Kristofor Kisi

Kristofor Kisi

shqiptar ortodoks Kristofor Kisi (1890-1958) ka lindur në lagjen Kala të Beratit në vitin 1890. Studimet e larta i ndoqi në Shkollën Patriarkale të Halkit ku u diplomua në vitin 1906. Tema që mbrojti diplomën ishte “Mbi prejardhjen e jetës monakale”. Me përfundimin e studimeve teologjike më 1908 u kthye në atdhe dhe filloi punë në gjimnazin e Jovan Bangës në Korçë. Para luftës ballkanike vajti në Kostandinopojë dhe në vitin 1916 u dorëzua në gradën priftërore. Ai ishte Kryefamulltar në Makrohor. Më vonë u hirotonis episkop i Sinadës, post të cilin e mbajti deri në vitin 1923. Pikërisht këtë vit duke parë përpjekjet e otodoksëve shqiptarë për autoqefali, Imzot Kristofori u kthye vullnetarisht në Shqipëri, ku mori në drejtim Mitropolinë e Beratit duke pasur titullin “Mitropolit i Beratit, Vlorës, Kaninës. Më 21 nëntor 1923 Imzot Kristofori së bashku me Imzot Jerotheun dorëzuan në gradën episkopale Imzot Theofanin në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Ndërsa në vitin 1929 u tërhoq në manastir duke mos marrë pjesë në veprimet antikanonike që po kryheshin në Kishën Ortodokse Shqiptare. Më 1934 Imzot Kristofori zuri vendin e Mitropolitit të Korçës dhe në vitin 1937 u zgjodh Kryetar i Sinodit të Shenjtë dhe Kryeepiskop i gjithë Shqipërisë. Për shumë vjet qëndroi në krye të Kishës Ortodokse në Shqipëri. Në vitin 1942 Kryeepiskop Kristofori u thirr prej mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanuelit III, Jakomonit dhe bënë presion që në vendet vakante të dorëzoheshin episkopë unitë dhe të bëhej konvertimi i popullsisë ortodokse të Shqipërisë në uniate. Kryeepiskopi Kristofor i detyruar nga kushtet e vështira që po kalonte Kisha Ortodokse nën sundimin fashist në fillim pranoi, por ndërkohë u mundua që ta shtynte çështjen për më vonë. Ai thirri teologun Irine Banushi dhe i propozoi që të dorëzohej në gradën episkopale duke shmangur kështu një rrezik të madh për kishën. Më 1948 Kryeepiskopin Kristofor e internuan dhe më 17 qershor 1958 ai vdiq në rrethana të dyshimta në kishën e Shën Prokopit. Ai nuk pranoi që të mohonte kryqin për lavdinë tokësore që i ofroi regjimi komunist, prandaj e helmuan. Varrimi i Kryeepiskopit Kristofor Kisi u bë më datën 18 qershor 1958. Arkivoli që mbante lipsanin e tij u vendos në mesin e Kishës katedrale të “Ungjillëzimit” në Tiranë. Ceremonia e përmortshme u kryesua nga Fortlumturia e tij, Paisi, me pjesëmarrjen e Episkopit Ndihmës Sofronit, Arkimandrit Dhanil Çulit, Stavrofor Thoma Popës, Ikonom Marko Papajanit, Saqellar Petro Doçit, Kryedhjakonit Sotir Kanxheri etj. Në prani të të afërmve dhe besimtarëve të shumtë që kishin mbushur kishën, foli Sekretari i Sinodit të Shenjtë, Niko Çane, i cili theksoi virtytet e të ndjerit. Ndër të tjera ai përmendi ndershmërinë, urtësinë dhe kulturën e gjerë të Kryeepiskopit Kristofor.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Kristofor Beduli, At Marko Papajani dhe shënimet e tij, Tiranë 2004, faqe 37-38.
2-Personalitet madhor i Kishës sonë Orthodhokse, Ngjallja, korrik 1996, faqe 9.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]