LUFTA E DYTË ILIRO-ROMAKE

LUFTA E DYTË ILIRO-ROMAKE
Përpjekjet për t’u shkëputur nga varësia romake

Në vështrimin e parë mund të duket se punët në Iliri u rregulluan në atë mënyrë që garantonin respektimin e traktatit të paqes dhe një sundim të qetë për pushtuesin. Megjithatë, ngjarjet politike treguan se as ilirët, as fqinjët e tyre maqedonët, nuk donin të pajtoheshin me gjendjen e krijuar.
Në vitet që pasuan luftën e parë, Demetër Fari u bë regjent i Mbretërisë Ilire, në vend të Teutës, që thuhet se kishte vdekur apo abdikuar. Nuk dihet nëse ky akt u krye me pëlqimin e Romës, por është e sigurt se duke shtrirë pushtetin e tij mbi gjithë Mbretërinë Ilire, Demetri u forcua mjaft. Nuk duhet përjashtuar që në këtë rast ai të ketë pasur edhe përkrahjen e komandantit të njohur të Teutës, Skerdilaidit, me të cilin bashkëpunoi për një kohë.

Pas vitit 225 ose pak më vonë vihet re largimi i Demetrit nga miqësia me Romën, që u pasqyrua në veprimet e pavarura të tij. Në vitin 223 ai mori pjesë në invadimin e Peloponezit si aleat i mbretit të Maqedonisë, Antigon Dozonit dhe në vitin pasues forcat ilire të komanduara prej tij luajtën një rol vendimtar në betejën e Selanisë. Këto veprime të Demetrit, megjithëse nuk drejtoheshin haptazi kundër Romës, shprehnin qartë tendencën e tij për t’u shkëputur nga varësia romake dhe preknin me këtë pozitën e Republikës në Iliri.

Është pohuar se Farosiani mundi të veprojë lirisht për shkak të “indiferentizmit” që treguan romakët ndaj ngjarjeve në Lindje, ose sepse ekzistonte një keqkuptim në përcaktimin e marrëdhënieve midis ilirëve dhe Republikës, që buronte nga mënyra e ndryshme e të menduarit dhe të kuptuarit të këtyre marrëdhënieve nga palët. Por do të ishte gabim të hidhej poshtë vlerësimi që i bënte Polibi situatës dhe të nënvleftësohet ndikimi që patën ngjarjet në Itali dhe
Greqi ndaj qëndrimit të Demetrit. Nuk ka dyshim se sulmi gal dhe rreziku kartagjenas lehtësuan veprimet e Dozonit në Greqi dhe përcaktuan pozitën e Farosianit. Para Romës së kërcënuar në Perëndim Demetri preferoi aleancën me Maqedoninë. Roma në fund të fundit nuk i kishte kënaqur ambicjet e tij pas luftës së parë, kurse ai tani donte të forconte pozitat e fituara si sundimtar i shtetit ilir, duke shfrytëzuar vështirësitë e Republikës.

Senati e kuptoi atë që po ndodhte në Iliri dhe provoi ta frenonte Demetrin. “E thirri në Romë, sepse ishte bërë kryelartë dhe i rëndë…”, por pas kësaj ai u tregua edhe më i pabindur dhe u hodh në veprim të hapur kundër Romës. Në vitin 221 bëri për vete istrianët dhe së bashku me ta sulmoi anijet italike, kurse më 220 ndërmori veprime edhe më të guximshme; pushtoi disa nga qytetet e Ilirisë që ishin nën vartësinë e Romës dhe nxiti një kryengritje të atintanëve, rezultat i së cilës qe largimi i tyre prej romakëve. Më në fund, në përkrahje të veprimeve maqedone në Greqi, ai ndërmori së bashku me Skerdilaidin një ekspeditë detare kundër Pylosit (në Meseni) dhe këndej u hodh me anijet e tij kundër Cykladeve.

Për shumë vite me radhë, Roma nuk qe në gjendje të merrte masa kundër Demetrit, por sidoqoftë në vitet e fundit gjendja për të qe bërë më e favorshme. Ajo ishte lehtësuar nga pesha e rëndë e luftës me galët, kurse në Greqi pas vdekjes së Antigon Dozonit ishin riaktivizuar, jo pa nxitjen e saj, armiqtë e Maqedonisë, me shpresën se pasardhësi i tij, Filipi V, për moshën e re nuk do të ishte në gjendje të mbante frenat e vendit.

