Rrjedhimet e sistemit të timarit

Rrjedhimet e sistemit të timarit

Vendosja e sistemit të timarit ndryshonte raportet e pronësisë mbi tokën, që ishte çështja themelore për jetën ekonomike, shoqërore e politike të vendit dhe që përcaktonte shkallën e zhvillimit të marrëdhënieve feudale.
Si trashëgim nga e drejta bizantine, për shekuj të tërë toka në tërësi konsiderohej se i përkiste sovranit (perandorit, mbretit etj.). Në këtë mënyrë ishin motivuar detyrimet që popullsia kishte ndaj pushtetit shtetëror qendror për prodhimet e tokës dhe që përbënte atë pjesë të rentës që merrte shteti bizantin (renta qendrore). Pjesa tjetër e rentës u përkiste individëve të veçantë, përfaqësuesve të shtresës së pasur, që ishte në krye të jetës ushtarake, politike e ekonomike në provinca. Një rentë e tillë, e ndarë në dy pjesë, krijonte marrëdhënie që në njërën apo tjetrën formë kufizonin të drejtat e pronësisë private mbi tokën. Mbi këtë formë të rentës qe ngritur e kishte vepruar institucioni feudal bizantin i pronies. Me kalimin e kohës kornizat kufizuese mbi të drejtat e pronësisë mbi tokën erdhën duke u shkelur gjithnjë e më shumë, derisa institucioni i pronies në fakt pushoi së vepruari dhe përgjithësisht toka kishte kaluar në pronësi private të plotë deri në shitblerjen e saj.

Me zbatimin e sistemit të timarit, pushtuesit osmanë realisht rivendosën pronien bizantine dhe prekën shtresat e ndryshme shoqërore, sidomos fisnikërinë shqiptare, e cila përgjithësisht u zhvesh nga pronat e veta. Vetëm një pjesë e përfaqësuesve të saj u integruan në radhët e spahinjve e të drejtuesve të shtetit osman. Këta, si dhe individë nga shtresat e tjera, qofshin edhe të ulëta, që futeshin në radhët e luftëtarëve osmanë dhe dalloheshin në luftime, merrnin timare dhe poste të ndryshme, madje edhe në viset shqiptare. Si vendas ata duhej të zbusnin pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj dhe të ndihmonin në vendosjen e sistemit të timarit. Edhe disa familje që ishin caktuar për ruajtjen e mirëmbajtjen e kështjellave e të ngushticave nga kalonin rrugët, osmanët i lironin nga një pjesë e detyrimeve për t`i lidhur me pushtetin e tyre.
Elementë të tjerë nga radhët e fisnikërisë shqiptare u përfshinë në shtresën e spahinjve e të funksionarëve osmanë nëpërmjet institucionit të iç-ogllanit (pazhë) dhe të gulamit (djalë i rritur).

Dokumentet dëshmojnë se, qysh kur nisën sulmet për pushtimin e tokave shqiptare, osmanët i kushtuan vëmendje shtresës së fisnikëve. Krahas prirjes për mënjanimin e përfaqësuesve të pabindur të kësaj shtrese, aty ku qëndresa ishte e dobët, në rajonet ku vendosja e pushtetit osman ishte e vështirë, pushtuesit u përpoqën të përdornin elementë nga radhët e fisnikërisë shqiptare për të neutralizuar pakënaqësinë dhe qëndresën e tyre. Për këtë ata përdorën marrëdhëniet e vasalitetit dhe i detyronin fisnikët shqiptarë të dërgonin bijtë e tyre të vegjël si pengje në oborrin e sulltanit, si iç-ogllanë (pazhë). Këtu ata konvertoheshin në fenë islame dhe edukoheshin me frymën e besnikërisë ndaj sulltanit. Pas një dekade, kur mendohej se ishin formuar si osmanllinj të vërtetë, ata pajiseshin me timare të mëdha dhe ofiqe të larta, sipas aftësive që tregonin. Nëpër institucionin e iç-ogllanit kaluan i biri i Gjon Kastriotit, Skënderbeu, i biri i Teodor Muzakës, Jakup Beu, i biri i Gjon Zenebishit, Hamza Beu etj.

Elementë të tjerë nga radhët e fisnikëve shqiptarë qëndronin pranë bejlerbeve e sanxhakbejlerëve si gulamë (djalë i rritur), jetonin e shërbenin pranë tyre që të përgatiteshin për karrierën e feudalit osman. Pas kësaj, gulamëve të islamizuar mund t`u jepeshin si timare dhe pronat e baballarëve ose të afërmve të tyre. Institucioni i gulamit u zbatua edhe në Shqipëri. Iç-ogllanë e gulamë me origjinë shqiptare morën timare e poste jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajone të tjera të Perandorisë Osmane.

Këto masa nuk e dobësuan pakënaqësinë dhe qëndrimin e fisnikëve shqiptarë, të cilët përgjithësisht pushtimi osman i shkatërroi si shtresë shoqërore, duke u marrë pronat dhe të drejtat ekonomike, politike, gjyqësore e administrative që rridhnin nga e drejta feudale.

