Lidhja Molose (çereku i parë i shek. IV para Krishtit)
Struktura e saj organizative
Gjatë sundimit të Alketës, birit të Tharypës, shteti molos mori zhvillim të mëtejshëm. Nuk është përcaktuar me saktësi se në ç’kohë dhe në ç’rrethana e trashëgoi fronin. Dihet se në vitin 385 p.e.sonë ai gjendej i strehuar politik tek Dionizi, tirani i Sirakuzës. Në burimet historike nuk jepen as motivet që e shtynë Alketën të braktiste fronin. Ka mundësi që ky, duke dashur të vazhdonte politikën e aleancës me Athinën, në një kohë kur kjo kishte pësuar tashmë humbje ushtarake dhe diplomatike nga Sparta, të ketë ndeshur në kundërshtimin e partisë filospartane. Në këtë kohë kjo filloi të aktivizohej shumë, sidomos pas fitoreve të Agesilaut në Akarnani (389-388 p.e.sonë), që i hapën rrugën Spartës për të shtrirë ndikimin e vet jo vetëm në Greqinë Veriperëndimore, por edhe në Epir.Dionizi që ishte interesuar dhe po vepronte aktivisht për të vendosur një kontroll efektiv në detin Adriatik dhe mbi rrugët që të çonin për në Epir, e mirëpriti Alketën dhe e ndihmoi atë që të rikthehej në fronin e humbur. Me këtë mënyrë tirani i Sirakuzës synonte të siguronte një aleat të ri, që do të përkrahte pikësynimet e tij politike dhe tregtare në brigjet e Ilirisë dhe të Epirit. Për këtë qëllim në vitin 385 p.e.sonë, Dionizi bëri një marrëveshje me Alketën për të ndërhyrë ushtarakisht në territorin e shtetit të molosëve duke i siguruar një ndihmë efektive në kontingjente luftarake dhe armatime. Ky sulm i papritur i forcave të bashkuara iliro-sirakuzane, u shkaktoi molosëve rreth 15 000 të vrarë sipas Diodorit të Sicilisë. Përforcimet që u dërgoi Sparta molosëve nuk e ndryshuan gjendjen e tyre të vështirë. Siç duket, ajo nuk u angazhua aq shumë në këtë luftë, pasi nuk ishte e interesuar të hynte në konflikt me Dionizin. Kështu ky aksion i nxitur prej tiranit të Sirakuzës përfundoi me sukses dhe me rivendosjen e Alketës në krye të shtetit molos.
Pasi përforcoi pozitat brendapërbrenda mbretërisë, Alketa vazhdoi politikën e zgjerimit territorial të shtetit të tij të filluar që në kohën e Tharypës, rivendosi marrëdhëniet e ndërprera për pak kohë, me Athinën. Në vitin 377 ndihmoi aktivisht Lidhjen e dytë detare të Athinës, duke lehtësuar veprimet e saj luftarake kundër Spartës në pellgun e Jonit. Në vitin 372 p.e.sonë Alketa i dha mundësi një reparti prej 600 pelltastësh të Stesiklit, të kalonin nëpër territorin molos dhe të lidheshin në Korkyrë përmes bregut të Epirit.
Me politikën e tij ekspansioniste, Alketa arriti të shtrijë sovranitetin e vet mbi një territor të konsiderueshëm të Epirit. Sipas një mbishkrimi dekretor të viteve 370-368 p.e.sonë kufijtë e Mbretërisë Molose që trashëgoi në këtë kohë i biri i tij Neoptolemi, shtriheshin në lindje deri në Hestiotiden perëndimore, në verilindje deri në kufijtë e Orestides në luginën e sipërme të Haliakmonit dhe në veriperëndim përmes një rripi toke deri në kufijtë e Parauejes në rrjedhjen e mesme të Vjosës. Molosët dolën në det siç duket në zonën e Kestrinës, në veri të lumit Kalama (Thiamis). Nga perëndimi pas aneksimit të Dodonës në fund të shek. V p.e.sonë, molosët e shtrinë kontrollin e tyre deri tek lugina e sipërme e Aheronit.
Kjo shtrirje territoriale e Mbretërisë Molose në kohën e Alketës, duket se përputhet plotësisht me cilësimin që i bën këtij sundimtari Polidami i Fardales në një fjalim të transmetuar nga historiani e gjenerali grek Ksenofoni, kur e quan atë “sundimtar suprem të Epirit”.
