Shqipëria gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 1908 dhe Kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909
Zgjedhjet për në parlamentin turk u bënë sipas ligjit elektoral të shpallur nga xhonturqit më 15 shtator 1908, i cili nuk njihte kombësitë joturke dhe i shpallte të gjithë banorët e Perandorisë “osmanllinj”. Ai vinte si kusht për të qenë deputet pranimin e përkatësisë në “kombësinë” osmane, njohjen e gjuhës turke, si dhe caktonte për këtë një cenz të lartë pasurie, duke përjashtuar kështu nga zgjedhjet shtresa të gjera të popullsisë fshatare e qytetare. Por xhonturqit e shkelën edhe këtë ligj, i kufizuan më shumë të drejtat e kombësive joturke në zgjedhje.Fushata elektorale e muajve tetor-nëntor u zhvillua në Shqipëri në një gjendje të nderë dhe u shoqërua me konflikte ndërmjet atdhetarëve shqiptarë e xhonturqve. Në zona të tëra popullsia shqiptare, duke kujtuar se regjistrimi i popullsisë që xhonturqit ndërmorën për zgjedhjet bëhej për shtimin e taksave, e bojkotuan atë. Për shkak të veprimeve arbitrare të xhonturqve, në vilajetet e Kosovës dhe të Shkodrës pati protesta, konflikte e përleshje me autoritetet lokale. Si pasojë, krahina të tëra të shqipërisë nuk morën pjesë në zgjedhje. Popullsia katolike e Shkodrës, për shkak të shkeljes së ligjit elektoral, i bojkotoi zgjedhjet; po kështu veproi edhe popullsia e Mitrovicës, në vilajetin e Kosovës. Pothuajse gjithë popullsia e sanxhakut të Prevezës, shumica e asaj të sanxhakëve të Gjirokastrës e të Janinës etj., që përbëheshin nga çifçinjtë, u përjashtuan nga e drejta elektorale. Përveç kësaj, xhonturqit përdorën të gjitha mjetet për t’i detyruar zgjedhësit të votonin për deputetët turq e proturq, që ishin kandidatë të Komitetit “Bashkim e Përparim”.
Në Vlorë e në Berat xhonturqit organizuan një fushatë të ashpër kundër kandidaturës së Ismail Qemalit. Megjithatë, në saje të veprimtarisë së klubeve dhe të atdhetarëve, popullsia e sanxhakut të Beratit e zgjodhi atë deputet. Në Elbasan klubet dhe atdhetarët e tjerë vunë përballë kandidaturës së Abdullah Mahir efendiut, që përkrahej nga xhonturqit, atë të atdhetarit doktor Ibrahim Temo. Megjithëse gëzonte mbështetjen e atdhetarëve elbasanas e sidomos të të rinjve me ndjenja kombëtare, për shkak të propagandës së xhonturqve dhe ithtarëve të tyre, doktor Ibrahim Temoja nuk arriti të zgjidhej si deputet i këtij sanxhaku. Në Dibër forcat atdhetare të vendit hynë në konflikt me xhonturqit, që kërkonin t’u impononin si kandidatë për deputetë përkrahësit e tyre, elementët proturq, duke përdorur për këtë qëllim edhe ushtrinë kundër zgjedhësve vendas. Përkundër pengesave të xhonturqve, që në Gjilan u shoqëruan me përdorimin e forcave ushtarake kundër shqiptarëve, Hasan Prishtina u zgjodh deputet i sanxhakut të Prishtinës.
Fushata e zgjedhjeve përkoi me aneksimin nga Austro-Hungaria të Bosnjës dhe të Hercegovinës, në tetor të vitit 1908 (që ishin pushtuar prej saj me vendimet e Kongresit të Berlinit, më 1878). Thirrjet e xhonturqve për bojkotimin e mallrave austriake gjetën në një farë mase përkrahje edhe midis shqiptarëve, që ishin të shqetësuar për mundësinë e vazhdimit të ekspansionit austriak drejt tokave të tyre, në vilajetin e Kosovës. Megjithatë, xhonturqit nuk arritën atëherë të formonin me shqiptarët një front të përbashkët kundëraustriak.
