Gjethedelli
Gjethedelli
(latinisht: Plantagomajor L., Plantago media, Plantago lanceolata, familja Plantaginaceae)
Përdorimi:
Droga përbëhet nga gjethet e thara të gjethedellit , bimë e zakonshme në zona fushore, si buzë udhësh e vijash, në kullota etj.. Lulëzojnë në pranverë-verë. Droga përdoret për të provokuar nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorant); si ndihmëse për të mjekuar katarret e rrugëve të frymëmarrjes, bronkitin, astmën etj; nga jashtë për mbyllje plagësh të ndryshme, puçrrash varikoze etj.; në formë çaji për larjen e syve (në acarimin e konjuktivës etj.), për gargarë në rastet e acarimit të bajameve,.
Përgatitja:
Një lugë supe me drogë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë. Përmbajtja lihet 1 orë të bymehet, pastaj zihet për 10-15 minuta, kullohet dhe çaji pihet. Pihen 2-3 gota në ditë. Nga jashtë përdoren më shpesh gjethet e njoma, të lara dhe të njomura për 1 orë me ujë të valuar, me të cilat përgatiten llapa për mjekime plagësh të ndryshme të lëkurës.
Kallinjtë e frutifikuar të gjethedellit të madh (Plantago major) grumbullohen gjatë verës dhe thahen në hije. Droga e fituar përgatitet për mjekimin e pezmatimit të veshkave dhe si ndihmëse në sëmundjen e prostatës në këtë mënyrë: ~40 gr kallinj të frutifikuar zihen në 3-4 litra ujë derisa ky I fundit të shterojë në ½ litër. Përmbajtja kullohet, mbetja shtrydhet në mënyrë që e gjithë masa e lëngët të kalojë në çaj, pihen 3 gota në ditë, para buke. Në mëngjes pihet esëll. Kura vazhdon deri në mjekimin e plotë.
Burime, referenca dhe shënime:
✤ Lista e bimëve mjekësore
Fotografia
✤ Andreas Eichler, CC BY-SA 4.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=38652613