Ndjenja fetare te shqiptarët në Mesjetë
Gjithçka flet për atë që feja dhe ndjenjat fetare qenë rrënjosur dhe qenë pjesë e pandarë e jetës dhe e ekzistencës. Por duke folur për ndjenjën fetare (besimin) të shqiptarëve në mesjetë, duhet thënë se ajo trashëgoi edhe një dozë të madhe të besimeve e riteve tradicionale pagane, gjë që i jepte asaj edhe tipare specifike. Rite të tilla shoqëronin çdo aspekt të jetës: lindjen, vdekjen, punën, martesën, madje ato kishin depërtuar edhe në vetë kultin e shenjtorëve të krishterë. Kështu, kulti i Shën Gjergjit, i Shën Ilias, i Shën Martinit, i Shën Nikollës, i Shën Vlashit etj., ishin të mpleksur me plot motive pagane. Të tillë shenjtorë, më tepër se simbole të krishtera, nderoheshin e festoheshin si luftëtarë kundër së keqes, mbrojtës të njerëzve e të bagëtive, begatues të tokës, shërues të sëmundjeve, pra, njëlloj siç ishin nderuar perënditë pagane të lashtësisë. Në jetën e përditshme vazhdonin të kryheshin praktika pagane, siç ishte ajo e flijimit, e therjes së një kafshe, sa herë që ndërtohej një shtëpi, një urë apo një kështjellë. Akti i flijimit shpeshherë bëhej nga dora e një prifti. Shqiptarët i besonin Zotit të të krishterëve, por njëherësh tregonin nderim e frikë edhe ndaj “zotave” të tjerë, demonëve, shpirtrave të këqinj, zanave, vitores (gjarprit mbrojtës të shtëpisë e të familjes), hajmalive etj., etj. Gjithë kjo trashëgimi pagane në besimin e shqiptarëve shihej me sy të keq dhe luftohej nga kisha zyrtare. Në fakt këto i jepnin krishterimit shqiptar tiparet e një krishterimi popullor, jodoktrinor, dhe si të tillë e bënin të prekshëm nga lëvizjet kontestuese (herezitë), që trondisnin herë pas here kishën zyrtare. Një ndër këto herezi, që njohu përhapje të gjerë në Shqipëri nga shek. X dhe që aty-këtu mbijetoi deri në shek. XIV, është ajo e bogomilizmit, e quajtur kështu prej priftit bullgar Bogomil, që njihet si frymëzuesi i saj. Bogomilizmi, si çdo lëvizje dualiste, e quante botën të ndërtuar mbi bazën e dy parimeve: të së mirës dhe të së keqes. E mira përmblidhte botën shpirtërore, kurse e keqja identifikohej me natyrën e pasurinë. Në këtë të dytën përkrahësit e bogomilizmit përfshinin edhe institucionet e shtetit dhe të kishës, simbole të pushtetit, dhunës e të pasurisë, krijesa të Satanait. Kështu, idetë bogomile e kapërcenin kuadrin e një disidence të thjeshtë fetare dhe merrnin formën e lëvizjeve të vërteta shoqërore. Kjo shpjegon masivitetin e jashtëzakonshëm që njohu bogomilizmi, si dhe ashpërsinë me të cilën perandorët bizantinë u përpoqën ta mbytnin këtë lëvizje.
Në Shqipëri “herezia” bogomile pati një përhapje mjaft të gjerë dhe këtu ishte një nga vatrat kryesore të saj. Domethënës është fakti se i pari shqiptar, që na përcillet me emër tipik kombëtar nga burimet mesjetare, është një farë Leka, drejtues rreth vitit 1070 i një lëvizjeje bogomile në rrethet e Sofjes, ku ai kishte shërbyer deri atëherë si funksionar bizantin. Shqipëria ishte gjithashtu një nga vatrat, nga ku herezia bogomile u përhap drejt Italisë. Në shek. XIII përkrahësit e bogomilit (patarinët) kishin krijuar në Itali një kishë të tyre, në opozitë me Romën, e cila në disa vende të Italisë së Veriut quhej “kisha shqiptare” (ecclesia Albanensis), duke treguar kështu vendin e origjinës nga ku kjo herezi kishte ardhur në Itali.
Problemi i devocionit dhe i ndjenjave fetare te shqiptarët është po aq i ndërlikuar si dhe vetë problemi i fesë dhe i kishës. Është e vërtetë se burimet historike nuk mungojnë të shënojnë herë-herë mungesën e pasionit fetar, shfaqje të sinkretizmit apo raste të shkeljeve flagrante të normave e të moralit të kishës jo vetëm nga laikët, por dhe nga vetë klerikët. Ndërkaq më shumë ato dëshmojnë për të kundërtën, për përshpirtshmërinë e devocionin fetar të tyre.
