Grykat nëndetare
Platformat kontinentale ndërpriten aty-këtu nga gryka ose nga kanione nëndetare, disa prej të cilave me përmasat e Kanionit të Madh të famshëm. Gryka e Hudsonit, që nis nga vendderdhja e lumit me të njëjtin emër (arrin në det në Nju Jork) është 320 kilometra e gjatë dhe në pikën e tij më të thellë i kalon të 3000 metrat nën nivelin e detit. Një tjetër grykë vigane nëndetare është ajo që del nga vendderdhja e lumit të Kongos në Afrikë. Si janë formuar këto gryka, nuk dihet akoma saktësisht. Një gjë dihet me siguri: që pjesa e sipërme e tyre gjendej një herë e një kohë mbi nivelin e detit dhe formimi i tyre i detyrohet veprimit gërryes të akullnajave e të lumenjve.
Gjatë periudhave të vonshme akullnajore një sasi e madhe e ujit gjendej mbi Tokë, në formë akullnajash, dhe niveli i detit ishte 80 deri 100 metra më poshtë se ai i sotmi. Një provë e ngritjes së vonshme të nivelit të detit janë fjordet norvegjeze. Por çmund të thuhet për pjesën më të thellë të grykave që gjenden mijëra metra thellë? Mbase përgjigjja e kësaj pyetjeje gjendet në veprimin e atyre që gjeologët i quajnë rryma të turbullta Këto janë rryma të dendura fundërrimesh dhe materialesh të shkrira që, duke lëvizur mbi shpate me pjerrësi deri në 150 metra për kilometër, kanë një forcë gërryese qindra herë më të madhe se ajo e rrjedhjeve më të rrëmbyeshme të ujit mbi Tokë. Në përgjithësi, fundi i detit është fushor, por aty-këtu, si edhe në tokën që është mbi ujë, ai ngrihet në formën e vargmaleve, ka humnera të thella, krijon rrafshnalta e lugina dhe, herë-herë, hapet për të lejuar daljen e materialeve të shkrira nga thellësia e kores së Tokës. Në mes të Atlantikut, pothuajse ndërmjet dy poleve, kalon me zigzage kreshta Atlantike, maja më e lartë e së cilës arrin të dalë mbi ujin e detit, duke formuar ishuj: ndërmjet këtyre, Azoret dhe Kanariet. Ky vargmal nëndetar përmban brazda, antiklinale dhe humnera, tamam si çdo vargmal që ndodhet në tokë, si edhe një çarje të gjatë, që mund të jetë shkaktuar nga tërmetet e shumta të regjistruara në zonat përreth. Në mes të saj, Kreshta ngrihet rreth 3000 metra nga fundi oqeanik dhe është më pak se një kilometër nën valë. Në Atlantikun Jugor lidhet me brigjet lindore të Afrikës nëpërmjet kreshtës Uolfisk. Një tjetër kurriz malor formon, në detin e Karaibeve, Antilet e Vogla; mali i njohur i Pelësë bën pjesë në këtë sistem. Edhe Oqeani Paqësor ka vargmalet e tij vigane nëndetare. Në Paqësorin Qendror një prej tyre ngrihet 5000 metra lart dhe arrin deri në sipërfaqen e ujit, duke formuar ishujt Havai. Nga vargmale të ngjashme janë formuar gjithashtu Aleutinet, Kurilet, ishujt japonezë, Filipinet dhe Inditë Lindore. Këto vargmale të Oqeanit Paqësor gjenden në zona ku regjistrohet aktiviteti më i madh sizmik; shumica e majave kanë qenë vullkane aktive kohët e fundit. Malësitë nëndetare në shumë drejtime janë të ngjashme me malësitë e tokës. Vargmalet janë të prera nga çarje dhe nga lugina (mbase pjesërisht nga veprimi i rrymave të turbullta); aty-këtu ngrihen nga fundi malësi të veçuara, relativisht të ulëta dhe me maja të rrafshëta; këto janë gjithashtu vullkane të shuara, me maja që duken të gërryera nga valët e detit. Disa studiues mendojnë që një nga vargmalet që gjendet në Atlantikun Verior duhet të ketë njëfarë lidhjeje me epokat e vonshme akullnajore, meqenëse vepron si një barrierë ndaj rrymave të ngrohta të Oqeanit, që lëvizin drejt ujërave polare. Një ulje e kësaj barriere do ti lejonte këto rryma të ngrohnin ujërat e veriut, që do të bëheshin më. pak të ftohta. Rritja e temperaturës do të shkaktonte rritjen e avullimit në sipërfaqen e detit dhe, për këtë arsye, reshjet e borës do të jenë bërë më te mëdha, duke e zmadhuar shtresën e akullnajës dhe duke shkaktuar lindjen e një periudhe të re akullnajore për hemisferën veriore.