MËSHKALLA Atë Pjetër

MËSHKALLA Atë Pjetër
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik. Lindi në Shkodër, më 25 shtator të vitit 1901. Mësimet fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, kurse të lartat në Linc (Austri), në Goricë të Sllovenisë dhe në Fakultetin e Filozofisë në Napoli (Itali). Më 1931 u shugurua meshtar i Shoqërisë së Jezuit në Shkodër dhe dha letërsi, gjuhë shqipe e filozofi në Seminarin Papnor. Më 1934 themeloi rrethin «Shën Gjon Bosco» për edukimin e rinisë, dhe vazhdoi në Tiranë më 1937 në rrethin e «Shën Pjetrit». Në vitin 1945, regjimi komunist i kërkoi bashkëpunim. Por ai, jo vetëm që nuk pranoi, por në pretkun e mbajtur me rastin e vdekjes së Imzot Luigj Bumçit [shih], demaskoi hapur regjimin. Për ketë arsye, më 1946 u arrestua. Pas një hetuesie të gjatë, më 18 prill 1947, Gjykata Ushtarake e Granizonit të Tiranës, e dënoi me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave për pesë vjet, si një nga themeluesit e organizatës «Bashkimi Kombëtar» dhe për agjitacion e propagandë. Në po këtë gjyq u dënuan edhe Dom Shtjefën Kurti [shih] e Imzot Irine Banushi [shih]. Dënimin e vuajti në disa kampe pune dhe në burgun e Burrelit, prej ku dhe u lirua më 1961, por pa të drejtën e shërbimit si meshtar. Kur në Shkodër po zhvillohej «Revolucioni kulturor», ai i dërgoi një letër Mehmet Shehu, ku në fund i shkruante: «Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit». Ndaj, më 29 prill 1967, në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, u organizua një mbledhje për «demaskimin» e veprimtarisë së tij. Dhe më 19 korrik të po atij viti, me vendim nr. 44, Gjykata e Shkodrës e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë për «agjitacion e propagandë». Pas lirimit më 1978, u internua në kampin e Vlorës. Vdiq me 28 korrik të vitit 1988. Është kleriku i parë që u dekorua më 1992 «Pishtar i Demokracisë». Fritz Radovani, At Pjeter Meshkalla S.J., “At Gjergj Fishta OFM”, Tiranë, 1993.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]