Rënia e Krujës, e Shkodrës dhe e kështjellave të tjera

Rënia e Krujës, e Shkodrës dhe e kështjellave të tjera

Luftimet e vitit 1474 treguan se luftëtarët shqiptarë ishin ata që mbrojtën me gjakun dhe jetën e tyre qytetin e Shkodrës, duke përballuar me heroizëm sulmin e forcave osmane. Shqiptarët luftonin me vetëmohim kudo që ndodheshin, si mbrojtës të kështjellës, si sulmues në rrethinat e Shkodrës etj. Prandaj Republika e Venedikut u kujdes të forconte lidhjet me ta, duke u kushtuar vëmendje sidomos marrëdhënieve me fisnikët shqiptarë, si me Dukagjinët, Gjurashët, Stres Balshajt, Arianitët etj.
Pas rrethimit të parë të Shkodrës, sulltan Mehmeti II i angazhoi ushtritë osmane kryesisht me pushtimin e brigjeve të Detit të Zi dhe pas dy vjetësh i drejtoi ato kundër Shqipërisë Qendrore e të Epërme.
Dështimi i fushatës ushtarake të vitit 1474 e bindi sulltan Mehmetin II se për pushtimin e kështjellave shqiptare duhej përdorur i gjithë potenciali ushtarak i Perandorisë Osmane dhe se ato duhej të sulmoheshin radhazi.
Për zbatimin e këtij plani trupat osmane erdhën përsëri në Shqipëri në vitin 1476, rrethuan Krujën, që ishte për ta pengesa më e rëndësishme në drejtim të Shkodrës.
Republika e Venedikut duke vlerësuar rëndësinë strategjike të Krujës për mbrojtjen e zotërimeve te saj në Shqipëri, u përpoq të lidhej sa më shumë me shqiptarët dhe kërkoi që të kthehej në Shqipëri djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, i cili jetonte në pronat që kishte trashëguar në Mbretërinë e Napolit. Për mbrojtjen e Krujës Venediku vendosi këtu 300 stratiotë shqiptarë të sjellë nga Moreja.

Për të liruar Krujën nga rrethimi u formua një ushtri e përbashkët shqiptaro-veneciane, e cila në vitin 1477 sulmoi trupat osmane, që mbanin të rrethuar Krujën, dhe u shkaktoi atyre humbje të rënda. Në vend që fitorja të çohej në fund, ushtria shqiptaro-veneciane ra pas plaçkës së madhe të kampit armik, veprim ky që u dha mundësi forcave kundërshtare të riorganizoheshin menjëherë dhe të ndërmerrnin një sulm të befasishëm. Trupat osmane siguruan një fitore të plotë mbi ushtrinë shqiptaro-veneciane dhe vazhduan kështu rrethimin e Krujës.
Në pranverë të vitit 1478 trupa të freskëta osmane filluan të marshonin mbi tokat shqiptare dhe më 14 maj kontingjentet e para të tyre rrethuan Shkodrën. Brenda një kohe të shkurtër, deri më 15 qershor, ato u përforcuan me ardhjen e ushtrive të tjera të drejtuara nga bejlerbeu i Rumelisë, nga bejlerbeu i Anadollit, si dhe nga vetë sulltan Mehmeti II.

Pas një rrethimi dyvjeçar mbrojtësit heroikë të Krujës dhe banorët e strehuar në kështjellë, të mbetur pa asnjë lloj ushqimi, u detyruan të pranonin kërkesën e sulltanit për dorëzimin e kështjellës me kusht që të largoheshin të lirë nga qyteti. Më 16 qershor të vitit 1478 trupat osmane hynë në kështjellën e Krujës, por sulltani nuk e mbajti premtimin dhe ata, me përjashtim të qeveritarit venecian, vranë të gjithë meshkujt e rritur që gjendeshin në Krujë, ndërsa gratë e fëmijët i kthyen në skllevër.

Pasi mori Krujën, sulltani kërkoi pushtimin e menjëhershëm të Shkodrës. Prandaj të gjitha forcat ushtarake osmane u përqendruan në luftë për pushtimin e saj.
Ashtu si gjatë rrethimit të vitit 1474, krahas qytetarëve shkodranë, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës në 1478 morën pjesë edhe banorë të rrethinave e të viseve të tjera shqiptare, duke përfshirë edhe bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Në radhët e tyre ishin edhe anëtarë të familjes së njohur shkodrane Dukagjini, nga të cilat ranë në fushën e nderit Teodori dhe Budomiri.