Zgjedhjet u zvarritën shumë dhe si rrjedhim parlamenti u hap vetëm më 17 dhjetor 1908. Nga krahinat shqiptare në të u zgjodhën 26 deputetë, nga të cilët vetëm një pjesë e tyre, si Ismail Qemali, Nexhip Draga, Hasan Prishtina, Shahin Kolonja, Bedri Pejani etj., përfaqësonin forcat atdhetare shqiptare, që vepruan në parlament si kundërshtarë të politikës së xhonturqve ndaj shqiptarëve.
Ismail Qemali, udhëheqës i grupit të deputetëve shqiptarë në parlament, u vu njëkohësisht në krye të opozitës liberale, e cila në dhjetor të vitit 1908 u shndërrua në një parti më vete me emrin “Ahrar” (“Liberalët”). Megjithëse partia “Ahrar” përfaqësonte interesat e qarqeve konservatore të Turqisë dhe luftonte kundër regjimit xhonturk nga pozitat e tyre, në programin e saj përfshihej edhe kërkesa për decentralizimin e administrimit të Perandorisë Osmane dhe për vetëqeverisjen e provincave kombëtare. Ishte pikërisht kjo kërkesë dhe synimi për ta shfrytëzuar atë në të mirë të shqiptarëve, ajo që e shtyu Ismail Qemalin të bashkohej me këtë organizatë e të tërhiqte në të edhe deputetët shqiptarë e të kombësive të tjera. Në të njëjtën kohë, Ismail Qemali u përpoq ta shndërronte atë në një parti me një program të vërtetë liberal, e cila, krahas të tjerave, duhej t’u siguronte kombeve lirinë e veprimit për çështjet që u takonin interesave të tyre nacionalë, domethënë një autonomi të gjerë.
Në sesionin e dhjetorit parlamenti diskutoi gjendjen politike në Perandorinë Osmane, çështjen e çetave shqiptare e maqedone dhe të shkollave kombëtare të popujve joturq. Meqë shumica e deputetëve i përkiste Komitetit “Bashkim e Përparim”, parlamenti u bë përçues i politikës nacionaliste xhonturke, nuk pranoi të plotësonte kërkesat e lëvizjeve kombëtare në Shqipëri e në Maqedoni, duke përfshirë edhe atë të hapjes së shkollave kombëtare në gjuhën shqipe.
Vazhdimi nga xhonturqit i politikës së asimilimit të shqiptarëve, duke u mohuar kombësinë dhe të drejtën e mësimit të gjuhës amtare, si edhe arbitrariteti i administratës osmane, u bënë shkak për acarimin e gjendjes politike në Shqipëri dhe të marrëdhënieve të shqiptarëve me Komitetin “Bashkim e Përparim”. Në Manastir, ku ndodhej qendra drejtuese e klubeve, xhonturqit përgatitën atentate kundër udhëheqësve të lëvizjes shqiptare. Një atentat i tillë u bë edhe në Korçë kundër Dervish Himës, që kundërshtonte me vendosmëri politikën shoviniste të turqve të rinj.
Xhonturqit u orvatën të veçonin dhe të zhduknin një nga udhëheqësit më me ndikim në të lëvizjes shqiptare, Isa Boletinin. Ndonëse kishte qenë një nga drejtuesit e Kuvendit të Ferizajt, të korrikut të vitit 1908, Isa Boletini, pas shpalljes së kushtetutës, shfaqi mosbesim ndaj regjimit xhonturk, nuk pranoi propozimet e Komitetit “Bashkim e Përparim” për t’u futur në organizatat e xhonturqve dhe për t’iu nënshtruar atyre. Kjo ishte arsyeja e konfliktit të tij me kajmekamin e Mitrovicës, që lindi menjëherë pas revolucionit dhe që e detyroi Isa Boletinin të tërhiqej në gusht të vitit 1908 në Boletin. Megjithatë, Isa Boletini nuk ndërmori atëherë ndonjë veprim konkret politik a të armatosur kundër qeverisë, ndërsa xhonturqit, për të përligjur veprimet ushtarake për zhdukjen e tij, e shpallën “kundërshtar” të kushtetutës dhe përkrahës të regjimit të vjetër absolutist. Duke përfituar nga rritja e pakënaqësisë së shqiptarëve ndaj qeverisë, ata, më 22 nëntor 1908, me qëllim që ta kapnin ose ta zhduknin Isain, dërguan kundër tij në Boletin 1 500 ushtarë, të pajisur me artileri. Pas përleshjes që zgjati gjithë ditën, në të cilën u vranë rreth 30 ushtarë turq dhe 3 shqiptarë, Isa Boletini u tërhoq natën në fshatrat përreth për t’u vendosur më pas në katundin Isniq të Pejës.
