Paqja me Venedikun (tetor 1448)

Paqja me Venedikun (tetor 1448)

Pas largimit të trupave osmane, Skënderbeu u kthye në frontin e luftës kundër Venedikut.
Për të shqyrtuar qëndrimin që duhej të mbanin ndaj përgatitjeve ushtarake antiosmane të J. Huniadi, anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare mblodhën Kuvendin dhe vendosën që një ushtri e fuqishme e tyre të bashkohej me forcat e Huniadit për të organizuar një fushatë ushtarake të përbashkët kundër pushtuesve osmanë. Për realizimin e këtij projekti të përbashkët, ushtria e J. Huniadit do të marshonte drejt viseve verilindore shqiptare, ku të bashkohej me rreth 20 mijë luftëtarë shqiptarë që do t`i komandonte vetë Skënderbeu.
Përballë perspektivës që hapte zhvillimi me sukses i një fushate ushtarake të përbashkët shqiptaro-hungareze, Skënderbeu hyri në bisedime me Republikën e Venedikut për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur dhe për të normalizuar marrëdhëniet me të.
Bisedimet me përfaqësuesit e Venedikut u zhvilluan në kampin ushtarak të Skënderbeut, të vendosur pranë Lezhës. Besëlidhjen Shqiptare e përfaqësonin Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, ndërsa Republikën e Venedikut e përfaqësonte qeveritari i Shkodrës, Paulo Loredani, dhe i dërguari i posaçëm i saj, Andrea Venerio.

Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua më 4 tetor 1448 traktati i paqes. Sipas tij Republika e Venedikut do të mbante zotërimet e saj në tokat shqiptare, duke përfshirë edhe Dejën, me disa kushte: Skënderbeut do t’i paguante çdo vit 1 400 dukate, disa anëtarë të Besëlidhjes Shqiptare do të kishin prej Republikës privilegje e favore të ndryshme, si p.sh. përjashtimin e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit nga taksat doganore për kripën e stofrat që mund të blinin në Durrës etj.
Por disa pika të këtij traktati nuk u respektuan nga Venediku. Kështu, Skënderbeut nuk iu dhanë 1 400 dukatet e vitit të parë, që sipas traktatit do t’i merrte brenda 15 ditëve që të përgatitej për fushatën ushtarake të përbashkët me J. Huniadin. Ai iu drejtua edhe Raguzës për një hua në të holla që të përgatitej ushtarakisht, por kërkesa e tij nuk u plotësua.

Me gjithë përgatitjet intensive për luftë të përbashkët me hungarezët kundër osmanëve, forcat shqiptare nuk arritën të merrnin pjesë në betejë. Despoti serb, Gjergj Brankoviçi, nuk lejoi ushtrinë shqiptare që të kalonte nëpër rrugët e zotërimeve të tij. Rrjedhimisht trupat e J. Huniadit u gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane në betejën që u zhvillua më 18 tetor 1448 në afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.

Pas nënshkrimit të traktatit të paqes të 4 tetorit 1448 konflikti ndërmjet shqiptarëve e Venedikut nuk u shua. Ai u rindez nga Lekë Dukagjini në mesin e viteve 50. Forcat e L. Dukagjinit, duke pasur mbështetjen e pashpallur të Skënderbeut (i cili ndërkohë, sipas qeveritarëve venecianë në Shqipëri, synonte për vete Drishtin dhe Tivarin), arritën të merrnin kështjellën e Dejës dhe atë të Shasit dhe i mbajtën ato për disa vjet, deri kur L. Dukagjini dhe Venediku nënshkruan traktatin e paqes të 19 shkurtit 1459.

 Historia shqiptare
 Mesjeta

 

[cite]