqipërisë shfaqen në periudhën musteriane, që i përket paleolitit të mesëm (100 000-30 000 vjet më parë). Këto përfaqësohen nga vegla prej stralli të punuara mirë, me forma tipike musteriane, të cilat i kanë shërbyer njeriut primitiv për procese të ndryshme pune që lidheshin drejtpërdrejt me sigurimin e ushqimit të tij të përditshëm. Të tilla vegla, si prefëse, kruese, gërryese, etj., janë gjetur, deri më sot, në stacionin prehistorik të Xarës në rrethin e Sarandës, në stacionin e Kryegjatës, në afërsi të Apolonisë (Fier) dhe në stacionin e Gajtanit në rrethin e Shkodrës. Nga format dhe përmasat e tyre të vogla këto vegla ngjasojnë mjaft me veglat e strallit të zbuluara në depozitimet musteriane të krahinave fqinje të Greqisë Veriore, të Thesalisë, të Malit të Zi etj.
Tipi fizik i njeriut në këtë kohë ishte ai i neandertalit . Në procesin e antropogjenezës ky tip paraqet një hallkë më të zhvilluar në krahasim me pitekantropin e paleolitit të ulët.
Dyndja nga veriu në jug e akullimit të periudhës gjeologjike Riss bëri që edhe në vendin tonë klima të pësojë ndryshime të mëdha. Në malet e larta të Shqipërisë u formuan akuj të përhershëm, që zbritën deri në lartësinë 1 000 m mbi nivelin e detit. Si pasojë e këtyre ndryshimeve klimatike ndryshoi dhe fauna e flora e vendit. Nga kafshët e vjetra qëndruan vetëm ato që mundën ta përballonin të ftohtit. Krahas tyre u shfaqën dhe kafshët karakteristike vetëm për kushtet e klimës së ftohtë. Të tilla ishin mamuthi, rinoceronti leshtor, bizoni, dreri i veriut, ariu i shpellës, hiena e shpellës, dhia e egër etj.
Të ftohtët ndikoi edhe në mënyrën e jetesës. Në luftën për të përballuar vështirësitë klimatike dhe për të mbijetuar, njeriu i kësaj kohe bëri hapa të rëndësishëm drejt përparimit; u strehua në shpella pasi triumfoi në luftën për jetë a vdekje me kafshët e egra që i kishin zënë që më përpara këto vend-strehime natyrore. U vesh duke shfrytëzuar lëkurët e kafshëve, mësoi të ndezë vetë zjarrin, të cilin e përdori me sukses kundër të ftohtit dhe bishave të egra, por sidomos për të përmirësuar strukturën e ushqimit, duke përdorur gjerësisht mishin e pjekur, i cili luajti një rol të madh në përmirësimin e mëtejshëm biologjik të tij. Zjarri qe një arritje shumë e rëndësishme për kohën, sepse i dha njeriut për të parën herë zotërimin mbi një fuqi të caktuar të natyrës, që e ndau atë përfundimisht nga bota e kafshëve.
Banorët e paleolitit të mesëm jetonin me prodhimet, që i gjenin të gatshme në natyrë dhe sidomos me gjueti, e cila përbënte edhe drejtimin kryesor të veprimtarisë së neandertalasve. Me mbledhjen e frutave dhe të zhardhokëve, me ruajtjen e zjarrit, me rritjen e fëmijëve, me përgatitjen e lëkurës për veshje, etj., merrej gruaja, ndërsa burri dilte për gjah ose merrej me përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve. Gjuetia e kafshëve të mëdha, në kushtet e nivelit të atëhershëm, primitiv të veglave të punës, mund të bëhej vetëm në mënyrë kolektive. Në këto rrethana ajo ndihmoi shumë në forcimin e lidhjeve të brendshme midis anëtarëve të grupeve dhe së bashku me krijimin e lidhjeve të gjakut shpuri në organizimin e bashkësisë primitive.
Përgatitur nga prof. dr. Muzafer Korkuti