PRELA Kolë
(Person i dënuar nga regjimi komunist)

Profesor, nacionalist, luftëtar antifashist, deputet i Dukagjinit. Lindi në fshatin Pepsumaj të Shoshit, më 19 tetor të vitit 1916. Më 1923 filloi kolegjin jezuit. Pas një ndërprerje shumëvjeçare, diplomohet në gjimnazin e shtetit më 1935. Në vitet 1936-1949 kreu fakultetin e Letërsisë-Filozofisë në Universitetin e Torinos. Pas kthimit në Shqipëri, punoi mësues i letërsisë, greqishtes dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës (1940-1943). Është një nga organizatorët e demonstratës antifashiste të 22 shkurtit 1942, dhe një nga nacionalistët e parë indipendentë që përqafoi platformën politike të Konferencës së Pezës, hyri në FNÇ dhe së bashku me Riza Danin [shih], Dom Luigj Picin [shih], Xhemal Brojën, Rexhep Hakën, Sadik Bekteshin e Shyqyri Hafizin, formuan Këshillin e parë Krahinor Nacionalçlirimtar të Qarkut të Shkodrës me në krye major Sabri Gjonin. Në qershor vitit 1943 ngriti Çetën partizane teritorriale të Dukagjinit, koordinoi veprimtarinë antifashiste mes Shkodrës-Dukagjinit dhe Malësisë së Gjakovës. Më 1944 u zgjodh përgjegjës i Seksionit Ekonomik në Shkodër dhe, për dy muaj, drejtor i Normales së Elbasanit (deri në nëntor 1945). Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 u zgjodh deputet i zonës nr. 11 në Nënprefekturën e Dukagjinit. Ishte pjesëtar i grupit të deputetëve opozitarë, që kërkonte pluralizëm politik dhe zgjedhje të lira. U arrestua më 14 shtator 1946, pas shtypjes së Lëvizjes së Postribës, me akuzën e themelimit të një partie demokristiane, bashkëpunimin me Riza Danin [shih] dhe lidhjen me Klerin Katolik. Më 14 janar 1948 u dënua me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme. U ekzekutua më 13 prill të vitit 1948. Nuk i dihet varri as sot e kësaj dite. Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005, Kuvendi i Shqipërisë, Tiranë 2005, fq. 47; P. Milani, Si e sfidoi Kolë Prela gjyqin komunist, i pushkatuari pa varr, në «Shqiptarja.com», 12 maj 2013; Uran Butka, Kryengritjet e para kundërkomuniste, ISKK, Tiranë 2013, f. 280.

Burimi:
● Fjalori enciklopedik i vikt. të terr. kom. – VËLLIMI VI
Portali — Historia Shqiptare: Krimet e komunizmit

[cite]