Krijimtaria gojore e shqiptarëve në shekujt e mesjetës
Deri në fillim të periudhës së pushtimit osman tradita kulturore shqiptare ishte kryesisht e karakterit parashkrimor. Forma më e rëndësishme e saj ishte krijimtaria gojore, eposi shqiptar. Në eposin shqiptar ka edhe zëra të periudhës osmane, që shfaqen sidomos në ligjërim dhe në emërtime, por në thelbin e vet ai është një përmendore kulturore shekuj më e hershme.Në këtë krijimtari njihen rapsoditë historike e tregimet legjendare, që përbëjnë epikën heroike, si dhe proverbat, të cilat u fiksuan të shkruara vetëm në shek. XVII. Vendin kryesor në epikën heroike e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia etj. Me gjithë numrin e shumtë të motiveve e varianteve ekzistuese, këto rapsodi kanë një farë përbashkësie që u jep atyre karakterin e një cikli unitar epik. Në qendër të këtij cikli qëndrojnë bëmat e çetës së kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre, “kralë” e “kapedanë” veçanërisht nga viset bregdetare.
Lufta e kreshnikëve është vendosur në një kohë e në një ambient që s’njeh ende armët e zjarrit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë, këngët e kreshnikëve të çojnë në një periudhë më të hershme se shekujt e invazionit osman.
Sikurse shumica e popujve evropianë, në këtë kohë (në shek. XV) shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e epopesë legjendare”, e cila me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare, që qarkullonte gojë më gojë e brez pas brezi, duke marrë nga koha në kohë gjurmë, dëshmi e jehona të tyre.
Hershmëri të thellë historike dëshmojnë veçmas dy tipare të rëndësishme të figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri i tyre matriarkal, nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër. Kjo është një anë tjetër e çështjes së autoktonisë së popullit që i ka krijuar. Në eposin helenik hyjnitë janë matriarkale e patriarkale. Heronjtë e eposit shqiptar janë bij të Ajkunës. Për herë të parë në epos babai shfaqet me figurën e Mujit në raport me Omerin (ose “shtatë Omerat”). Figurë qendrore është Ajkuna që ka një autoritet të madh. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë babë, ata janë bij të një nëne që urdhëron shtëpinë dhe e marrin fuqinë prej zanave.
Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës legjendare theksohet nga fryma e përgjithshme e rapsodisë së njohur të Gjergj Elez Alisë. Janë gjurmuar e janë gjetur gjurmë të kulturës bizantine, si kërkimi i haraçit nga bajlozi “tim për tim” (oxhak për oxhak). Por, në thelbin e vet, burimi tragjik i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë është mbarimi i epokës së flijimit të njeriut (gruas) për një vepër, për një fushatë apo për haraç. Gjergj Elez Alia amniston përgjithnjë gruan nga flijimi.
Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar thekson karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej poemave homerike, ku hyjnitë kanë një hierarki shumëshkallëshe (nëntokësore), në eposin shqiptar figurat mitologjike të botës shqiptare janë tokësore. Në folklorin rrëfimtar, duke përfshirë eposin dhe përrallat, nuk ekziston “e bukura e qiellit”. Krahas me “të bukurën e dheut” (të kësaj toke) në traditën etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë figura të tilla si shtojzovallet (aglutinim i “shtojua zot vallet”), shtojzorreshtat (“shtojua zot rreshtat”), “ato të lumet”, shita. Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje tiparesh të eposeve antike dhe atyre evropianë të periudhës mesjetare. Por ka më shumë tipare të eposeve antike se të atyre mesjetare. Një varg argumentesh folklorike janë në të mirë të një përcaktimi kronologjik relativ të burimit të eposit në periudhën e kalimit prej ilirëve te shqiptarët, prej ilirishtes te shqipja, prej periudhës së fundme të romanizimit në përballjen me dyndjet sllave.
Eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve të tij me popullsinë e ardhur në Ballkan, ai mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi shqiptar nuk u krijua qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur. Vetë rapsoditë e këtij cikli bëjnë të njohur se të tjera gjëra ndodhnin “kur kem’ pas’ besë me krajli”. Këto fakte e arsyetime lejojnë të mbrohet mendimi se në epos, pavarësisht nga karakteri i tij shumështresor, megjithatë, ekziston një “kohë e parë”. Ajo përkon me shek.VII-VIII, kur ndodhin proceset më të rëndësishme divergjente të brendshme në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrimet cilësore kulturore, si kalimi nga ilirishtja te shqipja. Pikërisht në këtë periudhë vendësit përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin pak nga pak karakterin ekspansiv të tyre.
Faktet folklorike të eposit çojnë në kultin e dheut të të parëve, në mitin e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës, në hyjnizimin e dheut, në atë kuptim që gjermanët e përdorin këtë fjalë kur thonë “land”. Ndonëse të kufizuara, në epos ka të dhëna me karakter etnoveçues, që gjenden të trashëguara në botën shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me dallimin “të vetët – të tjerët”, që është nga shenjat më të hershme të ndërgjegjes së bashkësisë. Ndonëse më shumë mund të flitet për një nocion landi, vendlindjeje, sesa për një hapësirë të përcaktuar qartë, prapë vetëdija e një atdheu që i bën bartësit e eposit të ndihen mes tyre “të vetët” del aty-këtu.