Këto të dhëna burimore dhe epigrafike tregojnë se në kohën e këtij sundimtari dhe të pasardhësit të tij kishte avancuar mjaft procesi i bashkimit politik të popullsive të veçanta të Epirit, proces ky që çoi në krijimin e organizimit më të gjerë shtetëror që njihet me emrin Lidhja e Molosëve.
Duke gjykuar nga të dhënat mbishkrimore të kësaj periudhe, në këtë Lidhje përveç molosëve bënin pjesë edhe shumë popullsi të tjera epirote, si tripolitët, kelaithët, paialët, arktanët, genoait, ethenestët, onopernët, etj. Këto grupe të veçanta etnike merrnin pjesë në qeverisjen e kësaj lidhjeje përmes përfaqësuesve të zgjedhur të tyre, të cilët në dekretet mbishkrimore quhen demiorgë ose synarhontë.
Një mënyrë e tillë qeverisjeje, i jepte këtij formacioni të ri shtetëror karakter federativ, por nën hegjemoninë e molosëve.
Lidhja Molose, e cila përfaqësonte etapën e parë në procesin e zgjerimit dhe të konsolidimit progresiv të shtetit federativ të Epirit, kishte një strukturë organizative të brendshme të përcaktuar qartë me institucione legjislative dhe ekzekutive. Në krye të Lidhjes së Molosëve qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve. Por pushteti i tij, ashtu siç e thekson Aristoteli, ishte i kufizuar. Mbreti kur merrte pushtetin në dorë, ishte i detyruar të bënte fli në altarin e hyut të luftës në Passaron dhe të betohej përpara përfaqësuesve të shtetasve të tij, se do të sundonte sipas ligjeve të vendit. Përfaqësuesit nga ana e tyre, i premtonin mbretit se do ta përkrahnin atë gjatë sundimit të tij. Ky betim tradicional midis mbretit dhe përfaqësuesve, ishte një formë e trashëguar nga rendi i vjetër fisnor, por që tani merr një përmbajtje të re duke siguruar me këtë ndikimin e aristokracisë në drejtimin e kësaj lidhjeje shtetërore.
Mbreti ishte komandant suprem i ushtrisë së Lidhjes Molose dhe gëzonte një pushtet të padiskutueshëm në kohë lufte. Pas mbretit funksionari më i lartë në Lidhjen Molose vinte Prostati, një magjistrat eponym që zgjidhej për çdo vit nga komunitetet e ndryshme etnike të bashkuara në këtë lidhje. Ai kryesonte kuvendin e popullit, e thirrte atë, drejtonte punët e tij, paraqiste propozimet për t’u miratuar etj.
Në mbishkrime së bashku me prostatin përmendet edhe sekretari, që zgjidhej për çdo vit zakonisht nga i njëjti fis, të cilit i përkiste dhe prostati. Kuvendi i popullit përbëhej, me sa duket, nga të gjithë burrat e aftë për luftë, qofshin këta molosë apo anëtarë të bashkësive të tjera që përfshiheshin në Lidhjen e Molosëve. Ky kuvend votonte vendime, të cilat akordonin të drejta qytetarie, proksenie dhe privilegje të tjera. Në këtë kuvend legjislativ mund të merrnin pjesë të gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë të të gjitha komuniteteve etnike të përfshira në Lidhjen e Molosëve. Kuvendi mund të mblidhej disa herë në vit, me përjashtim të rasteve të jashtëzakonshme. Vendi i mbledhjeve të tij ishte Passaroni, megjithëse ato mbaheshin edhe në qendra të tjera, si p.sh. në Dodonë etj.
Vendimet apo ligjet për të cilat votonte Kuvendi, përgatiteshin siç duket nga një institucion tjetër i veçantë, nga Këshilli. Ky ndoshta ishte ai senat për të cilin flet Justini duke ia atribuar krijimin e tij mbretit Tharypë.
Organ tjetër, i ndryshëm nga Këshilli, ishte dhe kolegji i përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme në Lidhjen e Molosëve, me anë të të cilëve ato merrnin pjesë në drejtimin e përbashkët të punëve të shtetit. Në krye të këtij kolegji, qëndronte mbreti nga familja e Eakidëve dhe dy magjistratët e zgjedhur çdo vit, prostati dhe sekretari, të cilët mund të ishin molosë ose jo. I tërë ky organizim shtetëror i jepte Lidhjes Molose, që përfaqësonte njëkohësisht dhe shtetin më të fuqishëm në Epir deri në çerekun e fundit të shek. IV p.e.sonë, formën e një shteti federativ monarkik.
Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. Frano Prendi