Kuvendi i Ferizajt (14-23 korrik 1908). Shpallja e kushtetutës

Kuvendi i Ferizajt (14-23 korrik 1908). Shpallja e kushtetutës

Lajmi mbi koncesionin e hekurudhës së Mitrovicës, si edhe marrëveshja anglo-ruse për reformat në Maqedoni, kishin krijuar në Kosovë një atmosferë shumë të nderë. Shpërthimi në këto rrethana i revolucionit përkoi në kohë me rritjen e lëvizjes së popullsisë shqiptare kundër zgjedhës turke dhe ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në Kosovë, që arriti kulmin e saj me thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, në korrik të vitit 1908. Ky Kuvend, si edhe lëvizja shqiptare e qershor-korrikut e vitit 1908, u zhvilluan për shkaqe krejtësisht të veçanta dhe të ndryshme nga ato të turqve të rinj dhe pikërisht për shkak të rrezikut të aneksimit nga Austro-Hungaria të territoreve shqiptare, përmes të cilave do të kalonte vija hekurudhore austriake.Lëvizja shqiptare, që solli si rrjedhim thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, i ka fillimet e saj në dhjetëditëshin e fundit të muajit qershor të vitit 1908. Qëndresa e armatosur filloi në rrethet e Mitrovicës qysh në prill-maj të vitit 1908 dhe vijoi më pas me grumbullimet e protestat e shqiptarëve në Prizren, në Prishtinë e në tërë vilajetin e Kosovës. Vatër e kësaj lëvizjeje u bë Ferizaj. Në shpërthimin e zemërimit popullor ndikoi edhe lajmi i përhapur ato ditë, sipas të cilit Porta e Lartë kishte ndërmend t’u shiste austriakëve tokat rreth Ferizajt për ndërtime dhe për vendosjen e kolonëve.
Më 5 korrik gjithë hapësira nga Kaçaniku e deri në Lipjan, me një shtrirje prej 40 km, ishte zënë nga shqiptarët e armatosur, të cilët kishin ardhur nga Kaçaniku, Ferizaj, Morava e Epërme dhe e Poshtme, madje edhe nga Podrima.

Më 9 korrik, sipas të dhënave konsullore serbe, në Ferizaj qenë mbledhur 15 000 veta të armatosur.
Thirrjes së kryengritësve për t’u bashkuar me ta, iu përgjigjën thuajse të gjitha kazatë e vilajetit të Kosovës. Më 15 korrik u mblodhën në Ferizaj njëri pas tjetrit krerët shqiptarë të sanxhakut të Prishtinës, ata të sanxhakut të Pejës, të atij të Prizrenit dhe të krahinave veriore të Kosovës, midis të cilëve qenë Isa Boletini, Ferhat bej Draga etj. nga Mitrovica; Bajram Curri, Sulejman agë Batusha etj. nga Gjakova; Qerim Mahmut Begolli etj. nga Peja; Jahja Beu dhe Rasim Aga nga Prizreni; Mustafa Lita, Ramadan Zaskoku etj. nga Luma; Fuat Pasha, Zenel agë Alushi etj. nga Prishtina; Zejnullah Beu dhe Abdyl Kadri efendiu nga Vuçiterna; Murat Aga etj. nga Tetova; Jakup Beu etj. nga Gjilani; Idriz Seferi që njihet edhe si organizator i këtij Kuvendi, Islam Pira, si edhe Hasan Prishtina.
Tubimin e tij të parë Kuvendi i Ferizajt e mbajti më 14 korrik. Në këtë mbledhje delegatët u shprehën kundër ndërhyrjeve të huaja, kundër refomave, që do të sillnin copëtimin e trojeve shqiptare dhe diskutuan për masat që duheshin marrë për mbrojtjen e vendit nga një invazion i mundshëm i jashtëm.

Kryengritësit kërkuan reforma për tërë Turqinë Evropiane, me të cilat t’u siguroheshin shqiptarëve dhe gjithë popujve të Perandorisë të drejta të plota kombëtare, të barabarta me ato të turqve, dhe që këto të garantoheshin me ligj e me kushtetutë. Konsulli serb në Prishtinë, dr. Peçanaci, duke u mbështetur në burime që ai i merrte për të sigurta, i shkruante Beogradit, më 15 korrik, se në Kuvend ishte diskutuar edhe çështja e formimit të një Shqipërie autonome dhe se pritej të merreshin vendime për këtë problem. Megjithatë, deri më sot nuk janë gjendur të dhëna të tjera që të vërtetojnë se Kuvendi i Ferizajt shtroi edhe kërkesën e autonomisë së Shqipërisë.
Shqiptarët u shprehën kundër projekteve të Fuqive të Mëdha për zbatimin e reformave vetëm për të ashtuquajturat vilajete maqedone, te të cilat shihnin rrezikun e copëtimit dhe të aneksimit të viseve shqiptare të vilajetit të Kosovës dhe të atij të Manastirit nga shtetet fqinje.
Por ngjarjet e mëtejshme, ndikimi i propagandës së turqve të rinj në radhët e lëvizjes shqiptare dhe veçanërisht zhvillimi me sukses i kryengritjes së turqve të rinj, i dha Kuvendit të Ferizajt një drejtim disi të ndryshëm, e tërhoqi atë në rrjedhën e lëvizjes së përgjithshme kundër absolutizmit të sulltanit, që dominoi jetën politike të Turqisë Evropiane në vitin 1908.

