PAPAPOSTOLI Llazar
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Anëtar i Bashkimit Demokratik Shqiptar. Lindi në fshatin Ziçisht të Devollit, më 1915. Studimet e larta i kreu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, më vonë, shërbeu në forcat e armatosura amerikane, pranë Zyrës Strategjike të Ballkanit. Në fund të tetorit 1944 u kthye në Shqipëri. Aty nga fundi i vitit 1945 filloi punë në UNRRA. U arrestua më 23 janar 1946. Në gjyqin që u zhvillua mes 17 qershorit e 2 korrikut 1946 kundër anëtarëve të Bashkimit Demokratik Shqiptar, Gjykata e Lartë Ushtarake e dënoi me 10 vjet burg, punë të detyrueshme, humbjen e të drejtave civile e politike baraz me kohën e dënimit, si dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. Leka Ndoja, Alvin Saraçi [përgatitën:], «Akte gjyqësore politike», 1, «Bashkimi Demokratik Shqiptar», ISKK, Tiranë 2015, f. 33-34, 129, 344.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]