Memorandumi i Greçës

Memorandumi i Greçës

Mbërritjen e komisionit të klerikëve në Mal të Zi dhe përpjekjet e xhonturqve për t’u marrë vesh me ta, kryengritësit e shfrytëzuan për të dalë para qeverisë osmane dhe Fuqive të Mëdha sërish me kërkesën e autonomisë së Shqipërisë. Me nismën e Komitetit të kryengritjes (të Podgoricës), u mblodh në pllajën e Greçës, në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili më 23 qershor miratoi dokumentin më të rëndësishëm të kryengritjes, të njohur me emrin “Memorandumi i Greçës”, i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Këtë dokument, i njohur si “Libri i Kuq” (për shkak të ngjyrës së ballinës së broshurës në të cilën u shtyp) ia paraqiti Kuvendit të krerëve të kryengritjes Luigj Gurakuqi.
Me këtë akt kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët.Në hyrje të memorandumit (“Librit të Kuq”) flitet për ndihmën që dhanë shqiptarët për të sjellë xhonturqit në fuqi. Disa privilegje që u kishte njohur deri atëherë sulltani autokrat krahinave malore, theksohet në këtë dokument, nuk i penguan shqiptarët të ngriheshin e të kërkonin kushtetutën për të gjithë popujt e shtypur. Por shpresat e tyre te regjimi kushtetues nuk u përligjën. Madje ishin xhonturqit ata që me politikën e tyre i shtynë shqiptarët të rrëmbenin armët e të luftonin për të drejtat e tyre. Shqiptarët, aleatë të xhonturqve, u bënë më e para viktimë e politikës së egër nacionaliste e xhonturqve. Mbi shqiptarët u turrën taborret e Xhavit Pashës dhe të Shefqet Turgut pashës. Por edhe pasi shqiptarët i dhanë armët, theksohej në hyrjen e “Librit të Kuq”, turqit e rinj nuk mendonin aspak t’i zbatonin reformat e premtuara.

Në memorandum parashtroheshin këto kërkesa: t’u jepej garanci se nuk do të përsëriteshin veprimet antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale në të gjithë Shqipërinë dhe se do të respektoheshin fetë e zakonet e vendit; të njihej kombi shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera të Perandorisë Osmane; të kishte liri të plotë për zgjedhjen e deputetëve shqiptarë, numri i të cilëve të ishte në përpjesëtim me popullsinë; të kishte liri për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave shqipe; të bëhej bashkimi i vilajeteve, ku jetojnë shqiptarët, sipas decentralizimit administrativ, dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të drejtat zakonore të vendit; nëpunësit e lartë të dinin gjuhën e zakonet e vendit; të gjithë nëpunësit civilë dhe financiarë të ishin shqiptarë, ndërsa gjyqtarët, xhandarët e policët të ishin gjithashtu vendas; të caktohej një guvernator i përgjithshëm nga sulltani për një periudhë të caktuar; të përdorej gjuha shqipe në administratë, në gjyqe e kuvende, përkrah turqishtes, që mbetej gjuhë zyrtare e qeverisë qendrore; shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë në kohë paqeje të kryhej në vend, ndërsa për banorët e zonave kufitare të organizohej një shërbim i veçantë ushtarak, që do të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur kufijtë; të përdoreshin në vend, për ndërtime rrugësh, hekurudhash, shkollash e të tjera, të ardhurat fiskale me përjashtim të atyre të doganës, të postës, të telegrafës, të duhanit, të alkoolit dhe të pullave, të cilat ishin monopole të shtetit ose u ishin dhënë të huajve sipas kapitulacioneve; t’u njihej fshatarëve e drejta për prerjen e pyjeve sipas një takse; këshillat e përgjithshme të kishin të drejtë të jepnin vendime për buxhetin e vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet; të jepeshin fonde të nevojshme për rregullimin e shtëpive e të dëmeve të tjera të shkaktuara nga operacionet e ushtrive osmane dhe t’u ktheheshin shqiptarëve armët që u ishin marrë.

Memorandumi i Greçës parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë, ashtu siç ishte konceptuar ajo në platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare qysh nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin tij morën pjesë veprimtarët atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive shqiptare të mërgimit. Përmbajtja kombëtare e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm për të kundërshtuar trillimet e qeverisë turke dhe të propagandës së shteteve fqinje që mohonin karakterin e vërtetë kombëtar të lëvizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si kryengritje fetare për ruajtjen e venomeve të vjetra lokale. Pranimi i kërkesave të Greçës, siç pohonte Ismail Qemali, do të ishte një fitore e nacionalizmit shqiptar. Këto kërkesa drejtoheshin njëherazi kundër politikës së qeverisë malazeze, e cila orvatej me anën e agjentëve të saj t’i bindte malësorët të viheshin nën mbrojtjen e Malit të Zi.
Memorandumi ushtroi ndikim të fuqishëm edhe në pjesët e tjera të Shqipërisë dhe nxiti përpjekjet që u bënë për kthimin e kryengritjes së Veriut në një kryengritje të përgjithshme.
“Libri i Kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin Beut, që e pranoi atë pa dhënë ndonjë përgjigje. Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e kërkesave të tyre, një delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci etj., ua dorëzoi Memorandumin e Greçës përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Cetinë.

Ndërkaq Shefqet Turgut pasha shpalli një proklamatë të dytë, me të cilën shtyhej afati i dorëzimit të kryengritësve edhe 15 ditë të tjera, duke filluar nga 27 qershori. Malësorët lajmëroheshin gjithashtu se Porta kishte dërguar një vali dhe një kajmekam, që dinin gjuhën shqipe. Por më 9 korrik Stambolli u detyrua t’a shtynte për të tretën herë afatin e dorëzimit të kryengritësve edhe për 20 ditë të tjera.
Me gjithë kërkesat këmbëngulëse të kryengritësve, qeveria osmane nuk kishte ndërmend t’i jepte autonominë Shqipërisë. Ajo e quante këtë të papranueshme, si një akt që do të sillte me vete shkatërrimin e Perandorisë Osmane.

Stambolli vijoi të përdorte kundër malësorëve 50 batalione të komanduara nga Shefqet Turgut pasha, me 70 000 ushtarë e 60 gryka artilerie me qitje të shpejtë. Për të përligjur luftën e gjatë me malësorët dhe këtë përqendrim të forcave të shumta në Shqipëri kundër një grushti malësorësh, propaganda zyrtare turke shpalli se në kryengritje ishin çuar 20 000 malësorë. Në të vërtetë, gjithë familjet e kryengritësve, që ishin mbartur në Mal të Zi për t’i shpëtuar terrorit xhonturk, arrinin në rreth 15 000 veta, ndërsa në radhët e luftëtarëve ishin vetëm 4 000 kryengritës.
Megjithatë, në përpjekjet me kryengritësit, Shefqet Turgut pasha la qindra të vrarë. Ai u detyrua të pranonte, se “… çdo ditë janë bërë përpjekje të ashpra e të vazhdueshme, kryengritësit i kanë dalë zot çdo shkëmbi, çdo shtëpie dhe e kanë lënë vendin vetëm duke dhënë jetën”. Përkrah burrave luftuan edhe gratë malësore, ndër të cilat u dalluan Tringë Smajlja e Norë Kolja. Në luftë merrnin pjesë gjithashtu të rinj 16 vjeçarë dhe pleq deri në 70 vjeç. Vetë udhëheqësi i kryengritësve Dedë Gjo Luli ishte 71 vjeç.
Malësorëve u dha dorë taktika e luftimit në grupe të vogla kundër armikut shumë të madh në numër dhe njohja e terrenit. Ata zinin shtigjet e qafat e pakalueshme. Sulmonin armikun aty ku ai nuk e priste dhe tërhiqeshin në rregull, pa dëme.

Por lufta e kryengritësve vështirësohej nga mungesa e armëve, e municioneve dhe e ushqimeve. Lufëtarët ishin gjysmë të uritur. Ndihmat që vinin nga kolonitë dhe nga vendet e tjera nuk mjaftonin për t’i mbajtur ata dhe refugjatët e shumtë, që qenë mbledhur në Mal të Zi.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës dhe kërkesat e saj tërhoqën vëmendjen e diplomacisë britanike. Përfaqësues të kryengritësve siç ishte Mark Kakarriqi iu drejtuan asaj në mënyrë të posaçme. Duke përfituar nga memorandumi, që kryengritësit shqiptarë ua drejtuan Fuqive të Mëdha, E. Grej, ministri i Jashtëm britanik, qysh më 26 qershor kërkoi të ndërhyhej kolektivisht pranë Portës në përkrahje të shqiptarëve, për të kënaqur kërkesat e tyre për gjuhën, shkollën, ndërtimin e rrugëve dhe për amnistinë e përgjithshme.

Por ky propozim nuk gjeti përkrahje te Shtetet e tjera të Mëdha. Gjermania e kundërshtoi një hap të tillë, duke deklaruar se kjo do të merrej nga Stambolli si ndërhyrje në punët e brendshme të Turqisë. Vjena iu përmbajt po atij qëndrimi të mëparshëm, të mosndërhyrjes. Franca gjithashtu nuk u tregua e gatshme të bashkohej me nismën e Anglisë, kurse qeveria ruse shprehu dyshimin nëse shqiptarët do të kënaqeshin me lëshimet e propozuara nga Grej, kur dihej se ata kërkonin autonominë.

Nga ana tjetër, edhe shqiptarët, duke parë interesimin e Forein Ofisit, në një memorandum të veçantë që i drejtuan qeverisë angleze, posaçërisht E. Grejit, më 12 korrik kërkuan edhe një herë autonominë e Shqipërisë. Në memorandum thuhej: “… na po bajmë fli për arsye të nalta politike dëshirat e pavarësisë që frymëzojnë popullin shqiptar tash pesë shekuj, e lypim vetëm autonomi të gjanë…”.
Në memorandum bëhej fjalë gjithashtu për terrorin që ushtria osmane po ushtronte në fshatrat e Malësisë, ku plaçkiste, digjte e rrënonte çdo gjë. Ndërsa shqiptarët i lironin ushtarët osmanë që zinin rob, thuhej në këtë dokument, turqit hakmerreshin edhe mbi popullsinë e paarmatosur, mbi pleqtë, mbi gratë e fëmijët. Në të flitej edhe për rastet kur njerëzit digjeshin të gjallë nga ushtarët.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]