Pneumonia

A. Njohuri fillestare
1. Pneumoni = inflamacion i parenkimës mushkërore.
2. Terminologjia:
a. Pneumonia jashtëspitalore (pneumoni komunitare, CAP, Community Acquired Pneumonia), siç e thotë dhe emri, prek njerëzit që nuk janë të shtruar në spital ose që nuk jetojnë në azile ose institucione të ngjashme. Shkaktarët kryesorë janë S pneumoniae, H influenzae, M catarrhalis.
b. Nqs pneumonia fillon pasi pacienti shtrohet në spital, ajo quhet pneumoni spitalore (pneumoni nozokomiale): që të quhet nozokomiale, pneumonia duhet të fillojë pas 48 orësh shtrimi në spital. Flora bakteriale e pneumonisë nozokomiale është më rezistente ndaj antibiotikëve.
c. Pneumoni aspirative: shkaktare është flora bakteriale e gojës.
d. Pneumonia tipike është akute, me temperaturë të lartë, kollë, sputum purulent, dhe mundet të ketë edhe dhimbje pleuritike.
e. Pneumonia jotipike fillon më ngadalë, me kollë të thatë, dhimbje koke, dhimbje të muskujve, lodhje, dhimbje të fytit, pështjellim e të vjella, diarre.

B. Egzaminimi fizik
1. Me stetoskop mund të dëgjohen kërkëllima (rale) për shkak të pranisë të eksudatit në bronkiole; mund të dëgjohet shndërrim i tingujve alveolarë në tinguj bronkialë dhe rritje e përcjellshmërisë të tingujve, për shkak të konsolidimit të indit mushkëror; mund të vihet re mungesë e tingujve të frymëmarrjes në rast se ka efuzion pleural.
2. Me perkusion mund të dëgjohet matitet në rast të konsolodimit ose nëse ka efuzion pleural.
3. Me palpacion mund të vihet re rritje e përcjellshmërisë të tingujve (fremitus) në rast se ka konsolodim.

C. Analizat
1. Grafi anteroposteriore dhe laterale e gjoksit. Grafia e gjoksit është e nevojshme për të vendosur diagnozën dhe për të dalluar pneumoninë nga bronkiti.
2. Analizë e qelizave të gjakut, analizë e kreatininës, BUN, glukozës, elektrolitëve, dhe analizë e enzimave të mëlçisë.
3. Analizë për virusin HIV (virusi i SIDAs), sidomos për moshat 15-54 vjeç.
4. Oksigjeni në gjak: analizë e gjakut arterial ose oksimetër gishti.
5. Analizat mikrobiologjike:
a. Qëllimi i analizave mikrobiologjike është i trefishtë: (i) Përcaktimi i mikroorganizmit shkaktar të pneumonisë dhe trajtimi me antibiotikët përkatës; (ii) Ndjekja dhe parandalimi i përhapjes të mikrobeve si Neisseria, Hemophilus influenzae b; (iii) Rritja e njohurive mbi shkaktarët e pneumonisë.
b. Para fillimit të trajtimit me antibiotikë, duhet të merren 2 kultura të gjakut dhe duhet të bëhet analizë mikroskopike + kulturë e sputumit.
c. 3 kultura të sputumit në 3 ditë të ndryshme, nëse dyshohet se shkaktar i pneumonisë është tuberkulozi.
d. Legionella mund të zbulohet nëpërmjet serologjisë të urinës ose me kulturë.