Sistemi i timarit preku thellë edhe shtresën e gjerë të fshatarësisë pronare tokash, së cilës deri diku iu kufizua shitblerja e tokës si e drejtë thelbësore e pronësisë reale mbi të. Nën sistemin e timarit toka konsiderohej pronë e shtetit dhe fshatari nuk mund ta braktiste atë. Vetëm me lejen e spahiut ai mund t`ia shiste atë një personi tjetër me kusht që blerësi të punonte tokën, të përmbushte të gjitha detyrimet ndaj shtetit e spahiut dhe t`i paguante këtij të fundit një taksë të veçantë, atë të tapisë, që lidhej me aktin e blerjes. Sistemi i timarit e përkeqësoi gjendjen e fshatarësisë si pronare tokash, e vendosi atë nën detyrime të shumta dhe nën varësinë e feudalëve të huaj osmanë. Duke u shpallur të gjitha tokat si pronë shtetërore (mirie), fshatarët ish-pronarë ndiheshin si të zhveshur nga pronat e tyre.

Para pushtimit osman fshatarët përgjithësisht i paguanin kryezotit të tyre të dhjetën e prodhimeve bujqësore, një dukat dhe obrokun (që ishte 4 grosh = 2/9 e dukatit) për çdo shtëpi. Kurse tani nën sistemin e timarit u rrit llojshmëria dhe madhësia e detyrimeve ndaj shtetit dhe timarlinjve (spahinjve). Këta të fundit u merrnin për vete fshatarëve yshyrin (e dhjeta), si taksë në natyrë për të gjitha prodhimet bujqësore e çdo aktivitet tjetër ekonomik, ispenxhën, taksë në të holla që ishte 25 akçe për familje fshatare jomyslimane (të krishterë etj.), 22 akçe për familje myslimane (e njohur me emrin resmi-çift) dhe ishte më e vogël për beqarët e moshës madhore, si dhe për familjet e drejtuara nga gra që u kishin vdekur burrat. Gjithashtu spahinjtë merrnin taksën e tapisë së tokës, kur ajo shitej apo trashëgohej nga fëmijët, taksën e martesës, gjoba të ndryshme etj. Kurse shteti merrte xhizjen, taksë që e paguanin për familje popullsitë jomyslimane (rajatë) që ishte në masën e 45 akçeve në vit, xhelepin, taksë e blegtorisë, të dhjetën e gjakut, që ishte një tribut vjetor me djem të vegjël, të cilin ishte e detyruar ta jepte çdo qendërbanim për të mbushur radhët e ushtrisë së jeniçerëve. Çdo familje, pavarësisht nga besimi, paguante avarizin e divanit, që ishte detyrim në të holla për Këshillin e Lartë të shtetit turk. Gjithashtu ato kishin edhe një varg detyrimesh specifike, si p.sh. mbulimin e shpenzimeve të ushtrisë kur ajo shkonte në luftë etj.

Pesha e detyrimeve të mësipërme rëndohej edhe më shumë prej abuzimeve që bëheshin gjatë vjeljes së tyre me dhunë nga aparati i fuqishëm ushtarako-administrativ i Perandorisë Osmane që, për nga ashpërsia, ishte i pakrahasueshëm me atë të sundimtarëve vendas të mëparshëm. Sa kohë që Perandoria Osmane vazhdonte të zgjeronte kufijtë e saj, spahinjtë nuk i kushtonin vëmendjen e duhur mbarëvajtjes së timareve, sepse të ardhurat që vilnin prej tyre ishin më të vogla nga ato që siguronin nëpërmjet grabitjeve gjatë luftërave pushtuese apo shtypjes së kryengritjeve e revoltave të ndryshme. Kur dalloheshin nëpër luftime, spahinjtë e ushtarët e tjerë osmanë në viset e sapopushtuara merrnin timare më të mëdha nga ato që kishin pasur më parë. Sipas së drejtës feudale osmane, spahiu e mbante timarin për aq kohë sa përmbushte detyrimin e pjesëmarrjes në luftë bashkë me pajisjet personale luftarake sa herë ta thërrisnin eprorët e tij. Kur timari i siguronte spahiut deri në 5 mijë akçe të ardhura në vit, duhej të shkonte në luftë vetëm dhe, për çdo 5 mijë akçe të ardhura më tepër, ai duhej të merrte me vete nga një ushtarak të armatosur (xhebeli).

Pozita e spahinjve, si zotërues timaresh, konsiderohej e përkohshme dhe e pasigurtë, prandaj veprimtaria e tyre karakterizohej nga abuzimet, grabitjet e krime të shumta, po ashtu siç vepronin edhe gjatë fushatave ushtarake. Vetë kronistët osmanë bashkëkohës me ngjarjet e mësipërme dëshmojnë për dhunën e spahinjve, për shkretimin e krahinave të tëra gjatë fushatave ushtarake të tyre, për grabitjen e pasurive të tundshme e të patundshme të banorëve të viseve që sulmoheshin, të gjësë së gjallë, si dhe të fëmijëve e të të rriturve, të cilët shiteshin si skllevër.

Historia shqiptare

 

[cite]