Shteti i ri epirot në çerekun e fundit të shek. IV p. K.
Pas vdekjes së Aleksandrit molos, shteti i Epirit u gjet përpara vështirësive serioze, të shkaktuara nga grindjet e brendshme midis grupeve të ndryshme politike të shtresave sunduese, si edhe nga krijimi i situatave të jashtme të jo të favorshme, që çuan në prishjen e ekuilibrit në marrëdhëniet midis shtetit të Epirit dhe të Maqedonisë.
Në krye të luftës kundër Maqedonisë u vu tani Olymbia. Kjo, fill pas vdekjes së vëllait, qe kthyer në vendlindje për t’iu kundërvënë Antipatresit të Aleksandrit maqedon, me të cilin ishte në opozitë. Duke ardhur në Epir ajo zboi nga regjenca Kleopatrën (330-328 p.e.sonë) dhe filloi të sundojë shtetin epirot si tutore e të nipit të mitur, Neoptolemit II për një kohë dhe bashkë me Ajakidin të birin e Arrybës.Në vitin 317 p.e.sonë, përpjekjet e Olymbisë për të marrë pushtetin në Maqedoni, u kurorëzuan me sukses, por vetëm për pak kohë, pasi qe e detyruar ta lëshojë atë nga presioni ushtarak që i bëri asaj Kasandri, i biri i Antipatrit. E ndjekur prej tij Olymbia u strehua në Pella, ku më kot priti ndihmën e Ajakidit, meqenëse një pjesë e madhe e ushtrisë së tij kundërshtoi vendimin për të hyrë në luftë me Maqedoninë. Kjo revoltë e ushtarëve, aktivizoi në prapavijë elementët promaqedonë, të cilët e detyruan këshillin e aleancës më në fund të dëbojë Ajakidin nga froni dhe të rivendosë lidhjet me Maqedoninë. Olymbia e lodhur nga rrethimi i gjatë, uria dhe nga sulmet e pareshtura të armikut, u dorëzua më në fund dhe u vra nga kundërshtarët e saj. Kjo disfatë në frontin e luftës, i dha shkas një vale të tërbuar ndjekjesh kundër përkrahësve të Ajakidit. Opozita kërkoi të zhdukte edhe të birin e tij, Pirron dyvjeçar, por nuk arriti, pasi njerëzit e tij e dërguan fshehurazi tek mbreti ilir Glaukia, me të cilin Ajakidët kishin lidhje.
Për të shuar qëndresën antimaqedone në vend, Kasandri vendosi në Epir një regjim pushtimi. Ai e bëri këtë siç duket, me qëllim që të ishte i lirë në zbatimin e politikës së tij pushtuese në brigjet e Jonit dhe të Adriatikut. Por ky presion i vazhdueshëm politik dhe shoqëror i Maqedonisë, shkaktoi një valë të papërmbajtur zemërimi midis popullsisë epirote, e cila u hodh në opozitë të hapur me shkelësit e të drejtave të saj. Këtë pakënaqësi e shfrytëzoi Ajakidi. Ky, pasi u kthye në atdhe në vitin 313 p.e.sonë, me ndihmën e përkrahësve të tij nga Etolia, mundi të organizojë me lehtësi ushtrinë epirote dhe sulmoi kundërshtarët e tij të brendshëm dhe të jashtëm. Kjo ndodhi në një kohë kur Maqedonia sapo kishte filluar luftën kundër etolëve dhe ilirëve. Megjithatë kjo fushatë e Ajakidit nuk pati sukses dhe vetë mbreti mbeti i vrarë në fushën e betejës.
Gjendja në Epir nuk ndryshoi as më vonë, kur në krye të shtetit epirot u vendos Alketa II, i biri i Ajakidit. Ai bëri shumë përpjekje për t’u shkëputur nga Maqedonia, por pavarësisht nga sukseset e përkohshme, ai u detyrua më në fund të pranonte paqen me kundërshtarin në kushte të favorshme për këtë. Alketës II iu desh të ndryshonte dhe politikën e vet dhe të bënte aleancë me Maqedoninë. Ky veprim krijoi një opozitë të fortë në Epir, kundër së cilës ai luftoi me ashpërsi, por pa rezultat. Ndërkaq, veprimet e tij arbitrare, shkaktuan zemërimin e popullsisë, që shpërtheu në një kryengritje hakmarrëse dhe që përfundoi me vrasjen e Alketës II dhe të bijve të tij.
Në vitin 307 p.e.sonë u duk sikur gjendja do të ndryshonte. Glaukia, duke mos e parë me sy të mirë fuqizimin e ndikimit maqedon në Epir, ndërhyri me forcë në punët e brendshme të tij dhe vendosi në fronin mbretëror Pirron 12-vjeçar dhe bashkë me të edhe ndikimin e tij. Por ky nuk zgjati më shumë se 5 vjet, pasi Kasandri organizoi me njerëzit e vet shfronësimin e Pirros, në një kohë kur ai ende nuk kishte forcuar mirë pozitat e tij, dhe vendosi në fron Neoptolemin II. I ndodhur në këtë kohë jashtë Epirit, Pirroja u vu në shërbim të sundimtarëve helenistikë, Demetër Poliorketit dhe Ptolemeut të Egjiptit për disa vite me radhë. Në këto vende ai pati rast që të shohë e të mësojë shumë si nga jeta shoqërore, ashtu edhe nga arti luftarak i këtyre vendeve, ku dhe u dallua së tepërmi duke treguar shkathtësi, guxim dhe trimëri të rrallë në një varg betejash.
Në vitin 297 vdekja e Kasandrit të Maqedonisë dhe zemërimi i popullsisë epirote ndaj sundimit arbitrar të Neoptolemit II, e ndihmuan Pirron që të rikthehej në atdhe. Për këtë veprim ai qe përkrahur dhe nga Ptolemeu, i cili shpresonte të kishte në personin e Pirros një mbështetje efektive për planet e tij në Greqi. Pasi zbarkoi në brigjet e Epirit me forcat e veta ushtarake të sjella nga Egjipti dhe duke gjetur përkrahjen e popullit që, sipas Plutarkut, e priti duke e përshëndetur me mbiemrin “Shqiponjë”, Pirroja u vendos më në fund në fronin e Mbretërisë Epirote. Në fillim ai u përpoq të përforconte pozitat e tij në Epir, dhe këtë e arriti me durim, duke e ndarë për një kohë fronin me Neoptolemin II, i cili kishte ende përkrahës në qarqet sunduese. Kur ia arriti këtij qëllimi, dhe, pasi mori vesh se rreth tij po kurdisej një kurth nga përkrahësit e Neoptolemit, Pirroja e vrau këtë, dhe pas kësaj shpejtoi të përqendronte të tërë pushtetin mbretëror në duart e veta.
Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. Frano Prendi