LIQENET DHE KËNETAT

Liqenet përbëjnë një nga dhuratat e shumta që natyra i ka bërë njeriut. Zakonisht ato janë piktoreske, të qeshura; uji i tyre i freskët dhe i qetë i tërheq peshkatarët, notarët, amatorët e lundrimit me vela etj. Zogjtë ngrenë foletë në brigjet e tyre, ujërat janë të pasura me peshq; përveç kësaj, liqenet janë rezervuarë të çmuar uji. Është për të ardhur keq që liqenet janë përqendruar vetëm në pak zona të planetit dhe që, po të flasim me gjuhën e gjeologjisë, kanë një jetë shumë të shkurtër. Zonat ku liqenet janë të shumta, domethënë Evropa dhe Amerika e Veriut, janë ato zona që në kohët e reja gjeologjike kanë qenë të mbuluara me shtresa akulli. Si kohë të reja gjeologjike duhet të kuptojmë 100 000 vjetët e fundit.

Liqene gjenden gjithashtu edhe në Afrikë e në Amerikën e Jugut, por në një numër më të kufizuar; Franca, Spanja dhe vendet jomalore të Evropës Jugore kanë pak liqene. Shndërrimet në koren e Tokës rrallë çojnë në formimin e liqeneve; përkundrazi, siç do ta shohim edhe më poshtë, ato synojnë t’i eliminojnë edhe atje ku ekzistojnë. Quajmë liqen një masë uji të rrethuar nga të gjitha anët me tokë; fundi i luginës mbi të cilën qëndron kjo masë uji është herë-herë. mjaft i thellë. Uji vjen në fundin e luginës ose në formën e shiut, ose nga një lumë, ose nga një burim. Shumë liqene, gjatë muajve të dimrit ose në pranverë, kur shkrin bora dhe akulli, furnizohen me një sasi të tillë uji sa nuk mund ta përballojnë. Si pasojë kemi përmbytje të shkaktuara nga liqenet, përveç atyre që shkaktojnë lumenjtë.

Le të shqyrtojmë tani disa liqene dhe disa zona liqenore; do të përpiqemi të sqarojmë se si dhe kur e formon natyra këtë .masë uji, që mund të arrijë thellësi të mëdha. Në krahinën e Belunos, në luginën e lumit Kordevole, gjendet një liqen që e ka marrë emrin nga vendi fqinj i Aleges. Ky liqen ka një prejardhje mjaft të pazakonshme dhe, po të flasim me gjuhën e gjeologjisë, shumë të vonë. Siç del, ai e ka prejardhjen nga një shembje që ka ndodhur në vitin 1771, e cila e bllokoi rrjedhjen e lumit.

Nga Izraeli, në Mesdheun Lindor, deri në Rodezi, në Afrikën e Jugut, kalon një varg i parregullt luginash i gjatë 6000 kilometra. Ato do të jenë formuar nga një çarje e madhe e kores së Tokës dhe disa prej tyre janë mbushur tashmë me ujë. Një prej këtyre gropave liqenore përbën liqenin e famshëm me emrin Deti i Vdekur, ndërmjet Izraelit dhe Jordanisë. Në lugina të tjera të vargut gjenden disa liqene të tjera, ndërmjet të cilave Deti i Kuq dhe liqenet Tanganika dhe Niasa. Liqenet që shtrihen mbi hinka të formuara nga çarjet janë ndër më të thellat në botë. Liqeni i Tanganikës ka një thellësi prej 1410 metrash; Bajkali në Siberi arrin rekordin: 1710 metra, nga të cilat 1270 janë nën nivelin e detit. Ai përmban rreth .18 000 kilometra kub ujë.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]