Në jug të Shqipërisë Komiteti “Bashkim e Përparim” dhe degët e tij u përpoqën të shfrytëzonin gjendjen e acaruar që ishte krijuar në marrëdhëniet greko-turke lidhur me çështjen e Kretës për t’i tërhequr shqiptarët në anën e tyre, për t’i mobilizuar kundër grekëve dhe për ta çorientuar lëvizjen e tyre kombëtare në këto krahina. Për këtë qëllim në shkurt të vitit 1909 xhonturqit organizuan në Tepelenë një mbledhje të përfaqësuesve të parisë myslimane të vilajetit të Janinës. Këtu morën pjesë edhe delegatë të klubeve kombëtare, të cilët e shfrytëzuan këtë tubim për të kërkuar ngritjen e shkollave shtetërore shqipe, caktimin e nëpunësve shqiptarë, zbatimin e masave për zhvillimin ekonomik të vendit dhe armatosjen e popullsisë shqiptare. Xhonturqit i hodhën poshtë këto kërkesa.
Në fillim të vitit 1909, si pasojë e të korrurave të këqija të dy vjetëve të fundit dhe e bojkotimit të mallrave austriake për shkak të aneksimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës nga Austria, gjendja ekonomike në Shqipëri u keqësua shumë. Rajone të tëra të vilajeteve shqiptare kërcënoheshin nga uria; fshatarët po detyroheshin të shisnin bagëtinë e tokën dhe të vërshonin në qytete, ku gjendja nuk ishte më mirë. Zejtaria e tregtia po kalonin gjithashtu një krizë të rëndë, që e keqësoi gjendjen e prodhuesve e të tregtarëve të vegjël.
Pakënaqësia e popullsisë u shtua edhe më shumë kur qeveria turke, në vend që t’ua lehtësonte fshatarëve barrën e taksave, siç u kishte premtuar gjatë revolucionit, filloi të mblidhte të gjitha llojet e taksave për vitin 1909 dhe ato të prapambetura të dy viteve të fundit. Edhe ligji i ri i shërbimit ushtarak i shpallur në gusht të vitit 1908, sipas të cilit thirreshin në ushtri të gjithë shqiptarët, pa dallim feje, cenoi venomet e krahinave malore të Shqipërisë dhe shkaktoi kundërshtimin e popullsisë së tyre. Të gjitha këto bënë që në shkurt të vitit 1909 malësorët e rretheve të Pejës, të Gjakovës e të Dibrës të ngrinin krye kundër administratës osmane dhe kundër Komitetit “Bashkim e Përparim”.
Në mars kryengritja u shtri sidomos në sanxhakun e Pejës dhe në Malësinë e Dibrës, por trazira pati edhe në Pazarin e Ri. Për shtypjen e saj u dërguan nga Mitrovica 4 batalione ushtarësh, me 24 topa, të drejtuara nga komandanti i Divizionit të 18 të Mitrovicës, Xhavit Pasha. Por xhonturqit shpallën si qëllim të parë të ekspeditës zhdukjen e Isa Boletinit, që me 700 kryengritës ishte përforcuar në Isniq. Më 20 mars Xhavit Pasha, në krye të 3 000 ushtarëve, me 16 topa e me forca të kavalerisë, u nis nga Mitrovica në Pejë dhe më 24 mars u drejtua për në Isniq, ku kërkoi nga krerët shqiptarë të dorëzonin Isa Boletinin, ndërsa popullsia të paguante taksat dhe të jepte ushtarë, duke i kërcënuar se do t’u digjte shtëpitë e pasurinë.