D. Cilët pacientë duhen shtruar në spital?
1. Nqs pacienti me pneumoni ka probleme edhe me veshkat, zemrën, ka presion të ulët, çrregullime elektrolitike, hipoksemi, etj., pacienti duhet shtruar në spital.
2. Sipas rezultateve të studimit të quajtur PORT (Pneumonia Outcome Research Team) pacientët me pneumoni ndahen në 5 klasa. Klasat I dhe II zakoonisht nuk ka nevojë të shtrohen, klasat IV dhe V duhet të shtrohen, dhe klasa III mund të ketë nevojë të shtrohet ose jo.
3. Klasifikimi në 5 klasa bëhet në 2 hapa:
a. Në hapin e parë, (i) nqs pacientët janë nën 50 vjeç dhe nuk kanë sëmundje të mëlçisë, sëmundje kongjestive të zemrës, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje të veshkave, ose kancer; (ii) dhe nqs pulsi, frymëmarrja, temperatura, dhe presioni i gjakut janë normale ose janë jo shumë anormale; (iii) dhe nqs pacientët nuk kanë konfuzion, atëherë këta pacientë futen në klasën I.
b. Hapi i dytë: Pacientët që nuk u futën në klasën I në hapin e parë, futen në klasat II – V sipas pikëve që marrin (shih tabelën 1).

Tabela 1. “Pikët” e studimit PORT.

Pikët
Burrat Mosha
Gratë Mosha – 10
Banimi në azil +10
Kancer +30
Sëmundje e mëlçisë +20
Sëmundje kongjestive e zemrës +10
Sëmundje cerebrovaskulare +10
Sëmundje e veshkave +10
Konfuzion mendor +20
Takipne, mbi 30 frymëmarrje/min +20
Presion sistolik nën 90 mmHg +20
Temperaturë mbi 40 ose në 35 +10
Pulsi mbi 125 +10
pH arterial nën 7.35 +30
BUN mbi 30 +20
Na+ nën 130 mmol/l +20
Glukoza mbi 250 mg/dl +10
Hematokriti nën 30% +10
pO2 nën 60 mmHg +10
Efuzion pleural +10

 

Tabela 2. Rezultatet e studimit PORT.

Klasa Pikët e mbledhura Vdekshmëria Zgjatja mediane e qëndrimit në spital nëse pacienti shtrohet menjëherë Përqindja e pacientëve që duhet të shtrohen në spital brenda muajit (nëse nuk shtrohen në fillim)
I 1 0.1 – 0.4% 5 ditë 5.1%
II 1-70 0.6 – 0.7% 6 ditë 8.2%
III 71-90 0.9 – 2.8% 7 ditë 16.7%
IV 91 – 130 8.2 – 9.3% 9 ditë 20.0%
V mbi 130 27.0 – 31.1% 11 ditë 0

E. Trajtimi empirik i pneumonisë
1. Trajtimi i pneumonisë bëhet pa pritur rezultatet e analizave mikrobiologjike. Shpesh analizat mikrobiologjike nuk munden të përcaktojnë se cili mikrorganizëm është shkaktar i pneumonisë.
2. Për pacientët që nuk shtrohen në spital, trajtimi më i mirë është një makrolid (klarithromicinë ose eritromicinë), tetraciklinë ose doksiciklinë, ose një fluorokinolon me aktivitet ndaj S pneumoniae (p.sh. levofloxacin ose gatifloxacin; ciprofloxacina nuk ka efekt të mirë ndaj pneumokokut dhe nuk duhet përdorur).
3. Për pacientët e shtruar në spital mund të përdoret një fluorokinolon OSE një cefalosporinë e brezit III (cefotaxime, ceftriaxone) + një makrolid, OSE një kombinim beta-laktam / inhibitor i betalaktamazës + një makrolid.
4. Për pacientët e shtruar nën kujdes intensiv duhen përdorur ceftriaxone, cefotaxime, ampicillin/sulbactam, ose piperacillin/tazobactam bashkë me një fluorokinolon ose me një makrolid. Në të shhtruarit nën kujdes intensiv duhen bërë analizat e Legionellas.
5. Përmirësimi ndodh zakonisht brenda 3-5 ditëve. Grafia e gjoksit vazhdon të mbetet anormale për një kohë më të gjatë.
6. Vaksina e gripit dhe e pneumonisë u duhet dhënë atyre që janë në rrezik për t’u sëmurur nga pneumonia.

F. Pneumonia bakteriale
1. Streptococcus pneumoniae:
a. Prek zakonisht fëmijët, pleqtë, njerëzit me mangësi imune; shkaku numër 1 i pneumonisë jashtëspitalore (rreth 70%).
b. Shenjat/simptomat: pneumoni lobare, pneumoni tipike, sëmundje akute me ethe dhe të dridhura, mund të keqësohet me shpejtësi.
c. Trajtimi: Penicilinë; eritromicinë në pacientët alergjikë ndal penicilinës.
2. Hemophilus:
a. Prek zakonisht fëmijët, pleqtë, njerëzit me mangësi imune; shkakton rreth 10% të pneumonive jashtëspitalore.
b. Trajtimi: Cefalosporinë.
3. Moraxella catarrhalis:
a. Shkakton rreth 5% të pneumonive jashtëspitalore; prek shpesh pacientët me emfizemë dhe bronkit kronik, dhe pacientët me mangësi imune.
b. Trajtimi: Bactrim.
4. Staphylococcus aureus:
a. Zakonisht pason gripin, shkakton efuzion pleural.
b. Trajtimi: Penicilinë penicilinazë-rezistente (oxa-, cloxa-, naf-, methicillin).
5. Bacilet gram-negative:
a. Shkaktojnë infeksione spitalore (nozokomiale).
b. Trajtimi: Cefalosporinë.
6. Pseudomonas:
a. Shihet më shpesh në ata që kanë fibrozë cistike, shpesh si infeksion spitalor; krijon kavitete në mushkëri.
b. Trajtimi: Pseudomonas është natyrshëm rezistente ndaj shumë antibiotikëve; duhet trajtuar gjithmonë me më shumë se 1 antibiotik, p.sh., piperacilinë + gentamicinë; piperacilina është një nga penicilinat me efekt të mirë kundër pseudomonas.
7. Klebsiella:
a. Shkakton pneumoni në alkoolikët, diabetikët; shkakton infeksione spitalore.
b. Tipik është sputumi me gjak.
c. Trajtimi: Klebsiella është shpesh rezistente ndaj antibiotikëve, prandaj duhen përdorur kombinime, p.sh., cefalosporinë dhe gentamicinë.
8. Bakteret anaerobe:
a. Pneumoni aspirative, pasojë e kalimit të të vjellave në mushkëri.
b. Shihet në alkoolikët, në dementia, në humbjet e vetëdijes.
c. Pneumonia aspirative prek më shpesh lobet e poshtme sepse materiali i kaluar në rrugët e frymëmarrjes përfundon aty; kjo lloj pneumonie mund të përfundojë me abscess pulmonar; sputumit i vjen erë e rëndë.
d. Trajtimi: Metronidazole + clindamycin.

G. Pneumonia atipike
1. Mycoplasma pneumoniae:
a. Prek zakonisht të rinjtë (studentët e universitetit); shkakton rreth 10% të pneumonive jashtëspitalore.
b. Shenjat/simptomat: trakeobronkit, kollë gjatë natës.
c. Trajtimi: Doksiciklinë, azithromicinë.
2. Legionella pneumophila:
a. Shihet në alkoolikët, pacientët me organe të transplantuara, pacientët me emfizemë/bronkit kronik, tumore malinje, diabet; për herë të parë u përshkrua pas një epidemie të vogël si pasojë e infektimit të një sistemi të ajrit të kondicionuar.
b. Shenjat/simptomat: hiponatremi, çrregullime të sistemit nervor qendror, diare; LDH mbi 700.
c. Trajtimi: Azithromycin, ofloxacin; edhe me trajtim, 25% e të prekurve vdesin.
3. Chlamydia pneumoniae:
a. Shihet zakonisht në pacientët e moshuar.
b. Shenjat/simptomat: dhimbje e grykës, ngjirje, sinuzit.
c. Trajtimi: Azithromycin, levofloxacin.
4. Chlamydia psittaci:
a. Zakonisht merret nga shpendët, shpesh nga ndonjë papagall; papagalli mund të jetë edhe vetë i sëmurë (p.sh., mund t’i kenë rënë pendët).
b. Trajtimi: Doksiciklinë.
5. Coxiella burnetii:
a. Sëmundja merret nga kafshët e blegtorisë (lopë, dele, dhi), nga qumështi ose nga thithja e ajrit me baktere.
b. Trajtimi: Tetraciklinë.
6. Francisella tularensis:
a. Zakonisht merret nga lepujt, por edhe nga kafshët e tjera, dhe nga kafshimi i pleshtave; zakonisht prek gjuetarët, kasapët.
b. Trajtimi: Streptomicinë.
7. Actinomyces israelii:
a. Shkakton empiemë, shkakton sinuse.
b. Trajtimit: Penicilinë për 1 vit.
8. Nocardia asteroides:
a. Ngjan me tuberkulozin; i prek më shpesh të sëmurët me SIDA-AIDS.
b. Shenjat/simptomat: ethe, djersë gjatë natës, eozinofili; .
c. Trajtimi: Bactrim.

