Kryengritja e Kosovës dhe Fuqitë e Mëdha
Fuqitë e Mëdha, duke respektuar politikën e ruajtjes së status quo-së në Turqinë Evropiane dhe në gjithë Perandorinë Osmane, nuk e përkrahën kryengritjen shqiptare të Kosovës. Ata i trajtuan ngjarjet në Shqipëri si një çështje thjesht e brendshme e Perandorisë Osmane dhe i lanë dorë të lirë Stambollit për shtypjen e kryengritjes.
Por qëndrimi i Fuqive të Mëdha kundrejt lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve e sidomos ndaj metodave të dhunës e të terrorit që përdori ushtria turke për paqtimin e territoreve shqiptare, nuk ishte i njëjtë. Ndërsa Rusia këmbëngulte pranë Portës së Lartë për ta çuar deri në fund ekspeditën ushtarake në Shqipëri, ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë e këshillonte Stambollin që të mos shkonte shumë larg në masat e dhunës ndaj shqiptarëve.
Të njëjtin qëndrim mbajti në përgjithësi diplomacia gjermane. Nëpërmjet përpjekjeve diplomatike që bënë pranë qeverisë xhonturke, Vjena e Berlini i tërhoqën vërejtjen asaj për masat e tepruara shtypëse. Ato i bënë të ditur Stambollit se ndjekja e këshillave ruse për ashpërsimin deri në skaj të konfliktit me shqiptarët, do të sillte dobësimin e të dyja palëve dhe do t’ua lehtësonte shteteve ballkanike plotësimin e pretendimeve territoriale ndaj trojeve shqiptare, gjë që nuk e dëshironin as Berlini, as Vjena.
Po kështu ministri i Jashtëm i Italisë, San Xhuliano, nëpërmjet ambasadorit të tij në Stamboll, ndonëse në mënyrë të kujdesshme e të matur, i bënte të qartë Portës së Lartë se edhe Italia nuk e miratonte aksionin energjik dhe masat e egra të ushtrisë turke në Shqipëri; ndërsa opinioni publik e shtypi italian shprehën simpatinë për kryengritjen shqiptare dhe dënuan politikën e egër të qeverisë xhonturke kundrejt shqiptarëve. Në këto qëndrime të dukshme proshqiptare ushtronte ndikimin e vet edhe mjedisi arbëresh.
Në pjesën tjetër të kontinentit evropian e të atij amerikan u ndje ndikimi i mitingjeve të protestës, i agjitacionit dhe i propagandës që kolonitë shqiptare të mërgimit, shoqatat dhe komitetet bënë në të mirë të kryengritjes shqiptare. Një vend të veçantë zë këtu mitingu i organizuar në Boston.
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ishte e para lëvizje e armatosur aq e gjerë e popullit shqiptar në fillim të shek. XX, por që mbeti në kufijtë e një vilajeti të vetëm. Veprimet e suksesshme luftarake të kryengritësve në skajin verilindor të vilajetit të Shkodrës nuk ndikuan në zgjerimin e përmasave të saj.
Lufta e armatosur e popullit shqiptar kundër sundimit osman nuk arriti të shtrihej në një hapësirë të gjerë kombëtare as në rrafshin organizativ, as në atë politik e ushtarak. Madje edhe në kufijtë e vilajetit të Kosovës nuk u arrit një bashkërendim i veprimeve luftarake. Ndonëse luftuan për të përballuar marshimin e ushtrisë së komanduar nga Shefqet Turgut pasha, kryengritësit nuk arritën të organizonin një qëndresë të përgjithshme në gjithë vilajetin. Vatrat e qëndresës së shqiptarëve, siç qenë ato të Kaçanikut, të Carralevës etj., mbetën të shkëputura nga njëra-tjetra.
Në këto dobësi ndikoi edhe mungesa e një qendre të vetme drejtuese politike e ushtarake në shkallë kombëtare ose të paktën ndërkrahinore. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e vendit qëndroi mënjanë ngjarjeve të Kryengritjes së vitit 1910 dhe nuk u përfshi në luftën e armatosur kundër regjimit xhonturk. Shumica e veprimtarëve të klubeve atdhetare në vilajetet e Shkodrës, të Janinës dhe të Manastirit nuk ishte ende e bindur për domosdoshmërinë e luftës së armatosur. Edhe deputetët shqiptarë, duke përfshirë edhe ata më radikalët (me ndonjë përjashtim), nuk qenë të prirur në këtë kohë për të dalë nga kuadri i luftës parlamentare, ndërsa komitetet e fshehta në Jug të vendit, ndonëse ishin përkrahës të kryengritjes së armatosur, nuk ishin të përgatitur për të mbështetur me veprime të armatosura kryengritjen e Kosovës.
Kryengritja u shtyp edhe për shkak se shqiptarët u ndodhën përballë një ushtrie të madhe në numër, në armatime e në pajisje luftarake dhe e drejtuar nga oficerë të zgjedhur, të stërvitur nga instruktorë të huaj.
Kryengritja nuk pati përkrahjen e qarqeve politike të shteteve fqinje dhe të Fuqive të Mëdha që vijuan t’i përmbaheshin politikës, tashmë tradicionale, të ruajtjes së status quo-së.
Megjithëse Kryengritja e armatosur e vitit 1910 u shtyp, qeveria turke u detyrua të bëjë ndonjë lëshim. Në vjeshtën e vitit 1910 ajo hoqi ligjin për bandat, lejoi hapjen e ndonjë shkolle shqipe, pa hequr dorë nga përpjekjet për t’i detyruar shqiptarët që të përdornin alfabetin arab, ndërpreu zbatimin e masave për çarmatimin, për rekrutimin ushtarak e për mbledhjen e taksave dhe premtoi se do të përdorte një fond të posaçëm për ndërtimin e shtëpive të djegura e të rënuara gjatë fushatave ushtarake të vitit 1910. Për të penguar një shpërthim të ri të kryengritjes në Kosovë, Porta e Lartë dërgoi atje disa komisione që u ngarkuan të qetësonin vendin duke u marrë vesh me krerët shqiptarë.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare