Formimi i shkëmbinjve

Fundërresat, copërat e krijuara nga procesi i erozionit të Tokës, mbarten nga uji ose çohen nga era në luginat dhe në fundet e deteve; pa dyshim, ato mund të largohen përsëri nga këto vende, por një pjesë e tyre mbetet gjithmonë dhe grumbullohet me kalimin e epokave. Kur arrijnë një trashësi prej disa qindra ose, bile, edhe prej disa mijëra metrash, shtresat që gjenden më poshtë ngjeshen fort dhe uji, duke u futur ndërmjet tyre, bie me vete minerale që i çimentojnë grimcat e ndryshme. Dalëngadalë, fundërresat kthehen në shkëmb. Në përgjithësi ky proces është i ngadaltë.
Formimi i një gjysmë metri shkëmbi argjilor në një qind vjet quhet si i shpejtë nga gjeologët. Për formimin e një shtrese gëlqerore pesëdhjetë centimetra të trashë është llogaritur se duhet të kalojnë gjashtëmijë vjet: një periudhë kohe më e gjatë se ajo që ka kaluar qysh nga ndërtimi i piramidave.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]