Kryengritja e vitit 1492 në Shqipërinë e Poshtme
Edhe pas luftimeve të shqiptarëve me ushtritë osmane gjatë gjysmës së parë të viteve 80, vala e kryengritjeve antiosmane vazhdoi më tej.
Një nga vatrat e qëndresës antiosmane u bë Labëria. Për nënshtrimin e banorëve të saj u ngarkua sanxhakbeu i Vlorës, Komjan Arianiti, që kishte origjinë shqiptare. Më 1486 forcat e tij u dërguan kundër Labërisë, por ato pësuan disfatë edhe vetë Komjan Arianiti ra rob dhe u vra prej shqiptarëve, të cilët ndërkohë çliruan edhe kështjellën e Himarës. Për të shtypur kryengritjen erdhi vetë bejlerbeu i Rumelisë, Sinan Pasha, në krye të një ushtrie të fuqishme. Gjatë vitit 1486 trupat e tij kaluan nëpër bregdetin e Himarës dhe e shkretuan atë.
Gjatë vitit 1488 lëvizja antiosmane u shtri edhe në viset e Shqipërisë Qendrore. Kryengritësit e këtyre rajoneve dërguan përfaqësuesit e vet në Itali dhe kërkuan rikthimin në atdhe të Gjon Kastriotit që të vihej në krye të tyre. Por prej Mbretërisë së Napolit dhe vendeve të tjera evropiane me sa duket, ai nuk gjeti përkrahjen materiale dhe mjete lundrimi për të realizuar transportimin e forcave të tij.
Viti 1492 do të shënonte një nga pikat kulmore të luftës antiosmane, për shtypjen e së cilës u angazhua vetë sulltan Bajaziti II.
Pas përgatitjeve ushtarake intensive, në pranverë të vitit 1492 ushtria perandorake osmane me sulltanin në krye mori drejtimin për në Shqipërinë e Poshtme. Gjatë muajit maj 1492 ushtria osmane arriti në Tepelenë, ku vendosi kampin e vet. Ndërkohë, me qëllim që kryengritësve mos t’u lihej shteg ikjeje, një flotë osmane prej 300 anijesh, nën komandën e Sinan Pashës, kishte dalë në bregdetin e Shqipërisë së Poshtme më parë se sulltani të arrinte në Tepelenë.
Veprimet ushtarake kundër shqiptarëve sulltan Bajaziti II i filloi në muajin korrik. Mbasi shtinë në dorë kështjellat e Himarës e të Sopotit (Borshit), të cilat me urdhër të sulltanit u shkatërruan si çerdhe të kryengritësve, forcat ushtarake të sulltanit u orvatën të hyjnë në viset e brendshme, për të shpartalluar kryengritësit shqiptarë, të cilët bashkë me pleqtë, gratë e fëmijët, kishin kaluar në malet e Labërisë. Që nga lart shqiptarët lëshonin mbi ushtarët armiq shkëmbinjtë e malit. Armët e tyre ishin të thjeshta, shtizat në trajtën e gjuhës së gjarprit dhe shigjetat me majë të hekurt që ata i hidhnin me harqe druri. Megjithatë qëndresa e shqiptarëve ishte heroike. “Aq të shkathët janë ata në kohën e luftës, sa që shpata nuk ua cenon dot dorën dhe shigjeta nuk u prek as gishtin”, shkruan kronisti turk bashkëkohës Ibn Kemali, pjesëmarrës në këtë luftë.
Pas sulmesh të vazhdueshme të forcave të shumta osmane, kryengritësit e Labërisë u detyruan të përqendroheshin në dy maja mali, ku ata kishin ngritur kulla mbrojtëse. Njëri grup, me gjithë qëndresën heroike kundër ushtrisë së Rumelisë të komanduar prej bejlerbeut Jahja Pashës, u shtrëngua të dorëzohej me kusht që të lihej i lirë të ikte. Por pushtuesit e shkelën marrëveshjen dhe mbi kryengritësit e dorëzuar bënë kërdinë, burrave u prenë këmbë e duar dhe pastaj i hodhën tatëpjetë malit, gratë dhe fëmijët, që u gjetën në atë mal, i bashkuan me vargun e 8 000 robërve që kishin kapur gjatë këtyre operacioneve dhe, nëpërmjet skelës së Vlorës, i nisën për në tregjet e Lindjes që t’i shisnin si skllevër.
Nga ana tjetër, garda perandorake dhe ushtria e Anadollit nën komandën e Daut Pashës, u përpoqën të asgjësonin qëndresën që vazhdoi në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit pa asnjë përfundim. Afrimi i vjeshtës, vështirësitë e mëdha e shpenzimet që bëheshin për të mbajtur në këmbë një ushtri aq të madhe kundër një pakice shqiptarësh, e detyruan sulltan Bajazitin II të kërkonte dhe të arrinte një marrëveshje me kryengritësit. Në bazë të saj kryengritësit do të njihnin sundimin osman dhe, në shenjë bindjeje, do t’i paguanin sulltanit një tribut të vogël vjetor, kurse sulltani u njihte atyre të drejtën të vetëqeverisnin vendin në bazë të dokeve tradicionale, të kishin gjyqet e tyre dhe të mbanin armët lirisht. Kjo marrëveshje u dha mundësi kryengritësve të largonin rrezikun e vendosjes në krahinën e tyre të qeveritarëve osmanë dhe të sistemit të timareve.
Në fund të fushatës ushtarake osmane, kur ushtritë po largoheshin nga Tepelena, sipas kronistit osman të shek. XVI, Aliut, një kryengritës i veshur si dervish, iu vërsul në rrugë sulltan Bajazitit II, por nuk arriti ta vrasë. Pas këtij episodi, sulltani la një pjesë të ushtrisë në Shqipërinë e Poshtme për të rivendosur aty administratën osmane.