H. Pneumonia fungale
1. Pneumocystis carinii:
a. Fillon ngadalë me kollë, dispne, infiltrate në të dyja mushkëritë; nuk jep efuzion zakonisht.
b. Sinjal i SIDAs (AIDS).
c. Diagnoza: analizë e sputumit (ngjyrosje me argjend), LDH e rritur.
d. Trajtimi: Bactrim; Baktrima i jepet si profilaksi edhe pacientëve me SIDA që kanë më pak se 200 CD4.
2. Coccidioides immitis:
a. Shkakton ethen e luginës San Joaquin (San Joaquin Valley Fever).
b. Prek banorët dhe udhëtarët në jugperëndim të USA; incidenca rritet pas tërmeteve; sëmundja e diseminuar është më e shpeshtë ndër të burgosurit, zezakët, dhe filipinasit.
c. Diagnoza: Citologji e sputumit.
d. Trajtimi: Amphotericin B ose fluconasole.
3. Histoplasma:
a. Sëmundja ngjan shumë tuberkulozin.
b. Histoplazma është e përhapur në shtetet rreth Mississipit; gjendet në glasat e zogjve dhe të lakuriqëve të natës.
c. Trajtimi: Amphotericin B dhe fluconasole.
4. Aspergillus:
a. Shihet në pacientët neutropenikë.
b. Në grafi të gjoksit shihet një top myku (fungus ball); aspergillusi ze vend në kavitetet mushkërore (psh kavitetet pas abscesseve).
c. Trajtimi: Amphotericin B dhe itraconasole, voriconasole.
5. Cryptococcus:
a. Shihet në pacientët me mangësi imune, SIDA.
b. Trajtimi: Amphotericin B dhe fluconasole.

I. Pneumonia virale
1. Influenza (gripi):
a. Shkaktohet nga virusi i influenzës A, B, ose C; viruset e influenzës bëjnë pjesë tek ortomiksoviruset.
b. Sëmundje e rrezikshme tek të vegjlit dhe tek të moshuarit.
c. Diagnoza: vendoset klinikisht në mes të epidemive; egziston edhe analiza serologjike dhe kultura e virusit.
d. Trajtimi: Fëmijëve të prekur nuk u jepet aspirinë për shkak të rrezikut të sindromit Reye; përdoren amantadina, rimantidina, ribavirina, zanamaviri; në USA, për çdo epidemi përgatitet vaksina përkatëse që mund t’u jepet atyre që e dëshirojnë.
2. Hantavirusi:
a. Prek fëmijët, të rinjtë, që janë të ekspozuar ndaj brejtësve në shkretëtirat jugperëndimore të USA.
b. Shenjat/simptomat: ethe për 3-6 ditë, sindrom i distresit respirator akut (ARDS).
c. Diagnoza: serologji, imunohistokimi, PCR.
d. Trajtimi: simptomatik, intubim për ARDS; mbase mund të përdoret dhe ribavirina.
3. Viruse të tjera:
a. RSV, adenoviruset, parainfluenza.
b. Shkaktojnë sëmundje më të lehtë se influenza.
c. Trajtimi: simptomatik.

Mjekësi e përgjithshme

[cite]