Eposi shqiptar në mesjetë kishte formën e vet artistike të kryer. Prej shekujve të sundimit osman ai mori me vete një shtresë të re ndikimi, që preku pjesën më të dukshme të tij: emrat e heronjve dhe, deri diku, dekorin e ngjarjeve. Kjo shtresë, më në sipërfaqe të eposit, ngjan më e pranishme sa është në të vërtetë. Pjesa më e madhe e emrave të heronjve mendohet të mos jenë huazime të drejtpërdrejta prej osmanishtes, por kalime kuptimore të emrave të mëhershëm, përkthime strukturore të tyre. Emri i Halilit, që i kthyer në shqip do të thotë “i bukur”, i përgjigjet thelbit të personazhit, që trashëgohet prej kohësh shumë më të hershme. Në emrin e Gjergj Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë “i lartë, fisnik”, që gjithashtu vlen për të theksuar një tipar që personazhi e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë Osmane.
Me frymëzimin e tyre poetik, me mjetet e trajtimit artistik, me vargun e tyre të rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, rapsoditë e kreshnikëve përbëjnë një thesar të poezisë sonë popullore.
Bashkë me eposin, deri në kohën e kontakteve të para me rrezikun e ri që po shfaqej nga Orienti, me invazionin osman, shqiptarët kishin krijuar gjithashtu fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse të epokave të shkuara. Njëra prej tyre është ajo që njihet në jug me emrin e Konstandinit dhe Doruntinës, kurse në veri me emrin “Kënga e Halil Garrisë”. Koha e lindjes së baladës së ringjalljes përkon me ata shekuj, kur dija biblike e quante të papranueshëm rikthimin nga bota tjetër, qysh prej ringjalljes së Krishtit. Balada e Kostandinit dhe Doruntinës shpesh është trajtuar si kryevepër që ngre lart kultin e besës, shenjtërinë e fjalës së dhënë, për hir të së cilës mallkimi mund të të ndjekë në këtë jetë dhe në tjetrën. Mesazhi i besës është i pranishëm në frymën e baladës, por para këtij mesazhi është fryma e fuqisë së njeriut për të riardhur në këtë jetë.
Në mesjetë e para saj funksiononin edhe gjini e zhanre të tjera të folklorit, duke filluar prej atyre më të shkurtrave, si proverbat, deri te rrëfimi popullor.
Me pushtimin e Shqipërisë nga dyndjet osmane u krijua mjedisi kulturor për shfaqjen e epikës historike. Kësaj periudhe i përket cikli i Skënderbeut, i cili përmban 10-15 këngë, të ruajtura kryesisht tek arbëreshët e Italisë. Këngë historike të periudhës së qëndresës së arbërve madje para Skënderbeut janë ruajtur edhe në Shqipëri. Në një prej këtyre këngëve i këndohet trimërisë së Milosh Kopiliqit, i cili vrau sulltanin në betejën e ballkanasve të Fushë-Dardanisë. Ai paraqitet duke udhëtuar me kokën e vet të prerë nën sqetull dhe motivi i kokës së prerë që merr e jep mesazhe nga bota tjetër, është ballkanizuar në një shkallë relativisht të gjerë.
Cikli i Skënderbeut në poezinë popullore të arbëreshëve bashkon historicitetin e figurave dhe ngjarjeve reale me legjendarizimin e trashëguar prej epikës heroike. Skënderbeu në këto këngë bën të njëjtat mrekulli si Shën Gjergji në letërsinë biblike dhe vdekja e tij përshkruhet me të njëjtin vajtim të botës, natyrës, qiellit, tokës dhe njerëzve si kryqëzimi i Krishtit. Me këtë cikël ka studiues që bashkojnë edhe këngën e Gjorg Golemit (Gjergj Arianitit), bashkëkohës i Skënderbeut, mbledhur e botuar për herë të parë në vitet 30 të shek. XX.
Këngët epike dhe legjendat që i ruajnë arbëreshët e Italisë, të larguar nga Shqipëria qysh në shek. XV, të cilat me pak ndryshime i gjejmë edhe te fshatarët e malësorët e vendit tonë, dëshmojnë se ato kanë qenë thurrur nga rapsodët shqiptarë para shek. XV.
Tradita e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë, e cila përputhet me atë të mëmëdheut, tregon se poezitë epike dhe lirike rituale këndoheshin, përcilleshin me muzikë dhe shoqëroheshin me lëvizje ritmike. Këto valle bashkë me kostumet e mrekullueshme të valltarëve, përbënin së bashku një shprehje të lartë artistike që mishëronte gëzimin e jetës dhe shijen estetike të shqiptarëve.
Kultura popullore shqiptare e mesjetës nuk u zhvillua e shkëputur nga kontaktet me popujt fqinjë ballkanas. Ajo ndikoi me një varg elementesh të saj, veçanërisht në veshje, me muzikën, vallet dhe me tiparet e saj shpirtërore, në kulturën e popujve fqinjë në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqi. Nga ana e tyre, shqiptarët e pasuruan gjithashtu kulturën e vet me ndikime të marra prej fqinjëve të tyre që i shkrinë në tërësinë e trashëgimit të vet kulturor.