Për të tërhequr në anën e vet masën e madhe të kryengritësve shqiptarë, të mbledhur në Ferizaj, Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, me qendër në Selanik, dërgoi atje emisarët e vet, Galip Beun, komandat i xhandarmërisë së Shkupit, një nga krerët e komitetit xhonturk të atij qyteti dhe Selaedin Beun nga Manastiri, bashkë me disa të tjerë, që u bënë thirrje shqiptarëve të grumbulluar në Ferizaj të bashkoheshin me Revolucionin xhonturk, të kërkonin shpalljen e kushtetutës dhe mbledhjen e parlamentit.

Duke njohur aspiratat e vërteta kombëtare të shqiptarëve, xhonturqit dhe emisarët e tyre, përveç premtimeve për t’u dhënë atyre lirinë, barazinë e drejtësinë, u munduan t’i bindnin se me shpalljen e kushtetutës do të zhdukej edhe rreziku që kërcënonte tërësinë e territoreve shqiptare, do të merrnin fund ndërhyrjet e kontrolli i huaj, si edhe arbitrariteti i administratës osmane. Ata u premtuan gjithashtu shqiptarëve se me shpalljen e kushtetutës do të shpëtonin nga taksat dhe nga detyrimet e tjera të rënda, nga gjyqet e padrejta dhe nga arbitrariteti i shtetit osman dhe se nuk do të shkonin ushtarë.
Pas tri javë përpjekjesh turqit e rinj arritën të tërhiqnin shqiptarët e grumbullur në Ferizaj në Revolucionin e korrikut të vitit 1908. Në këtë ndikoi edhe qëndrimi i përgjithshëm i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i komiteteve dhe i çetave të armatosura shqiptare, që tanimë qenë bashkuar me Revolucionin xhonturk.

Vendimi përfundimtar për t’u bashkuar me revolucionin u mor më 20 korrik, kur pas diskutimeve që krerët shqiptarë bënë në mbledhjet e fshehta, Kuvendi i Ferizajt i dërgoi sulltan Abdyl Hamitit një telegram, në të cilin kërkonte që të rivendosej menjëherë kushtetuta e vitit 1876 dhe të mblidhej parlamenti, që donte të thoshte të vendosej në Perandorinë Osmane një regjim monarkist kushtetues e parlamentar. Më 22 korrik iu dërgua Pallatit një telegram tjetër, po nga Kuvendi i Ferizajt, ku thuhej se në rast se nuk shpallej menjëherë kushtetuta, populli me armë në dorë do të zbriste drejt Stambollit. Mendimi se masa prej 30 000 vetash të armatosur, të grumbulluar në Ferizaj, mund të marshonte drejt Shkupit, Selanikut e Stambollit shqetësoi jo vetëm sulltanin, por edhe xhonturqit, që i kishin nxitur shqiptarët të bashkoheshin me ta. Më 23 korrik, pa ardhur ende përgjigjja nga Stambolli, kryengritësit shqiptarë shpallën kushtetutën në Manastir, në Selanik, në Preshevë, në Kopryly dhe në qendra të tjera.

Bashkimi po ato ditë me xhonturqit i ushtrisë dhe sidomos i Armatës II të Maqedonisë, shumica e ushtarëve dhe e oficerëve të së cilës ishin shqiptarë, si edhe përkrahja e kryengritjes nga Kuvendi i shqiptarëve i mbledhur në Ferizaj, ishin faktorët vendimtarë, që përcaktuan fitoren e Revolucionit të korrikut të vitit 1908.
Më 23 korrik repartet kryengritëse, të përshëndetura nga popullsia hynë në Selanik, në Manastir dhe në qytete të tjera, ku “në emër të ushtrisë dhe të popullit” shpallën rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876.
Në rrethanat kur administrata osmane në Rumeli ishte shthurur dhe zotër të situatës ishin bërë xhonturqit, si edhe përballë rrezikut të një sulmi të ushtrisë kryengritëse kundër Stambollit, Abdyl Hamiti u detyrua të pranonte, natën e 23-24 korrikut, shpalljen e kushtetutës së vitit 1876 dhe rivendosjen e rendit kushtetues.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]