Megjithëse Isa Boletini, për të mos i dhënë shkak Xhavit Pashës të shkatërronte fshatrat e kësaj zone, u tërhoq nga Isniqi drejt jugut pa bërë ndonjë qëndresë, ushtria osmane shkatërroi 96 kulla të përkrahësve të tij në Isniq e në katunde të tjera të rrethit të Pejës. Këto veprime e shtuan pakënaqësinë e popullsisë dhe e ndërlikuan gjendjen jo vetëm në vilajetin e Kosovës, por edhe në gjithë trevat shqiptare.
Veprimet ushtarake u shtrinë edhe në Malësinë e Dibrës, ku në fillim të prillit u zhvillua një përleshje ndërmjet fshatarëve kryengritës dhe ushtrisë turke në katundin Gjuricë, gjatë së cilës turqit patën humbje të mëdha. Kryengritësit bënë përpjekje për t’u organizuar dhe për t’u bashkuar. Më 10 prill u mbajt në Malësinë e Dibrës një tubim i gjerë, ku morën pjesë, përveç përfaqësuesve të popullsisë së Dibrës, edhe ata të Shkodrës, të Elbasanit, të Prizrenit, të Pejës etj. Këtu u formua një Këshill, i cili do të merrej me organizimin dhe me zgjerimin e kryengritjes, për t’i dhënë asaj një karakter më të përgjithshëm.
Lëvizja përfshiu edhe Shkodrën, Janinën etj., ku të rinjtë shqiptarë nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak dhe largoheshin nga ushtria. Autoritetet xhonturke dërguan në Shqipërinë e Jugut forca ushtarake për ta shtypur këtë lëvizje. Për t’u prerë hovin largimeve nga ushtria ato pushkatuan vetëm në Janinë, në mars të vitit 1909, 80 ushtarë shqiptarë.
Me politikën e vet nacionaliste Komiteti “Bashkim e Përparim” e thelloi edhe më shumë armiqësinë me popullin shqiptar dhe me popujt e tjerë të shtypur të Perandorisë. Këtë gjendje e shfrytëzuan qarqet reaksionare të Turqisë, me sulltan Abdyl Hamitin në krye, që prisnin rastin e përshtatshëm për të asgjësuar rendin kushtetues dhe për të rivendosur absolutizmin. Komplotin kundërrevolucionar, siç është quajtur ai në histori, e organizoi partia opozitare “Ahrar”. Kjo parti, duke pasur përkrahjen e disa përfaqësuesve të parisë dhe të klerikëve turkomanë të Dibrës e të Kosovës, shpresonte të bënte për vete shqiptarët e veçanërisht repartet ushtarake shqiptare të pakënaqura nga regjimi xhonturk. Mirëpo shqiptarët, pikërisht ata të sanxhakut të Dibrës dhe të zonave malore të Kosovës, që në atë kohë kishin ngritur krye kundër qeverisë xhonturke, duke kundërshtuar qëndrimet nacionaliste të xhonturqve, kërkonin të siguronin të drejtat e tyre kombëtare duke u mbështetur në kushtetutën, e jo të restauronin regjimin e vjetër absolutist të sulltan Abdyl Hamitit, prandaj nuk e përkrahën kundërrevolucionin. Ithtarët e sulltan Abdyl Hamitit në këto treva mundën të bënin për vete vetëm një pjesë të oficerëve të ushtrisë turke, por jo popullsinë shqiptare të këtyre zonave. Këtë kthesë nuk e përkrahu as grupi i deputetëve shqiptarë që bashkëpunonte në parlament me partinë “Ahrar”, duke përfshirë këtu edhe Ismail Qemalin.
