Kostandin Shpataraku
shqiptar ortodoks Kostandin Shpataraku e ka origjinën nga Shpati i Elbasanit. Kjo vërtetohet nga mbishkrimi që gjendet në ikonën e Krishtit në kishën e Anargjendëve të Shenjtë Kozma e Damjano në Manastirin e Shën Pjetrit në Vithkuq të Korçës. Në të thuhet: “Dora e Jerodhjakon Kostandinit nga Shpati, viti prej Krishtit 1748”. Rreth vendlindjes së ikonografit Kostandin Shpataraku kemi njoftime të ndryshme. Disa mendojnë se e ka preardhjen nga fshati Vlash, ndërsa disa të tjerë thonë se është nga Pashtreshi i Shpatit. Datat e lindjes dhe të fjetjes së këtij murgu të devotshëm të kishës ortodokse nuk dihen. Kostandin Shpataraku ka qenë ikonograf i talentuar në pikturimin e ikonave. Mendohet se përpara se të bëhej murg, ai e ka pasur emrin Nikodhim. Pas qethjes murg dhe dorëzimit dhjak ai e mori emrin Kostandin. Zakonisht në traditën ortodokse ata që përqafojnë jetën monakale e ndryshojnë emrin e tyre. Ikona e parë e pikturuar prej tij është e vitit 1736 dhe gjendet në manastirin e Shën Gjon Vladimirit. Në Arkivin Qendror të Shtetit ka dokumente, të cilat vërtetojnë se Kostandin Shpataraku ka pikturuar ikonat e manastirit të Shën Gjon Vladimirit në Elbasan, por me djegien e kishës më 14 mars 1944 ato u shkrumuan. Po në Elbasan, në Kodikun e Kishës së Shën Kollit është edhe emri i ikonografit Kostandin Shpataraku. Aktiviteti i tij në pikturimin e ikonave është mjaft i dendur. Kështu në vitin 1767 ka pikturuar ikonat e ikonastasit të kishës së Shën e Premtes në Kavajë. Gjithashtu tri ikona të ikonastasit të manastirit të Ardenicës kanë mbishkrimin se janë punuar nga dora e Kostandin Shpatarakut. Vepra e këtij ikonografi të talentuar të kishës ortodokse filloi të studiohej për herë të parë nga teologu i pasionuar Theofan Popa në vitin 1954. Gjatë kërkimeve nëpër kishat e Shqipërisë është vërtetuar se Jerodhjakon Kostandin Shpataraku ka qenë i specializuar vetëm për punimin e ikonave të lëvizshme. Deri më sot nuk është zbuluar ndonjë afresk i pikturuar prej tij.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Theofan Popa, Mbishkrime të kishave në Shqipëri, Tiranë 1998, N.349, faqe 199.
2-Theofan Popa, Ikonografët shqiptarë të shekullit XVIII, Ngjallja, dhjetor 1995, faqe 8.