Grupet YE – UA – UE
GRUPI YE
- 15
Grupi ye shkruhet i plotë: arsye, i arsyeshëm, arsyetoj, arsyetim, dyer, fëndyell, fyej, fyerje, fyell, gjilpëryer, krye, kryesi, kryesor, kryekëput, kryeneç, lyej, lyerje, (por lyrë), përlyej, ngjyej, ngjyerje, (por ngjyrë), i pëlqyeshëm, përkthyes, pyes, pyetje, pyetës, i rrëmbyeshëm, rryeshëm, i shkëlqyeshëm, shqyej, thyej, thyerje, thyesë, i pathyeshëm etj.
GRUPET UA, UE
- 16
Grupi ua shkruhet i plotë:
- a) tek emrat dhe mbiemrat si: buall, buallicë, dragua, duaj, ftua, grua, hua, huazim, i huaj, muaj (por mujor-e, tremujor-i, gjashtëmujor-i), i përmuajshëm, përrua, shuall, thua;
- b) te foljet me temë më-ua, si:bluaj – bluan, bluajmë, bluani, bluajnë; bluaja, bluaje, bluante; bluanim, bluanit, bluanin; bluam, bluat, bluan; të bluash; bluakam, bluake, (kam) bluar etj.; dua – duam, duam, duaje, duajeni ; druaj – druan, druajmë, druanim, (jam) druajtur etj.; kruaj, quaj, ruaj, rruaj, shkruaj shuaj etj., si edhe te shumësi i së kryerës së thjeshtë, te habitorja dhe te pjesoret e foljeve me temë më -o: mësuam, mësuat, mësuan; punuam, punuat, punuan; sulmuam, sulmuat, sulmuan; mësuakam, mësuake, mësuaka, mësuakemi, mësuakeni, mësuakan; punuakam, punuake, punuaka, punuakemi, punuakeni, punuakan; mësuar, pajtuar, përtuar, punuar, sulmuar, treguar etj.*
*) Të dallohen prej trajtave me ye, ua të foljeve të tipit kryej, bluaj, trajtat pësore-vetvetore, të cilat nuk kanë grup zanoresh: kryhet, thuhet, bluhet, shkruhet etj.
- 17
Shkruhen me ue emrat dhe mbiemrat foljorë të formuar me prapashtesat -s dhe -shëm nga folje me temë më -o / -ua; po kështu shkruhen edhe fjalët e formuara prej tyre: botues-e, dëgjues-e, edukues-e, gatues-e, mësues-e, ndërtues-e, parashikues-e, pastrues-e, përpunues-e, plotësues-e, shkrues-e, vetëmohues-e, vetëshkarkues-e, vetëveprues-e etj.; i afrueshëm, i dëgjueshëm, i gëzueshëm, i paharrueshëm, i papajtueshëm, i papërtueshëm, i pazëndesueshëm, i shoqërueshëm, i vajtueshëm, i vazhdueshëm, i vijueshëm etj.
TAKIMI I DY ZANOREVE TË NJËJTA
- 18
Kur në formim fjalësh takohen dy zanore të njëjta, ato shkruhen që të dyja: i paaftë, i paafrueshëm, i paanshëm, paanësi, i paapelueshëm, i paarmatosur, i paarrirë, deetimologjizim, kryeengjëll, antiimperialist, autoofiçinë, joobjektiv, joorganik, jooksidues, joorigjinal, mikroorganizëm etj.
– Drejtshkrimi i gjuhës shqipe –