Hipoksemia

A. Përkufizim
Hipoksemi = ulje e oksigjenit në gjak (ulje e PaO2).

B. Shkaqet
1. Ulja e sasisë të oksigjenit në ajër, zakonisht nga ngjitja në lartësi.
2. Hipoventilimi
a. Pasojë e hipopnesë (pakësim i shpeshtësisë të frymëmarrjes) ose e uljes të kapacitetit vital.
b. Shkaqet e hipopnesë janë sëmundjet e sistemit nervor qendror, barnat (narkotikët), traumat, infeksionet, etj.
c. Shkaqet e uljes të kapacitetit vital janë çrregullimet neuromuskulore (sëmundja Lou Gehrig), kifoskolioza, obstruksioni i rrugëve të ajrit, ose sëmundjet e parenkimës mushkërore.
3. Shkaqet e vështirësimit të difuzionit janë zgjatja e distancës të difuzionit (p.sh. fibroza) dhe pakësimi i kohës të difuzionit (rritja e prurjes të zemrës, anemia).
4. Mospërputhja midis ajrosjes dhe perfuzionit me gjak të një zone të mushkërisë shkaktohet nga embolizmi pulmonar dhe nga sëmundjet e parenkimës pulmonare.
5. Shuntet me kalim të gjakut nga e djathta në të majtë bëjnë që mushkëria të anashkalohet dhe gjaku të mos oksigjenohet; shkaqet e shunteve janë edema pulmonare, pneumonia, atelektaza, defektet e septumit interatrial ose interventrikular, pamjaftueshmëria e mëlçisë.

C. Paraqitja klinike
1. Simptomat: takikardi (simptomë me sensitivitet të lartë), dispnea, takipnea; dispnea i paraprin takipnesë.
2. Shenjat: Rale e kërkëllima në sëmundjet e parenkimës, cianozë, gishtat si shkop daulleje.

D. Diagnoza diferenciale

Tabela 1. Diferencimi i hipoksemisë.

PCO2 PA-aO2 (gradienti alveolo-kapilar) Efekti i dhënies të O2 DLCO Trajtimi
Ulja e sasisë të O2 në ajër Normal Normal Përmirësim Normal O2
Hipoventilimi I rritur Normal Përmirësim Normal O2
Problemet e difuzionit Normal I rritur Përmirësim I ulur O2
Mospërputhja V/Q Normal ose i rritur I rritur Përmirësim Normal O2
Shuntet Normal ose i rritur I rritur S’ka përmirësim Normal Trajtim i shkakut të shuntit

E. Trajtimi
1. Trajtohet hipoksemia njëkohësisht me shkakun e hipoksemisë.
2. Mënyrat e dhënies të O2 janë me maskë, me kanulë në hundë, CPAP, intubim, trakeostomi.
a. Si rregull, 1 litër O2 në minutë e rrit presionin pjesor me rreth 3%, d.m.th. nga 21% që është normalisht bëhet 24% me 1 l/min.
b. Kanula hundore nuk arrin presione pjesore të O2 më shumë se 40%.
c. Me maskë mund të arrihen presione pjesore të O2 deri në 60%.
d. CPAP = Continuous Positive Airway Pressure, një maskë që puthitet mirë pas fytyrës dhe brenda të cilës mbahet presion i rritur; me CPAP mund të arrihen presione pjesore të O2 deri në 80%.
e. Me intubim e trakeostomi mund të arrihet presion pjesor i O2 deri në 100%.
3. Dhënia e oksigjenit nuk e përmirëson dot hipokseminë e shkaktuar nga shuntet që çojnë gjakun e paoksigjenuar nga e djathta në të majtë.
4. Oksigjeni në presione pjesore mbi 50-60% për më shumë se 48 orë shkakton dëmtim të mushkërive dhe simptoma neurologjike.
5. Përveç dhënies të oksigjenit duhet trajtuar edhe shkaku i hipoksemisë.
6. Hipoksemia e ngjitjes në mal vetëshërohet brenda disa javësh ose muajsh.

Mjekësi e përgjithshme

[cite]