Vidhi Vidhi është një bimë drusore shumë e përhapur. Ai rritet në zonat me klimë mesatare të Hemisferës së Veriut, në Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Në vendin tonë vidhi shtrihet nga Velipoja e Gryka e Dukagjinit në veri e deri në Vurgun e Delvinës në jug. Ka tri lloje vidhash, por më i përhapur edhe në vendin tonë është vidhi i mirëfilltë, që rritet në lartësi 1500-1600 metra mbi nivelin, e detit. Kjo pemë është e lartë 30-40 metra dhe jeton rreth 500 vjet. Druri i vidhit, meqë është shumë i qëndrueshëm ndaj lagështirës, përdoret për të përgatitur rreze rrotash, bucela, shtylla për galeritë e minierave etj., ndërsa gjethet e vidhit përdoren si lëndë ushqyese për kafshët bujqësore. Nga pema e vidhit shfrytëzohen edhe lëvorja dhe goglat, që dalin mbi gjethe. Ato përdoren në industrinë kimike. Prej tyre nxirret një lloj lënde që quhet taninë e që përdoret për të regjur lëkurët e kafshëve. Vidhi, për bukurinë dhe cilësitë e tij higjienike, përdoret edhe si pemë zbukuruese; me këtë pemë zbukurohen parqe, shëtitore e lulishte.