Ndërsa Demetri po e forconte aleancën me pasardhësin e Dozonit, një e çarë u vërtetua edhe në marrëdhëniet e tij me Skerdilaidin. Ajo u shfaq pas dështimit të sulmit kundër Pylosit, por shkaqet duhen kërkuar më thellë. Skerdilaidi nuk e ndoqi Demetrin në ekspeditën e tij në Iliri. Rrugës u ndal në Naupakt. Këtu, me ndërmjetësinë e mbretit të athamanëve, që e kishte të tijin, ai mori një vendim të papritur: u lidh me etolët dhe i ndihmoi në veprimet e tyre kundër aleatëve të Maqedonisë. Shenja të mospajtimit me politikën e Demetrit ishin shfaqur në Iliri edhe më parë.

Forca ilire të kundërta me të kishin sulmuar Maqedoninë në kohën kur Demetri luftonte përkrah Dozonit në Selasi dhe mbreti maqedon qe detyruar të kthehej me të shpejtë për të shpëtuar vendin nga ky rrezik. Edhe më vonë Demetri qe detyruar të merrte masa të rrepta ndaj kundërshtarëve të tij në qytetet e Ilirisë e t’ua jepte pushtetin miqve të besuar. Tani që Skerdilaidi kishte marrë vendim, Filipi V u detyrua të ndërhynte vetë për ta neutralizuar dhe në takimin që pati me të mundi ta bindë që të largohej nga etolët me premtimin se “do ndihmonte për të rregulluar punët e Ilirisë”; megjithëse Skerdilaidi pranoi të lidhte aleancë me Filipin, marrëdhëniet me Maqedoninë nuk gjetën në vitet që pasuan terren të përshtatshëm për t’u zhvilluar e forcuar.

Veprimet e etolëve e kishin detyruar Filipin, nga ana tjetër, t’u shpallte këtyre luftë, por si përgjigje pati një kryengritje të “kleomenistëve”, miq të Etolisë në Spartë. I tërhequr nga ngjarjet në Greqi, Filipi qe detyruar të lërë mënjanë çështjet e Ilirisë dhe Farosiani mbeti i vetmuar përballë Romës.
Gjendja e turbullt në Iliri dhe në Greqi i lejoi senatit të ndërhyjë me forca të armatosura për të rivendosur autoritetin e tronditur në brigjet lindore të Adriatikut. Kjo i duhej Romës edhe për një arsye tjetër të rëndësishme: në perëndim
kishin filluar të bëheshin gjithnjë më të qarta shenjat e një konflikti të afërt me Kartagjenën.

Në pranverën e vitit 219 romakët zbritën për të dytën herë me ushtritë e tyre në brigjet e Ilirisë. Këtë radhë ata e drejtuan goditjen kundër pikave më të rëndësishme të mbrojtjes së Demetrit në jug kundër qytetit Dimale, kurse në veri kundër kryeqendrës së tij, Farit. Megjithëse këto dy qendra ishin shumë të fortifikuara dhe me gjithë masat mbrojtëse që kishte marrë Demetri, Dimale nuk i qëndroi sulmit romak veçse një javë. Fari ra gjithashtu shumë shpejt si rezultat i një dredhie taktike të romakëve; konsulli e shkatërroi krejt qytetin. Demetri mundi të shpëtojë duke u larguar fshehurazi me një anije të vogël dhe arriti te Filipi, ku qëndroi deri në fund të jetës së tij si këshilltar i keq i mbretit të Maqedonisë.

Polibi tregon se pas kësaj konsulli “pushtoi dhe pjesën tjetër të Ilirisë dhe i rregulloi punët si deshi vetë”. Ky pohim nuk duhet të jetë i saktë, sepse po ky autor e përmend Skerdilaidin ende të pavarur në veprimet e tij dhe si aleat të Filipit në vitin 218. Me sa mund të gjykohet prej Apianit, vetëm Pineu iu nënshtrua romakëve dhe nënshkroi me ta marrëveshje e traktate të dyta, kurse Skerdilaidin ata nuk e prekën dhe me sa duket e kursyen, megjithëse edhe ai kishte shkelur traktatin e vitit 228. Kjo mund të mendohet edhe për atintanët kryengritës apo për ndonjë nga popullsitë dhe qytetet e tjera. Konsujt duhet të kënaqeshin këtë radhë me dëbimin e Demetrit dhe të ktheheshin me të shpejtë në atdhe, sepse Hanibali e kishte sfiduar keq Republikën me veprimet e tij në Spanjë. E konsideruan se me këtë aksion kishin treguar në mënyrë të mjaftueshme forcën e Romës, pa e zgjeruar luftën në Iliri dhe pa hyrë në konflikt të hapur me Maqedoninë; morën me vete skllevër dhe plaçkë të shumtë dhe u kthyen në Romë ku festuan fitoren mbi Farin me një triumf të bujshëm, megjithëse lufta që kishin bërë nuk e meritonte këtë.

Historia shqiptare

 

 

[cite]