Në këtë kuadër është një tregues vetë numri i madh i kishave dhe i institucioneve të tjera fetare, të ndërtuara prej sundimtarëve vendas dhe shtetasve të tyre. Pothuaj të gjitha familjet fisnike shqiptare u dalluan në ndërtime të këtij lloji. Kështu, me emrin e Skurrajve lidhet kisha e Shën Mërisë së Brrarit (1201) ose ajo e Shën Klementit në Ohër (1295). Kjo e fundit u ristrukturua vite më vonë nga fisniku tjetër shqiptar, Andrea Gropa. Muzakajt e Beratit ndërtuan një sërë faltoresh, si p.sh., kishën e Shën Mërisë së Oparit dhe atë të Shën Thanasit në Kostur (1385). Një ndërtim i Topiajve është manastiri i Shën Gjon Vladimirit afër Elbasanit (1381). Kisha e Shën Mërisë në ishullin e vogël të Maligradit, që ruhet mjaft mirë edhe sot, në Liqenin e Prespës, u ndërtua në vitin 1369 nga një sundimtar i vogël lokal, Qesar Novaku. Si themelues kishash përmenden gjithashtu fisnikë nga familjet Dukagjini, Balsha, Zaharia etj. Të gjithë këta, bashkë me dhuratat, u njihnin kishave të tyre të drejta e privilegje të ndryshme. Portretet e ktitorëve (themeluesve) të kishave të tilla paraqiteshin në afresket që zbukuronin muret e tyre. Dokumente testamentare të klerikëve e të laikëve, qofshin këta fisnikë apo njerëz të thjeshtë, tregojnë se në shumë raste këta ua linin trashëgim pasuritë e tundshme apo të patundshme, pjesërisht ose tërësisht, institucioneve fetare.
Braktisja e jetës mondane është një tjetër tregues i ndjenjave fetare të shqiptarëve në mesjetë. Pasioni fetar i shtyu shumë njerëz të thjeshtë të zgjedhin jetën e heremitit apo të murgut, kushtuar tërësisht lutjeve dhe përsosjes morale nëpërmjet asketizmit. Në shek. XIV murgu Nifon nga Lukova u mbyll në një manastir në malin Athos, ku u shqua aq shumë për përshpirtshmërinë e tij, saqë u kanonizua e u shpall shenjt nga kisha ortodokse bizantine. Ashtu si Nifoni, në manastiret e Athosit apo të Thesalisë kishte edhe shumë murgj të tjerë shqiptarë. Jetës monastike iu përkushtuan edhe pinjollë të familjeve fisnike, siç ishte rasti i Reposhit, vëllait të Skënderbeut, që u mbyll në një manastir të malit Athos. Një shprehje kolektive e devocionit fetar qenë edhe pelegrinazhet në vendet e shenjta. I tillë qe për shqiptarët e Dioklesë (Gentës) manastiri i Shën Mërisë i Rotecit, afër Tivarit, apo ai i Shirgjit, në derdhjen e Bunës. Manastiri i Shën Mërisë së Krajës në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës, ku ruheshin reliket e princit Gjon Vladimir të Dioklesë (vdekur më 1018), ishte një vend pelegrinazhi për popullsinë e rretheve çdo 22 maj, kur kremtohej festa e Shën Gjon Vladimirit.
Shqiptarët ortodoksë ndërmerrnin pelegrinazhe në manastiret e Shën Gjon Vladimirit (Elbasan), në atë të Shën Naumit (Ohër), Shën Kollit (Mesopotam), Shën Teodorës (Artë) etj. Klerikë e laikë shqiptarë katolikë e ortodoksë ndërmerrnin udhëtime të gjata e të rrezikshme për të vizituar vende të shenjta jashtë Shqipërisë, si në Monte Gargano, Kampostellë, Assizi, Bari e në Romë (Itali), ose në malin Athos, Konstandinopojë apo në Palestinë, me shpresë se kjo do t’i ndihmonte të shlyenin mëkatet e tyre.
Shtrati popullor e tradicional dhe karakteri jodogmatik i krishterimit shqiptar, bëri që te shqiptarët të mos kultivohej kurrfarë fanatizmi e intolerance fetare. Ai ofronte një pikë referimi të përbashkët për të gjitha besimet, besimin katolik, atë ortodoks e më vonë edhe me besimin mysliman. Prandaj Marin Barleci, që vetë ishte prift, ka shkruar për shqiptarët se janë “më shumë luftëtarë sesa fetarë”. Kjo është arsyeja që në festa e në ceremoni fetare, siç qenë ato për Shën Gjon Vladimirin apo Shën Gjergjin, merrnin pjesë sa të krishterët (katolikë e ortodoksë), aq edhe myslimanët.