Më 13 prill 1909 ngriti krye garnizoni i Stambollit që rrëzoi qeverinë dhe detyroi Komitetin “Bashkim e Përparim” të largohej nga Stambolli. Në kryeqytet e rreth tij ndodheshin atëherë 25 000 ushtarë. Pushteti kaloi në duart e forcave reaksionare gjysmëfeudale e klerikale, të kryesuara nga Shejhylislami dhe të lidhura me regjimin absolutist të sulltan Abdyl Hamitit. Por kundërrevolucioni i prillit i vitit 1909 nuk gjeti përkrahje as në Turqi, as edhe në kombësitë e shtypura. Edhe Ismail Qemali, që u gjend atëherë në Stamboll, ndonëse i përkiste partisë “Ahrar”, e dënoi si të dëmshme kthesën reaksionare të prillit. Megjithëse nuk e kundërshtoi postin e kryetarit të Senatit, që parlamenti i mbetur turk i ofroi atëherë, ai nuk pranoi të bashkëpunonte me sulltanin dhe nuk mori pjesë si ministër në qeverinë që u formua në ato ditë. Lajmet që qarkullonin në atë kohë për pjesëmarrjen e Ismail Qemalit në këto ngjarje, për shkak të të cilave ai u detyrua të largohej nga Turqia, ishin të rreme, të trilluara nga armiqtë e tij e sidomos nga sulltan Abdyl Hamiti, ato kishin për qëllim ta zhduknin atë. Komisioni i posaçëm i parlamenti turk, i formuar pas shtypjes së kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909, e shpalli Ismail Qemalin të pafajshëm.
Shqiptarët, me gjithë armiqësinë e tyre ndaj regjimit xhonturk, iu përgjigjën pozitivisht thirrjes që Komiteti Qendror “Bashkim e Përparim”, me seli në Selanik, u drejtoi gjithë klubeve. Edhe popullsia e krahinave veriore, që kishte filluar t’u kundërvihej xhonturqve, nuk u bashkua me kundërrevolucionin e prillit siç shpresonin përkrahësit e sulltan Abdyl Hamitit. Sikurse vinte në dukje konsulli francez në Manastir në relacionin që i dërgonte qeverisë së tij më 18 maj 1909, “shqiptarët dhe ushtarët “reaksionarë” (siç i quanin xhonturqit – shën. i aut.) në pragun e këtyre ngjarjeve u bënë menjëherë luftëtarë të zjarrtë të kushtetutës”. Drejtuesit e klubeve shqiptare u vunë tërësisht në mbrojtje të rendit kushtetues dhe dërguan në Armatën III të Maqedonisë, që u ngarkua për të shtypur kundërrevolucionin, reparte vullnetare shqiptare, të ngritura në vilajetet e Manastirit dhe të Kosovës. Për hir të veprimeve të klubit shqiptar të Shkupit, të drejtuar nga Bajram Curri e atdhetarë të tjerë, dështuan përpjekjet e myftiut të Prishtinës, të dërguar me porosi nga Stambolli në kryeqendrën e vilajetit për të tërhequr shqiptarët e Kosovës në kthesën kundërrevolucionare. Më 17 prill klubi i Shkupit i bëri thirrje popullsisë shqiptare të përkrahte regjimin kushtetues, të hynte në repartet ushtarake vullnetare për të marshuar drejt Stambollit dhe për të shtypur forcat kundërrevolucionare. Në mbrojtje të kushtetutës u vunë edhe maqedonët.
Shqiptarët, të inkuadruar në forcat e Armatës III, morën pjesë në luftimet e Çatallxhasë, që zgjatën tri ditë dhe që çelën rrugën për veprime të mëtejshme kundër forcave të reaksionit hamitian. Në këto rrethana revolta u kufizua vetëm në Stamboll dhe dy javë pas shpërthimit të saj u shtyp nga Armata III e Maqedonisë, e cila, e komanduar nga Mahmut Shefqet pasha, hyri më 29 prill në kryeqytet dhe rivendosi pushtetin e Komitetit “Bashkim e Përparim”. Sulltan Abdyl Hamiti II u rrëzua nga froni dhe vendin e tij e zuri sulltan Mehmet Reshati V, që ishte një kukull në duart e xhonturqve dhe të Komitetit Qendror “Bashkim e Përparim”. Kryeministër u caktua Hysen Hilmi pasha.
Ismail Qemali, që në ato ditë të majit të vitit 1909 ndodhej në Athinë, përkrahu menjëherë qeverinë e re dhe i bëri thirrje edhe partisë “Ahrar” ta mbështeste atë. Pas kthimit në Stamboll, duke pasur ndihmën e shqiptarëve dhe të arabëve, që bënin pjesë në partinë “Ahrar”, Ismail Qemali u zgjodh kryetar i saj.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare