MUZHANI Dom Pashko
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Klerik katolik. Lindi më 31 janar të vitit 1915, në Muzhan të Shkodrës. Që prej vitit 1925 familja e tij u zhvendos në qytet. Pas kryerjes së studimeve të para në qytet, në vitin 1930 kaloi në Institutin Salezian “Cardinal Cagliero Ivrea” në Torino, por pas pak kohësh u kthye në atdhe. Në vitin 1931 ndoqi studimet në Kolegjin Saverian të Shkodrës dhe më 1932 në Seminarin Papnor. Më 1937 filloi studimet në Kolegjin Urban të Propaganda Fides në Romë, ku mbaroi vitin e fundit të filozofisë dhe katër vitet e teologjisë, duke u shuguruar meshtar. Meshën e parë e mbajti më 29 qershor 1942. Në korrik të po atij viti u kthye në Shqipëri, dhe në gusht u emërua ndihmësfamullitar i Tiranës. Nga nëntori i 1944-s deri në nëntor 1947, kur u mor në shërbimin ushtarak, shërbeu si famullitar i Zhejës. U arrestua në radhët e ushtrisë, më 25 gusht 1948, dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie, sepse “ka patur armën pistoletë, të fshehur në fletët e Ungjillit”, objekt që qëndroi për shumë kohë në ekspozetë e Muzeut Ateist në Shkodër. U lirua në krye të dhjetë viteve, më 14 mars 1958, dhe qëndroi pranë familjes së vet në Shkodër. Shërbeu për disa kohë edhe si korrier i Kryesisë së Kishës. Në tetor të vitit 1966, Kuria Arqipeshkvnore e Durrësit e caktoi famullitar të Zhejës dhe administrator të Mamurrasit, por vendimi për emërimin e tij nuk u pranua nga pushteti lokal i Durrësit. Pas mbylljes së kishave më 1967, qëndroi në disa familje shkodrane, duke bërë punë nga më të rëndat për të mbijetuar. Pas rihapjes së kishave, shërbeu në disa famulli të Durrësit. Vitet e fundit i kaloi pranë kuvendit françeskan, te kisha e Shna Ndout në Tiranë, ku dhe vdiq më 1995. U varros në varrezat e Rrmajit, në Shkodër. Dr. Pjetër Pepa, Tragjedia dhe lavdia e klerit katolik në Shqipëri, “55”, Tiranë, 2007, Vol. II, II, f. 142-144.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI V
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]