Për të mposhtur mbrojtësit e Shkodrës, si asnjëherë më parë, osmanët përdorën gjerësisht artilerinë, të cilën e vendosën rreth kështjellës. Vetëm topa të rëndë ishin mbi 10. Prej më se një muaji mijëra predha goditën vazhdimisht muret e Rozafës, të cilat i dëmtuan rëndë. Edhe pse në shumë vende muret u rrafshuan, mbrojtësit e kështjellës u përleshën trup me trup me forcat osmane dhe i zbrapsën e i thyen sulmet e vazhdueshme të tyre. Në këto luftime të rrepta krahas burrave morën pjesë edhe gratë e strehuara në kështjellë.
Humbje të rënda trupave osmane u shkaktuan edhe luftëtarët që vepronin në rrethinat e Shkodrës. Këta sulmonin vazhdimisht nga drejtime të ndryshme, sidomos duke ardhur me varka nga liqeni i Shkodrës dhe nga bregu i përtejmë i Bunës.

Deri në fillim të muajit gusht të vitit 1478 trupat osmane e sulmuan vazhdimisht kështjellën e Rozafës, por pa ndonjë përfundim dhe me humbje të rënda për ta. Prandaj sulltan Mehmeti II vendosi t’i mposhtte mbrojtësit e saj nëpërmjet urisë duke forcuar rrethimin e tyre. Për këtë ai ndërmori sulme mbi të gjitha kështjellat e tjera në afërsi të Shkodrës, si Zhabjaku, Drishti e Lezha, që shërbenin si baza të rëndësishme strehimi e furnizimi për luftëtarët shqiptarë që vepronin jashtë kështjellës së Rozafës.
Detyra për pushtimin e kështjellës së Zhabjakut, që ishte në brigjet e liqenit të Shkodrës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Rumelisë. Mbrojtësit e Zhabjakut, ku e kishte selinë Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi), djali i Stefanit që kishte vdekur rreth vitit 1465, nuk bënë asnjë qëndresë dhe ua dorëzuan kështjellën trupave osmane.

Pushtimi i Drishtit, ku po përhapej sëmundja e murtajës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Anadollit. Për tri javë mbrojtësit e Drishtit përballuan me burrëri sulmet e trupave osmane. Vetëm pasi shkatërruan me artileri nga të gjitha anët muret e fortesës (muret rrethuese të qytetit), më 1 shtator ushtritë osmane u futën në qytetin e shkretuar të Drishtit, kurse kështjella e tij mbeti ende e papushtuar. Rreth 300 drishtianë të zënë rob, ata i vranë nën muret e Rozafës për të ligështuar mbrojtësit e saj. Disa ditë më vonë, pasi morën më parë Lezhën, osmanët pushtuan edhe kështjellën e Drishtit. Edhe me mbrojtësit e kështjellës së zënë rob ata vepruan si me të tjerët, duke i vrarë nën muret e kështjellës së Rozafës.
Më 5 shtator trupat e bejlerbeut të Rumelisë u futën lehtësisht në kështjellën e Lezhës, sepse ajo u braktis nga komandanti venecian që drejtonte mbrojtjen e saj. Banorët e qytetit, që ishin strehuar në ishullin e Lezhës, u kapën dhe u vranë para mureve të kështjellës së Shkodrës.

Pas pushtimit të kështjellave të mësipërme, që e përforconin mbrojtjen e Shkodrës, sulltan Mehmeti II me pjesën më të madhe të ushtrisë, më 8 shtator të vitit 1478, mori rrugën e kthimit në Stamboll. Trupat që mbetën në Shqipëri kishin për detyrë të vazhdonin rrethimin e Shkodrës derisa uria të mposhtte qëndresën heroike të shqiptarëve.
Ndërkohë, pas përpjekjeve shumëvjeçare, më 25 janar 1479, Venediku arriti të siguronte nënshkrimin e paqes me sulltan Mehmetin II. Në traktatin e paqes, ndër të tjera, ishte përfshirë edhe çështja e Shkodrës. Në bazë të tij Shkodra kalonte në duart e osmanëve, kurse mbrojtësit e banorët e saj mund të largoheshin të lirë prej qytetit të tyre. Më 25 prill të vitit 1479 forcat osmane hynë në Shkodër. Banorët e Shkodrës e të rrethinave të saj i braktisën ato masivisht dhe u vendosën kryesisht në rajonin e Venedikut. Bashkë me ta emigruan edhe personazhe të shquara të jetës politike shqiptare, si Lekë e Nikollë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) etj.

Po gjatë vitit 1479, Republika e Venedikut u dorëzoi osmanëve në Shqipërinë e Poshtme kështjellat bregdetare të Himarës, të Sopotit (Borshi) e të Kastrovilës. Osmanët morën edhe zotërimet e fundit që despoti Leonard I (IV) Toko kishte në Shqipërine e Poshtme.
Edhe pas rënies së këtyre kështjellave në duart e osmanëve, lufta e shqiptarëve kundër pushtuesve nuk u shua, ajo mbeti gjithnjë e gjallë dhe iu përshtat rrethanave të reja, kur qytetet e kështjellat e vendit kishin rënë përfundimisht në duart e pushtuesve.

 

 Historia shqiptare
 Mesjeta

 

[cite]