Marrëveshja me kryengritësit e Shqipërisë së Jugut
Në ditët e para të gushtit qeveria e Stambollit iu drejtua me një thirrje banorëve të Beratit, të Vlorës, të Tepelenës, të Fierit, të Gjirokastrës, të Delvinës etj., në të cilën shpallte faljen e kryengritësve që ktheheshin në shtëpitë e tyre pa armë, dhe premtonte hapjen e shkollave shqipe, përdorimin e alfabetit latin, përmirësimin e gjendjes ekonomike etj. Por edhe kjo thirrje nuk i bindi kryengritësit, që nuk pranuan të dorëzonin armët.Edhe në këtë kohë kryengritësit e Shqipërisë së Jugut, ashtu siç bënë në kërkesat e parashtruara në Manastirin e Cepos, synonin të fitonin të paktën të njëjtat lëshime që iu bënë edhe malësorëve të Shqipërisë së Veriut. Kjo kërkesë për privilegje të njëjta për të gjithë shqiptarët, nënkuptonte njohjen e shqiptarëve si një komb i bashkuar. Një kërkesë e tillë përfshinte edhe çështjen, sa të mprehtë po aq dhe delikate, siç ishte përcaktimi i kufijve, i territoreve ku do të zbatoheshin dhe do të shtriheshin këto privilegje. Kjo do të ishte një nga mënyrat për të veçuar kombësinë shqiptare nga fqinjët, për t’u prerë rrugën pretendimeve shoviniste të shteteve ballkanike mbi trojet shqiptare. Kjo shihej nga shqiptarët e Jugut si një masë, e cila mund të largonte sado pak rrezikun e copëtimit të vendit.
Këtë kërkesë e përkrahën edhe shqiptarët e mërguar, shoqëritë dhe shtypi i tyre, që kërkuan nga qeveria xhonturke “t’u zbatojë të tanë shqiptarëvet venomet që iu dhanë malësorëvet”.
Por pas përfundimit të kryengritjes në Veri, Porta e Lartë hodhi trupa të shumta ushtarake në Shqipërinë e Jugut. Në këto rrethana edhe kryengritësve të Shqipërisë së Jugut nuk u mbeti rrugë tjetër veçse të pranonin marrëveshjen me qeverinë xhonturke. Më 18 gusht 1911 u mbajt në Tepelenë mbledhja e përfaqësuesve të parisë dhe e komandantëve të çetave të kësaj treve. Në mbledhje morën pjesë, si të dërguar të qeverisë, edhe Abdyl Ypi e Fejzi Alizoti, të cilët u përpoqën t’i bindnin kryengritësit “për rrezikun” që do t’i vinte vendit “nga kërkesat e tyre të pamenduara mirë”.
Shqiptarët në jug të vendit u detyruan të pranonin propozimet e qeverisë: amnisti e përgjithshme; mësimi i gjuhës shqipe në shkollat shtetërore (me alfabetin latin); subvencionimi nga ana e shtetit i shkollave shqipe; caktimi i nëpunësve, që njohin gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në kohë paqeje në vend; caktimi i taksave të popullsisë, sipas mundësive të vendit; rindërtimi i disa urave; mbajtja e armëve me leje të posaçme; rihapja e Shkollës Normale të Elbasanit dhe caktimi i fondit për mbajtjen e saj.
Me mbledhjen e Tepelenës dhe me dorëzimin e shumicës së kryengritësve iu dha fund përkohësisht kryengritjes edhe në Shqipërinë e Jugut. Por edhe këtu, pati shumë kryengritës, që nuk e pranuan marrëveshjen me qeverinë.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare