KASORUHO Qemal
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Lindi më 1902, në Gjirokastër. Zotëronte disa gjuhë: turqish, greqisht, italisht, frëngjisht, anglisht. Kishte interes për librat dhe zotëronte një bibliotekë të pasur. Karrierën e zhvilloi në fushën e ekonomisë dhe financave. Pas Luftës së Parë Botërore nisi punë në doganën e Sarandës, arriti të bëhej kryeinspektor i saj. Më 1944, u emërua drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe Tatimeve në ministrinë e Financave. Më 10 shtator 1944, u arratis nga Tirana dhe shkoi në çetën partizane të Shën Gjergjit. Pas lufte punoi në një birrari, deri më 1947. U emërua ekonomist në minierën e bakrit në Rubik. Më 1950, djali i tij, Amik Kasoruho [shih], u dënua me 10 burg. Më 26 shkurt 1951, u pushkatua pa gjyq, me së bashku me 21 intelektualë të tjerë, me rastin e incidentit të sajuar të bombës në ambasadën sovjetike. Familja e tij u internua. Uran Butka, Bombë në ambasadën sovjetike, (Tiranë: ASD, 2008), 172-76.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI IV
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]